Analizë/ Saimir Tahiri bardh e zi

Analizë/ Saimir Tahiri bardh e zi

2017-04-08-13-23-05-1956372999

Nga Spartak KOKA –

(Tre vite e gjysëm të drejtimit të Ministrisë së Brendshme)

Saimir Tahiri e nisi punën si Ministër i Punëve të Brendshme në Shtator të vitit 2013,me premtimin se gangsterët dhe të paprekshmit nuk do t’i bënin më karshillëk qytetarëve,të cilët deri në atë kohë, sipas tij ishin ndjerë të dobët dhe të pasigurtë.

 

E mbylli në mënyrën më të paparashikueshme dhe më të papritur për të, duke u shkarkuar në momentin kur ndihej më i sigurt dhe më fuqiplotë në detyrën e ministrit.

 

Duhet thënë se ai ishte një prej ministrave më karizmatik, më elokuent dhe më dinamik, me aftësinë për të mbajtur mbi supe dhe kostot e dështimeve të punës së policisë, apo për të shitur si mall të cilësisë së parë apo risi, edhe veprimet më të zakonshme të uniformave blu.

Por çfarë la pas Saimir Tahiri në 3 vite e gjysmë drejtim, të një prej institucioneve më të rëndësishme ligjzbatuese.

Analiza për punën e Tahirit duhet ndarë në dy periudha kohore, atë të marrjes së detyrës deri në fund vitin 2015, si dhe tjetra, viti 2016 deri në momentin kur u shkarkua.

Në periudhën e parë kishim një Saimir Tahiri, i cili kishte vullnetin për të ndryshuar situatën e rendit dhe sigurisë publike dhe për të cilën pati disa të dhëna statistikore të vlerësueshme, si ulja e numrit të vrasjeve, goditja e fenomenit të kultivimit të kanabisit (2014 – Lazarati), ulja e numrit të aksidenteve rrugore, paligjshmëria e lojrave të fatit, hoqi mafien e karotrecave rrugorë. Në këtë periudhë konstatohet një Saimir pa njohuritë e duhura nga policia, por me vullnetin për të përmirësuar situatën, duke përdorur shpesh herë mënyrat dhe format e gabuara të arritjes së këtyre rezultateve, që i dhanë atij jo pak kosto. Në këtë periudhë, Saimiri ishtë më i papërmbajtshëm, më arrogant ndaj kritikëve të tij, si nga politika, media apo shoqëria civile. Shpesh here fomat dhe qasja e gabuar e drejtuesve të policisë, të zgjedhur prej tij, në përballje sporadike me ndonjë grup kriminal i sollën Saimirit kosto personale dhe të drejpërdrejta, qërënduan edhe mbi familjen e tij.

Në periudhën e dytë kishim një Saimir, i cili pasi arriti të njihte se si funksionte Policia e Shtetit dhe mori ato rezultate, filloi të sillej ndryshe. Fillimisht flaku në rrugë “timonierin” de juro të policisë dhe më herët,ose pak më vonë dhe disa prej bashkëpunëtorëve të tij më të afërt, me të cilët kishte arritur dhe rezultatet e vlerësueshme.

Filluan të promovoheshin në pozicionet e shefave të komisariateve,“garda e vjetër”, apo persona të përfolur për lidhje okulte me krimin e organizuar. Gjatë vitit 2016, të gjitha parametrat e sigurisëtë lart përmendura, të cilësuara si të vlerësueshme, u kthyen në pikën zero. Bazuar mbi statistikat zyrtare rezultoi se u rrit prap numri i vrasjeve, u rritën në shifra shqetësuese aksidentet rrugore. Bazuar po prap mbi statistika zyrtare, tonat dhe ndërkombëtare, si asnjëherë tjetër më parë u rrit kultivimi i kanabisit, me një masivizim në çdo cep të vendit. U rrit numri i grabitjeve dhe vjedhjeve, pikat e paligjshme të lojërave të fatit u përhapën sërish,me të njëjtin intensitet si para Shtatorit 2013. Pas rreth 2 vitesh të drejtimit, mafia e karotrecave rrugor në Tiranë u kthye prap por me një drejtim të ri por  me më shumë abuzim ndaj qytetarit se më parë. Në këtë periudhë, Saimiri ndryshoi strategji, përpiqej të ishte më i komunikueshëm, më njerëzor. Por arriti në fazën e një vetësigurie të tepruar, ku mendonte se do ishte i pazëvendësueshëm. Arriti që, në përfoljen dhe informacionet që i vinin, si nga institucionet e tjera ligjzbatuese të vendit apo ndërkombëtare,për përfshirjen e drejtuesve të policisë në qarqe në kultivimin e kanabisit, të mos reagonte dhe të mos i merrte në konsideratë.

Kjo ishte dhe faza që do e shkërmoqte të gjithë punën dhe rezultatet e arritura në periudhën e parë.

Se përse Saimirit iu kthyen në pikën zero të gjitha rezultatet e arritura, kjo ende nuk dihet,por shumë pyetje rreth kësaj çështje mbeten endepa përgjigje:A ishin drejtuesit  e policisë që e gënjyen dhe e mashtruan, apo ishin këta drejtues që e joshën në forma të tjera për të mos u ndjerë, apo ishin grupet kriminale për të cilat u akuza shpesh herë nga opozita se kishte lidhje, që i ofruan marrëveshje, atij dhe drejtorëve, me qëllim favorizimin e kultivimit, apo ishte ndonjë urdhër nga më lart për favorizimin e kultivimit, të paktën për vitin 2016?

Nga ana tjetër, të dy drejtorët e përgjithshëm të policisë, me të cilët punoi Saimiri, Artani dhe Hakiu, siç dhe ata vetë e kanë shprehur në biseda informale kanë hasur në një vështirësi të madhe, përsa i përket rolit të tyre funksional dhe drejtues në organizatë. Sipas tyre,Saimiri ndërhynte kudo dhe përgjithçka, duke i marrë vetë frerët e policisë në dorë. I pari Artani, në 1vit e gjysmë bashkëpunim me Saimirin, vetëm periudhën e fundit shfaqi rezistencë, për mos zbatimin e urdhërave verbalë që vinin nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”. Rezistencë, e cila nuk zgjati gjatë, pasi u detyrua të dorëhiqej për një “lapsus” të vartësit të tij, për mos ekzekutimin e urdhër arrestit të mbërritur nga Belgjika, për një deputet të parlamentit. Në këtë rast, vartësi doli i pafajshëm, por Didi nuk u kthye më në detyrë, u emërua në një pozicion periferik  si oficer kontakti në Amerikë.

I dyti Hakiu, një oficer karriere,i cili i kishte prekur të gjitha detyrat, që nga niveli bazë dhe ai drejtues në polici,në dy vite të bashkëpunimit të tij me Saimirin u përpoq të ndryshonte dhe të përmirësonte ç’ka nuk ishte bërë si duhet deri në atë periudhë. Një oficer, i cili dhe në ato pak përballje mediatike arrinte të sheshonte kritikat dhe të përcillte mesazhe përbashkuese në dobi të rendit dhe sigurisë shoqërore. Por sërish, ashtu si Artanit, Saimiri nuk i la shumë terren dhe arriti ta eklipsonte shpejt dhe veçanërisht gjatë vitit 2016, drejtorët rajonalë të policive i “faleshin” përgjithësisht Saimirit. Megjithatë, sipas informacioneve nga bashkëpunëtorët e tij të ngushtë në Policinë e Shtetit, Çako nuk reshti së dokumentuari me shkresa, por dhe gjatë mbledhjeve (në mënyrë të protokolluar) në drejtoritë e policive në qarqe, kërkesën e tij për luftë pa kompromis ndaj kanabisit. Por pavarësisht kësaj qasje protokollare të pretenduar, asnjë masë konkrete dhe ndëshkim konkret për drejtues policie, përgjegjës për parandalimin dhe për kultivimin nuk u mor. Nga kritikët, Hakiu anatemohet që me mos reagimin e tij publik ishte bërë pjesë e sistemit dhe ishte pjesë e përgjegjësisë.

Të dy drejtorët e përgjithshëm, me të cilët punoi Saimiri u perceptuan nga publiku si badigardët e tij dhe jo si vendimarrës autonomë të policisë.

A i shërbeu ky personalizim dhe këto marrje kompetencash de fakto, produktivitetit të policisë?

Korrupsioni nëPolicinë e Shtetit pati dhe ai zhvillime, me një kurbë me turbulencë,që gjatë dy viteve të para të mandatit njohu një ulje të prekshme dhe rriti besimin e publikut tek policia, deri në vitin 2016,kur korrupsioni u rrit në ekstremitet. Një raport i hartuar nga një prej organizatave serioze të shoqërisë civile në vend tregoi se korrupsioni në polici ishte rritur frikshëm.(http://idmalbania.org/ëp-content/uploads/2016/11/Integriteti-dhe-korrupsioni-policor_II_2016.pdf)

Gjatë vitit 2016 ndodhi ajo që nuk imagjinohej, korruptimi deri në palcë i organizatës së policisë, ku pati akuza qënën urdhërat e individëve të caktuar, në pozicionet e drejtorëve në qarqe, shefave të komisariateve, shefave të krimeve, shefat e renditdhe policët e zones,së bashku me personin e besuar të drejtorit merrnin përqindje për kultivimin e kanabisit, sipas numrit të rrënjëve.

Një profesionist I Policisë sëShtetit,i cili ka mbi 17 vite punë nën uniformën blu dhe kritik me punën e bërë gjatë drejtimit të mëparshëm, por dhe të Saimirit do deklaronte se: Policia nisi të kriminalizohej në vitin 2009 në mënyrë sporadike, në lokalitete të caktuara, ndërsa në vitin 2016, kriminalizimi dhe korruptimi u perfeksionuan dhe u masivizuan nëçdo qark.

Duhet theksuar se drejtorë të caktuar të policisë arritën deri aty sa, në disa raste blenë dhe heshtjen e opozitës zyrtare, por jo të ish –Kryeministrit Sali Berisha,i cili herë me prova herë me thashetheme denoncoi thuajse çdo ditë lidhjet e policisë me kultivimin.

SHÇBA (Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave), një instrument institucional dhe ligjor nën varësi të ministrit, që teorikisht duhet të ishte në vijën e parë të luftës ndaj korrupsionit dhe inkriminimit të Policisë së Shtetit u tregua inaktiv dhe i përgjumur, për të goditur qoftë dhe vetëm një rast të përfshirjes së një shefi komisariati, zëvendësdrejtori apo drejtori, në favorizimin e kultivimitpërkundrejt përfitimit. U finalizuan procedimet dhe u arrestuan vetëm inspektorë të nivelit bazë. (http://shcba.gov.al/images/Raporte/RPV2016.pdf)

Megjithë vendimin, që vlen për t’u përgëzuar, për rikthimin e Akademisë së Policisëdhe shtimit të numrit të efektivëve të rinj në organizatë, ende konstatohet se Policia Kriminale është në një gjendje të mjerueshme. Handikap i madh vërehet në çdo komisariat apo sektor të specialistëve të hetimit të krimeve, që sot ndeshen rëndomë me specialistë pa arsimin e duhur, në moshë të madhe dhe që në shumë raste nuk dinë të përdorin kompjuterin dhe jo më të kryejnë një hetim profesional. Kjo sigurisht është përgjegjësia e Ministrit të Brendshëm dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë.

Pavarësisht se u premtua reforma strukturore e Drejtorisë së Përgjithshme tëPolicisë, ajo mbeti në letër. Pasi jo vetëm që nuk u përgjysmua organika për t’i zbritur në bazë një pjesë të tyre, por vetëm sa u shtua.  Policë të gradave të larta, që emëroheshin ashtu si para Shtatorit 2013, si shpërblim në poste vegjetuese, për t’i bërë nder kësisoj ndonjë deputeti apo ndonjë biznesmeni.

Meritokracia, gjatë vitit 2016 u kushtëzua në shumë raste mbi bazë tarafi dhe lidhjesh okulte me individë pranë pushtetit, Ministrisë sëBrendshme dhe drejtuesve të caktuar të policisë dhe jo mbi aftësitë e performancës cilësore në detyrë.

Gjatë 3 viteve e gjysmë, asnjë grup me emër kriminalo –mafioz i rëndësishëm nuk u godit, pavarësisht se ata vijuan të kryenin ngjarje të rënda në vend, madje disa, syresh patën mundësinë që tëstrukturoheshin dhe të legalizonin pasuritë apo aktivitetet e tyre.

Kritikët thonë se Saimiri e transformoi nga jashtë, por pa përmirësuar nga brenda, ligjet i ndryshoi, por zbatimi nuk ndryshoi (me të njëjtin selektivitet si më parë).

Për mirë apo për keq, sigurisht koha dhe historia do ta vlerësojë Saimirin,si Ministrin e Brendshëm më jetëgjatë pas rënies së komunizmit.

Disa javë pas shkarkimit, Saimiri sigurisht që do ketë mundësinë të reflektojë për çfarë bëri mirë, apo keq, apo çfarë mund të bënte më mirë,kush e mashtroi, kush e tradhëtoi pasi la detyrëndhe kush i qëndroi besnik brenda radhëve të policisë.

Duke u bazuar mbi sondazhet e organizatave jofitimprurëse, disa muaj para se të linte detyrën, në vitin 2013, Hysni Burgaj deklaronte se policia ishte institucioni mëi besuar në vend. Duke u bazuar  sërish në sondazhe, të njëjtën gjë deklaroi dhe Saimir Tahiri, në Shkurt të vitit 2017.

Se sa ndryshoi apo qëndroi në vend besueshmëria, kjo mbetet për t’u vlerësuar, ndoshta me një studim serioz nga ekspertë të fushës

E sigurt është që, për vitin 2017, dy prej sfidave kryesore të pasardhësit (nëse do të ketë vullnetin e duhur) janë nxjerrja e Shqipërisë nga harta e vendeve të origjinës së kultivimit të kanabisit dhe e dyta, goditja e grupeve kriminale me aktivitet të ngjeshur, si brenda dhe jashtë vendit.  Për këtë, si media, qytetarët apo shoqëria civile duhet të jenë në krah të policisë. Sot policia ka nevojë më shumë se kurrë për depolitizim, për kthim të besimit dhe inkurajim të atyre policëve të ndershëm,që janë pjesa dërrmuese përbërëse me grada të ndryshme, brenda radhëve të organizatës, që të luftojnë pa kompromis krimin dhe të kontribuojnë me devotshmëri për më shumë rend, pra për një Shqipëri më të mire e më të sigurt.

 

 

Related posts