20 vite nga rënia e dëshmorit Astrit Suli në luftën e Kosovës, Vetëvendosje në homazhe: Nderim për të (FOTO)

20 vite nga rënia e dëshmorit Astrit Suli në luftën e Kosovës, Vetëvendosje në homazhe: Nderim për të (FOTO)

Në 20-vjetorin e rënies së Dëshmorit të Atdheut Astrit Suli, në betejën e ashpër që formacionet e UÇK-së zhvilluan me forcat serbe në Operacionin “Shigjeta” në Gorozhup e Pashtrik të Hasit, u zhvilluan dje homazhe ku u vendosën kurora lulesh tek varri dhe shtatorja e Astrit Sulit.

Të pranishëm në këtë ceremoni përkujtimore ishin edhe përfaqësuesë të lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri.

Astrit Suli ishte vetëm 23 vjeç kur braktisi punën në Greqi për t’ju bashkuar luftës çlirimtare të Kosovës.

Gjatë kësaj ceremonie përkujtimore për dëshmorin e kombit vizituan edhe familjarët e tij në Kuçovë, të cilët ndjehen krenarë dhe të vlerësuar për sakrificën e Astrit Sulit sa herë vijnë vizitorë nga të gjitha trojet shqiptare për ta nderuar e kujtuar veprën dhe heroizmin e birit të tyre, që tashmë ka hyrë në panteonin e heronjve të kombit shqiptar.

Njoftimi i Lëvizjes Vetëvendosje:

Në nderim të dëshmorit të kombit Astrit Suli

Dje, më datë 27 maj, u mbushën 20 vjet prej rënies së dëshmorit Astrit Suli. Në homazhe merrnin pjesë familjarët, bashkëluftëtarët, shoqata e veteranëve të qytetit të Kuçovës dhe bashkëqytetarët e Astritit. Nga Lëvizja VETËVENDOSJE! morën pjesë deputeti dhe luftëtari i UÇK-së Shemsi Syla dhe anëtari i kryesisë, Elvis Hoxha.

Në shënim të 20 vjetorit të rënies së dëshmorit, u organizua një vizitë në familjen e Astritit, një tubim pranë lapidarit të tij në parkun e qytetit, nderimi i varrit ku prehet trupi i dëshmorit në varrezat e dëshmorëve të qytetit të Beratit, dhe dreka e mikpritjes e shtruar prej vëllezërve të Astritit.

Astrit Suli lindi në fshatin Luzaj, në vitin 1976. Ishte vëllai i shumë motrave dhe vëllezërve, biri i dy prindërve të ndershëm e të urtë. Sipas dëshmive të familjarëve dhe atyre që patën fatin ta njihnin nga afër në luftë e në jetë, ai e ngjizi përgjegjësinë kombëtare dhe ndjeshmërinë për vuajtjet e shqiptarëve të Kosovës krejt i vetëm, jo prej institucioneve të Republikës së Shqipërisë apo sistemit shkollor. Si shumica e luftëtarëve të tjerë të shkuar prej Republikës londineze për të ndihmuar luftën për çlirimin e pjesës shqiptare nën pushtimin serb, ai mban pra mbi vete jo vetëm aktin e luftës dhe rënies, por dhe të mbajtjes gjallë të vlerës shtetformuese dhe kombçliruese.

Astriti dhe të gjithë luftëtarët e tjerë e mësuan historinë shqiptare në vetmi ose në kuadrin e familjes. Me rënien e tyre për çlirimin e Kosovës ata e shtrinë çështjen shqiptare edhe në qendrën dhe jugun e Shqipërisë. Ende nuk është kuptuar sa duhet akti i tyre nga institucionet e historiografisë, politikës dhe shoqërisë në Republikën e Shqipërisë. Astriti vdiq 23 vjeç, por falë tij dhe shokëve të tij janë ngritur e do të ngrihen bustet që flasin për Kosovën dhe heroizmin e saj në Kuçovë, në Lushnje, në Kukës, në Kavajë e gjetkë.

Pjekuria e tij na mbron përfytyrimin e drejtë të kombit, na shpëton prej pamjaftueshmërisë shtetërore dhe na ngre lart qartësinë shoqërore mbi çështjen kapitale. Këta luftëtarë janë mësuesit më të denjë të lirisë. 
Astrit Suli kreu në pak muaj transformimin e madh të subjektit njerëzor nga një refugjat, që ndihmonte ekonomikisht familjen e tij, në luftëtar dhe dëshmor që përkryente çështjen kombëtare. Nderimi i Astrit Sulit dhe shokëve të tij është ende sot minimal dhe burokratik. Nderimi do të jetë i plotë kur ta kuptojmë me të vërtetë dhe të studjojmë nëpër libra shkollorë këto jetë që vihen në shërbim të lirisë deri në vdekje. Miqtë luftëtarë të Astrit Sulit nuk kanë harruar për asnjë 27 maj ta vizitojnë familjen. Këta njerëz të thjeshtë nuk mund ta harrojnë takimin sublim me dëshmorët e Republikës së Shqipërisë.

Tiranë, 28 maj 2019

Lëvizja VETËVENDOSJE!
Qendra në Shqipëri

Related posts