90-vjetori: Akademia e Shkencave “pret” Trebeshinën

90-vjetori: Akademia e Shkencave “pret” Trebeshinën

Shkrimtari Kasem Trebeshina që ndan jetën mes Turqisë dhe Shqipërisë mbush 90 vjet nga lindja. Ai është nga shkrimtarët e gjallë që ka mbetur në hije, e me plot mistere nga jeta e krijimtaria në diktaturë. Ndodhur mes dritëhijeve të kësaj jete, Trebeshina vazhdon të refuzojë e të qëndrojë kurrizkthyer ndaj gjithë polemikave të ndezura rreth tij, sidomos në këto 20 vite. Megjithatë, është situatë krejt tjetër me studiuesit shqiptarë, të cilët jo pak herë e kanë vënë në qendër të vëmendjes

Shkrimtari Kasem Trebeshina që ndan jetën mes Turqisë dhe Shqipërisë mbush 90 vjet nga lindja. Ai është nga shkrimtarët e gjallë që ka mbetur në hije, e me plot mistere nga jeta e krijimtaria në diktaturë. Sipas atyre që e përkrahin, kjo lidhet fillimisht me rebelimin e tij të hapur politik, e më pas me disidencën letrare. Ndodhur mes dritëhijeve të kësaj jete, Trebeshina vazhdon të refuzojë e të qëndrojë kurrizkthyer ndaj gjithë polemikave të ndezura rreth tij, sidomos në këto 20 vite. Megjithatë është krejt situatë tjetër me studiuesit shqiptar, të cilët jo pak herë e kanë vënë në qendër të vëmendjes, e zbardhur në shumë raste, me paanësi jetën, shkrimet e tij. E kësaj natyre pritet të jetë edhe takimi në 90 vjetorin e lindjes së Trebeshinës në Akademinë e Shkencave. “Një ditë me Trebeshinën”, mbledh në tryezë shkencore studiuesit, e njerëzit e letrave me referimin “Vendi që zë vepra letrare e Trebeshinës në letërsinë bashkëkohore”.

Tryeza që organizohet nga Qendra e Studimeve Letrare “Pjetër Budi” do të mbledhë bashkë të gjithë ata që kanë dhënë kontribut në njohjen dhe zbulimin e vlerave letrare të krijimtarisë së Kasëm Trebeshinës. Për të hedhur dritë mbi shenjat letrare të veprës së autorit, kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre 13 studiues nga Prishtina, Tetova, Tirana, Gjirokastra, Durrës, Vlora etj. Por ndërsa tryeza shkencore “Vendi që zë vepra letrare e Trebeshinës në letërsinë bashkëkohore ” që do të zhvillohet më datë 8 gusht është një përpjekje për të nxitur njohjen, leximin dhe vlerësimin e kësaj përvoje shkrimi nga më të veçantat e harkut të letërsisë bashkëkohore, ky autor i njohur shqiptar prej vitesh është lënë i harruar nga institucionet shtetërore, nga Ministria e Kulturës, që deri më tani nuk ka pasur vëmendje për të nderuar figurën e Trebeshinës. Për studiuesin Behar Gjoka, edhe kjo figurë është lënë në harresë si shumë të tjera.

“Kjo figurë është lënë në harresë nga Ministria e Kulturës, nuk ka pasur kohë të merret, ashtu si dhe shumë figura të tjera të letërsisë që janë lënë në harresë”, pohon studiuesi Gjoka, njëherësh dhe drejtor ekzekutiv i Qendrës së Studimeve Letrare “Pjetër Budi”. Edhe kjo veprimtari që i kushtohet veprës së Kasëm Trebeshinës, zhvillohet vetëm si një iniciativë private pa mbështetje nga Ministria e Kulturës. Por kur flasim mbi veprën e Trebeshinës, studiuesi Gjoka vlerëson krijimtarinë e tij atë që ai përcolli. “Fatin e njeriut nën diktaturë dhe në pushtetin e dhunës, modeli surrealist që buron dhe i kundërvihet realizmit socialist, në prozë, poezi dhe dramaturgji, goditje e hapur dhe e pandërprerë e ideologjisë moniste, e letërsisë zyrtare të realizmit socialist ishin paralajmërim për një sistem tjetër. Në romanin epope, “Kënga Shqiptare”, Luftën e Dytë, përveçse çlirimtare, e paraqet edhe si luftë civile në mes komunistëve dhe ballistëve, duke qenë se ka qenë partizan”, pohon studiuesi Behar Gjoka mbi atë se çfarë përcillte Kasëm Trebeshina në veprën e tij për lexuesit.

Kasëm Trebeshina filloi studimet në Shkollën Normale të Elbasanit, por i ndërpreu më 1942, kur u aktivizua në Luftën Nacionalçlirimtare. Trebeshina ndërpreu edhe studimet e larta në Institutin e Teatrit “Ostrovski” të Leningradit dhe iu kushtua tërësisht krijimtarisë letrare. Në vitin 1961 arrin të botojë poemën “Artani dhe Min’ja ose hijet e fundit të maleve” dhe një përkthim pa emër të Garsia Lorkës. Veprat e Trebeshinës kanë nisur të botohen në fillim të viteve ’90 fillimisht (dhe më pas) në Prishtinë. “Stina e stinëve” 1991, “Mekami, melodi turke” 1994, “Historia e atyre që s’janë” dramë 1995, “Tregtari i skeleteve” 2006, “Këngë për Kosovën” 2007, “Shtigjet e shekujve” 2007. Dhe në Tiranë “Legjenda e asaj që iku” (ribotim i Stina e stinëve) 1992, “Koha tani, vendi këtu” 1992, “Çezari niset për në luftë” 1993, “Rruga e Golgotës” 1993, “Lirika dhe satirë” 1994, “Hijet e shekujve” 1996, “Ëndrra dhe hije” drama 1996, etj. Megjithatë një pjesë e veprës së Kasëm Trebeshinës është ende në dorëshkrim si vëllime me poezi, pjesë teatrore, romane e vëllime me tregime. Pjesëmarrës aktiv në Luftën Nacionalçlirimtare që në moshë fare të re, ai nuk u pajtua me politikën moniste të numrit një të partisë ku bënte pjesë, e kundërshtoi atë në mënyrë të drejtpërdrejtë, veçanërisht, për orientimin që po i jepte letërsisë dhe arteve. Për këtë qëndrim u burgos dhe veprat i mbetën në dorëshkrim. Letra e tij “Promemorje” për Enver Hoxhën, shkruar më 5 tetor 1953, ndonëse denoncon vendosjen e pushtetit “njëdorësh” në Shqipërinë e pasluftës së Dytë Botërore dhe instalimin e metodës së realizmit socialist të cilën vetë Trebeshina e identifikon me një censurë nga më të çuditshmet, ende nuk është publikuar në versionin e saj origjinal gjë që shpesh e ka kthyer këtë figurë në qendër të polemikave mbi disidencën.

Related posts