A PO E MUND LETËRSIA GLOBALE LETËRSINË PËR FËMIJË NË SHQIPËRI?!

A PO E MUND LETËRSIA GLOBALE LETËRSINË PËR FËMIJË NË SHQIPËRI?!

Nga Gëzim Tafa* –

Në të vërtetë, kjo është një pyetje përgjigjja e së cilës nuk të mundon gjatë. Por, më shumë se një studim akademik, kjo trajtesë është një kumt për gjendjen e letërsisë për fëmijë në Shqipëri, udhëkryqet dhe dilemat në të cilat është mbërthyer ajo, dhe që të arrijmë deri te problemet, duhet të kemi të qartë rrugëtimin e saj.
Nëse në botë fillesat e letërsisë, kryesisht moralizuese apo religjioze, i gjejmë diku nga mesi i shekullit të pesëmbëdhjetë, duhet të kemi në vëmendje se pikëtakojnë me kohën kur Johan Gutenbergu e revolucionarizoi procesin e shtypit. Kjo teknologji mundësoi, krahas veprave të letërsisë për të rritur, edhe bashkudhëtimin e procesit të botimit të letërsisë për fëmijë. Dy shekuj më vonë, në vitin 1658, libri i John Amos Omenius, “Orbis Pictus”, qarkulloi si libri i parë i ilustruar për fëmijë. Kjo lloj enciklopedie rrëfimtare, e shoqëruar me vizatime, përveç informacionit, ishte edhe një mënyrë për ta lexuar tekstin nëpërmjet imazheve. Ndërsa në shqip gjurmët e krijimtarisë letrare shfaqen rreth dyqind vjet më pas, diktuar nga realiteti historik dhe socio-kulturor. Në këtë kohë “Liza në botën e çudirave” e Lewis Carrol-it ishte botuar dhe qarkullonte e ilustruar mrekullisht nga John Tennie. Është viti 1866.
Katër veprat e Kostandin Kristoforidhit, të botuara nën kujdesin e Shoqërisë Biblike, i njohim si librat e parë në shqip. Por, përtej Adriatikut Jeronim de Rada kishte botuar “Këngët e Milosaos”, – saktësisht në Napoli, 1836. Botimet e mëpasshme në histori i njohim si vepra të periudhës së Rilindjes. Deri në mbarimin e Luftës së Dytë Botërore letërsia shqipe, përveç tipareve romantike, ka nota të theksuara të nostalgjizmit patriotik. Këto cilësi i gjejmë edhe më të qarta në krijimtarinë e Naim Frashërit, De Radës, Çajupit, Skiroit, Darës së Ri, Asdrenit e Mjedës, dhe më pas në autorët e Letërsisë së Pavarësisë, te Konica, Fishta, Noli, Migjeni, Poradeci, Kuteli etj. Edhe pse kjo letërsi ndikoi në zgjimin kombëtar, letërsia për fëmijë thuajse është e munguar.
Në vitin 1946 në Shqipëri kishte filluar nga puna shtëpia botuese “Naim Frashëri”, me orientim letrar që botonte edhe letërsinë për fëmijë. E vetmja dhe e centralizuar, kjo shtëpi kontrollonte dhe botonte atë letërsi që plotësonte kriteret e dogmës dhe ideologjisë së realizmit socialist. Gjatë ekzistencës së saj janë hedhur edhe bazat e letërsisë “moderne” shqipe për fëmijë. Deri në mesin e viteve 1970 ajo është e orientuar kryesisht te përrallat dhe poezia, dhe më pak te romani, tregimet, fumeti, përshtatjet apo librat e ilustruar me ngjyra. Ajo është një krijimtari që nuk i njeh interesat dhe problemet e moshës, me kufizime të dukshme, me tingëllima naive dhe shpesh banale. Personazhet e kësaj letërsie janë partizanët, heronjtë e punës socialiste, kooperativistët apo nxënësit e dalluar, ndërkohë që bashkëmoshatarët e tyre në botë janë rritur me bëmat e Robinson Kruzosë, Gulliverit, Lizës, Heidit, Gavroshit, Kozetës, Piter Panit, Hirushes, Kësulëkuqes, Pinokut, Bambit, Hakëllberri Finit, Pipi Çorapegjatës, Harry Poterit… dhe lista është shumë e gjatë. Fatkeqësisht, letërsia shqipe ende nuk ka mundur të krijojë një personazh që t’i afrohet kësaj liste.
Nëse trashëguam pak vepra për fëmijë nga kjo krijimtari, është interesant fakti se editoria private shqiptare nuk lindi si një zgjatim i konceptit botimor dogmatik të shtëpisë botuese “Naim Frashëri”. Dëshira për të kapur kohën e humbur mundësoi që gjithçka që botohet në Perëndim, në kohë reale të vijë edhe në shqip. Falë profilizimit dhe një filozofie të qartë, edhe pse në një treg të çorientuar e pa rregulla, botuesit e librave për fëmijë e kanë ngritur standardin e përfaqësimit. Por, ashtu si letërsia shqipe për të rritur, edhe kjo letërsi vuan nga e njëjta diagnozë. Mospërshtatja, mbetja jashtë ritmeve dhe interesave të letërsisë globale, e mbyllur brenda një tregu të kufizuar në këtë territor të vogël ballkanik, me barriera artificiale, pa vëmendjen e institucioneve, të dashamirësve dhe lexuesit.
Në vitin 1969, në vitin e 150-vjetorit të botimit të parë, botuesi i “Random House” e ftoi Salvador Dalinë e madh që të ilustronte me ngjyra me 12 heliogravura librin “Liza në botën e çudirave”. Në frontespic, botuesi zgjodhi një gravurë origjinale me firmën e Dalisë. Prej kësaj strukture, ky edicion u kthye në ngjarje që i tejkaloi të gjitha pritshmëritë. Bashkëpunimi i Dalisë me “Random House” vazhdoi edhe me ilustrimin e librave të tjerë, si “Romeo dhe Zhuljeta” e Shekspirit apo “Kuzhina erotike”.
Në vitin 1955, një tjetër spanjoll, gjeniu Pablo Picasso, kishte realizuar për “Le Lettre Françiase” trembëdhjetë grafika bardhë e zi dhe me ngjyra të “Don Kishotit të Mançës”. Ndryshe nga struktura piktorike blu apo kubiste, ato kishin tendencë ekspresive. Dali e kishte ende të freskët jehonën e kësaj ngjarjeje të Picasso-s, ndaj i propozoi shtëpisë botuese “Random House” botimin në anglisht të kësaj kryevepre të letërsisë spanjolle me ilustrimet e tij. Edhe ky homazh për Servantesin garantoi sukses absolut.
E solla në vëmendje këtë rast, sepse dua të ndalem në marrëdhëniet që individë apo institucionet e vendeve të ndryshme tregojnë për mbështetjen dhe promovimin e letërsisë së tyre. Shumë syresh, nëpërmjet projekteve, mbështesin edhe në gjuhë më të vogla publikimin e letërsisë klasike dhe bashkëkohore. Po me letërsinë tonë për fëmijë çfarë ndodh sot?
Në studimin “Koncepti i fëmijëve mbi botën”, në kapitullin mbi zhvillimin psikomotor të fëmijëve, psikologu zviceran Jean Piaget thotë: “Fëmijëve duhet t’u lexojmë që në ditët e para të jetës, jo më pak se njëzet minuta. Kur fëmija është në moshën 0-1 vjeç duhet t’i këndojmë ninulla. Në moshën 4 vjeç atij duhet t’i lexojmë tekste me ilustrime me ngjyra dhe me fabul të shkurtër, ndërsa kur është 4-5 vjeç duhet t’i mësojmë rimat.”
Personalisht, unë mendoj se ky kujdes përgatit të dashuruarit me leximin. Rreth pesëdhjetë vjet më parë, mësuesja ime e kopshtit në qytetin tim të lindjes më ka mësuar: Ylli i vogël lart në qiell/ dukesh porsi zjarr në pyll… të K. Kristoforidhit. Jam i bindur se mësuesja ime e dashur nuk ka pasur asnjëherë rast që ta njohë psikologjinë e Jean Piages… por fakti që do t’ju lexoj më poshtë më trishton. Sot fëmijët 4-5-vjeçarë, në sistemin parashkollor, në kopshtet tona shtetërore dhe private këndojnë në kor rima të tilla: Këmba para, këmba mbrapa/ këmba majtas, këmba djathtas/ Dora para, dora majtas/ dora lart, dora poshtë/ Kërcejmë hop-hop-hop/ këmbët i përplasim…
Më falni, por do ta bëj një lutje: “Zot, shpëtoje lexuesin e së nesërmes prej kësaj marrëzie.”
Por, në historinë e letërsisë sonë mungon një Ezop, një Andersen, një Defo, një Barri, një Kipling, një Caroll apo një Joan Rolling. Këtij fakti i shtoj edhe klimën e botimeve në përgjithësi. Nëse në raftet e librarive në të gjithë Shqipërinë vështirë se gjen ndonjë libër për fëmijë të një autori shqiptar, vargjet me këmbë dhe me duar që citova më sipër, janë marrë nga një botim që shitet me disa mijëra kopje prej vitesh nëpër kopshte. Ky (këto) libër mban autorësinë e metodistëve që hartojnë politikat dhe kurrikulat e arsimit parauniversitar dhe që nuk kanë lidhje me letërsinë. Veçse kjo gjëmë rëndohet edhe më shumë në tekstet e shkollave nëntëvjeçare e të mesme, hartuar pa filtra dhe të denatyruara.
Nga ana tjetër, duhet të pranojmë se ka një realitet dhe një standard kulturor krejt të ndryshëm të fëmijëve tanë nga yni apo i shumë shkrimtarëve të letërsisë për fëmijë. Ata kanë diferenca kulturore, janë më të informuar dhe e zotërojnë teknologjinë e hi-techut. Komunikimi apo lundrimi në mediume të njëjta me bashkëmoshatarët e tyre në botë u jep të drejtën për të qëmtuar edhe në veprat e letërsisë bashkëkohore a klasike. Ata janë të lirë për të zgjedhur, çka është më e nevojshme dhe e shëndetshme. Si përfundim: Letërsia shqipe për fëmijë është në betejë me letërsinë globale!

*ExLibris

Related posts