Adriatik Zotkaj: Kemi përmirësuar shërbimin, sfidë punësimi dhe infrastruktura

Adriatik Zotkaj: Kemi përmirësuar shërbimin, sfidë punësimi dhe infrastruktura

Nga Erjola AZIZOLLI –

Një vit pas marrjes së mandatit në krye të bashkisë së Poliçanit, BIRN Albania intervistoi kryetarin e bashkisë Z. Zotkaj lidhur me përmbushjen e premtimeve elektorale, bazuar mbi shqetësimet e ngritura nga vetë banorët e kësaj zone.

Cilat janë tre arritjet/premtimet kryesore që ju i mendoni si të suksesshme gjatë vitit të parë të drejtimit të bashkisë Poliçan?

Qytetarët e Poliçanit më kanë besuar prej 13 vitesh drejtimin e bashkisë dhe me modesti mund të them që arritjet janë të shumta. Por vlen për t’u theksuar fakti që ky është vitit i parë që unë drejtojë  ashkinë e re Poliçan pas ndarjes territoriale-administrative ku na janë bashkuar dhe dy njësi të tjera administrative: Tërpan dhe Vërtop.

Ndër të tjera si arritje kryesore mund të përmend:

  1. Rikonstruksioni i bulevardit kryesor të qytetit me parametra bashkëkohor në shtimin e hapësirave të gjelbra dhe parqeve që çdo grupmoshë të gjej veten.
  2. Sigurimi i transportit të nxënësve të shkollave në njësitë administrative, të cilët për vite përshkonin kilometra në këmbë për të shkuar në shkollë.
  3. Sigurimin e një shërbimi dinjitoz të mjekëve, infermierëve, mësuesve, në respektimin e orarit dhe sjelljen ndaj komunitetit.
  4. Përmirësimin e cilësisë së shërbimit dhe shtimin e tij sa më afër komunitetit.

Çfarë ka bërë bashkia në sigurimin e pjesëmarrjes qytetare (konsultimeve publike, etj) dhe transparencën gjatë këtij viti?

Jo vetëm gjatë këtij viti, por edhe më parë, si drejtues i këtij komuniteti dhe si djalë i këtij qyteti e kam pasur prioritet konsultimin me qytetarët e mi mbi zhvillimet e bashkisë. Përveç pasqyrimeve në faqen zyrtare dhe stendën e informimit, zyra e marrëdhënieve me publikun ka një komunikim të vazhdueshëm për çdo ditë me gjithë kryetarët e fshatrave dhe administratorët mbi pasqyrimin e problematikave dhe llogaridhënien mbi zgjidhjen e problemeve të përditshme. Gjithashtu disa herë në muaj unë zhvilloj takime me komunitetin me kryetarët e fshatrave, drejtues institucionesh, me përfaqësues dhe grupe interesi të ndryshme ku pasqyrojmë veprimtarinë e bashkisë dhe sfidat që na presin.

Cilat janë tre sfidat kryesore me të cilat përballet bashkia e re dhe si mendoni t’i adresoni ato?

Qëndrimi për një kohë të gjatë në krye të bashkisë më ka dhënë mundësinë të njoh thellësisht problematikat e këtij komuniteti, por në tre sfidat kryesor do të fokusoja: punësimin, infrastrukturën dhe bujqësinë, duke marrë në konsideratë që bashkia e re ka një pjesë të konsiderueshme rurale.

Për punësimin, institucioni i bashkisë është ndër të vetmit që i ka dhënë akses punësimit të qytetarëve, duke përshtatur strukturën e saj për përfshirjen e gjithë kategorive me arsim të ndryshëm. Gjithashtu prioritet bashkia i ka dhënë punësimit të të rinjve, të cilët janë kthyer nga studimet për të jetuar këtu dhe janë bërë pjesë e administratës së bashkisë. Pa dyshim që punësimi është një problem që asnjëherë nuk përfundon por bashkia ka projekte konkrete për nxitjen e tij, të cilat priten të finalizohen së shpejti.

Për sa i përket bujqësisë, aktualisht ne kemi evidentuar në çdo fshat problemet që qytetarët kanë me zaptimin e tokave, bllokimin e rrugëve lidhëse të arave, por njëkohësisht kemi zgjidhur disa prej tyre, siç është krijimi i lehtësirave për transportimin e produkteve bujqësore duke i pajisur fermerët me vërtetime/kartë fermeri, etj.

Mbetet problematik infrastruktura rrugore për lidhjen e qendrës së re administrative Poliçan me dy njësitë e tjera dhe rrugët e fshatrave. Së fundmi, bashkia ka blerë mjete të mekanizuara si rul fadrome, skrep kamion, të cilat jua kemi vëne në dispozicion gjithë fshatrave për pastrimin e rrugëve të arave, pastrimin e kanaleve ujitëse dhe vaditëse. Së shpejti do të fillojmë rikonstruktimin total të rrugëve të dy njësive administrative për zgjerimin e tyre dhe njëkohësisht kemi kanalizuar projekte konkrete me partner-privat dhe institucione të ndryshme, të cilat do të investojnë në përmirësimin e infrastrukturës kryesisht në fshatrat turistik Kapinovë, Lybesh, Tomorr etj.

Çfarë ka bërë dhe do të bëjë bashkia për vënien në punë të shumë reparteve të Uzinës Mekanike?

Çështja e kombinatit mekanik është një ndër sfidat e mia morale dhe personale për këtë komunitet, jo vetëm për hir të sakrificës së prindërve tanë që punuan me vite dhe u sakrifikuan për të, por edhe për faktin se Kombinati Meknaik Poliçan është e vetmja pasuri e këtij komuniteti. Jo më larg se dy muaj më parë, ne arritëm të ndalonim shitjen për interesa të caktuara private të këtij kombinati, gjë e cila është pasqyruar edhe në mediat e shkruara dhe elektronike.

Kërkesat e mia si kryetar, dhe të vetë institucionit të bashkisë, që nga viti 2003 kanë qenë të panumërta për kalimin e kombinatit në përdorim ose pronësi të Bashkisë Poliçan për të materializuar një sërë projektesh konkrete, që do ta kthenin kombinatin në një destinacion turistik-muzeal tepër atraktiv, duke qenë se aktiviteti i tij për prodhim ushtarak ka përfunduar dhe është i pakthyeshëm. Gjithmonë bashkia është refuzuar dhe ky kombinat është degraduar çdo ditë e më shumë duke u lënë në mëshirë të fatit.

Çfarë do të bëjë bashkia për zgjidhjen e problemit të mbetjeve urbane, pasi nuk ka ende shesh depozitimi?

Aktualisht kemi bërë pajisjen e të gjitha zonave me kontenierë për grumbullimin e mbetjeve rurale dhe sistemimin e tyre me makineri teknologjike, si dhe janë marrë masa për rrethimin dhe sistemin e një vend-depozitimi provizor. Jemi duke punuar mbi një projekt në rang qarku, i cili konsiston në krijimin e një vend depozitimi për të gjitha bashkitë e Qarkut Berat, sipas standardeve europiane dhe rregullave ekologjike mjedisore.

Çfarë do të bëjë bashkia për zhvillimin e mëtejshëm të turizmit të zonës?

Bashkia e re e Poliçan ka një sërë atraksionesh turistike, të panjohura më parë, ku mund të përmendim turizmin malor në Malin e Tomorrit dhe hijen e Ballollit, turizmin historiko e kulturor me Dodonën Pellazgjike dhe historinë mistike të saj. Ka fshatra të mrekullueshëm, të cilat janë të vendosura rrëzë malit të cilat përveç pamjes piktoreske që ofrojnë kanë dhe prodhime të shkëlqyera bujqësore e blegtorale bio aq shumë të kërkuara.

Projektet tona mbi turizmin konsistojnë në krijimin e një resorti historiko-turistik, duke pasur në fokus gërshetimin e mistikes dhe tradicionales në Malin e Tomorrit, si vendi i promovimit të vlerave turistike, fetare, peizazheve te mrekullueshme malore dhe aktivitetin historike të Kombinatit Mekanik Poliçan, për ta sjellë këtë dëshmi nëpërmjet artit dhe turizmit.

Çfarë po bën bashkia për përmirësimin e infrastrukturës në zonat që ishin komuna dhe tashmë pjesë e bashkisë?

Bashkia ka prokuruar blerjen e mjeteve të mekanizuara si rul fadromë me qëllim hapjen e rrugëve të fshatrave dhe përmirësimin e infrastrukturës së tyre. Kemi filluar ndërhyrjen në disa prej segmenteve kryesore, por duke qenë se aktualisht qyteti i Poliçani është kthyer në një kantier ndërtimi në përmirësimin e brendshëm infrastrukturor të qytetin dhe rehabilitimin e shëtitores “Miqësia” fuqia dhe mjetet punëtore momentalisht janë përqendruar këtu.

Çfarë do të bëhet për rigjenerimin e pyjeve dhe zonave të gjelbra?

Nga ana jonë është punuar në ngritjen e njësive vullnetare dhe grupeve të punës së bashkisë për ruajtjen e pyjeve nga zjarri dhe nga prerjet e paligjshme. Kemi identifikuar zonat problematike të cilat ndër vite janë shpyllëzuar duke u shfrytëzuar pa kriter. Gjithashtu kemi projektin konkret për pyllëzimin me shegë dhe dafinë të kodrave përreth qytetit dhe jo vetëm, duke krijuar në këtë mënyrë një kurorë të gjelbër, e cila përveç bukurisë natyrore do të shërbejë dhe si një frymëmarrje e qytetit, por do të nxisë edhe punësimin. Njëkohësisht jemi duke punuar rreth projekteve të reja mbi sipërfaqe pyjore që na janë transferuar së fundmi.

Related posts