Ahmet Zogu është një histori që përsëritet

Ahmet Zogu është një histori që përsëritet

mesila doda

“Dy fjalë për “Ahmet Zogun” e Blendi Fevziut” nga Mesila Doda

Janë të rralla personazhet që mbulohen me një tis trishtimi e harrese si ai i Ahmet Zogut. Kur ishim nxënës shkollash rreth viteve 70’-80’ historiografia komuniste na thoshte fare pak për “të vetquajturin” Mbret të Shqiptarve, Ahmet Zogun. Dinim që iku dhe grabiti arin e Shqipërisë dhe kaq…pjesa tjetër është shënim tek mitet e mbrapshta të këtij vendi.
Përgjatë viteve të mëvonshme, ish-mbreti u shfaq herë me transmetimin e emocionit të shtetformuesit e herë me shenjën e tradhëtarit që merr arratinë pas një sërë ngjarjesh thuajse surreale.
Në të vërtetë Ahmet Zogu, është shumë më tepër se kaq. Nese lexon përshkrimin e Fevziut nuk lexon një kërkim shkencor, është e vërtetë; nuk je as brenda një skenari fiction, por pak nga pak shijon ngjarjet e mbara e të mbrapshta të fillimshekullit të kaluar. A.Zogu shfaqet një i ri gjenial, patriot e idealist dhe më pas politikan i paskrupullt, mbret i lodhur, hije që bredh me valixhet e rënda rrugëve të Europës. Themelues i shtetit modern shqiptar, shpëtimtar i një Shqipërie që sulmohej ushtarakisht nga fqinjët, krijues i një infrastrukture juridike, ekonomike financiare e sociale si askush më parë, e më pas lëshues i vendit ditën më tragjike të tij, mizor dhe diplomat, oriental e perendimor njëherësh…ai bëhet mishërimi njerzor i kundërshtive që shënjuan e që e trondisin edhe sot atdheun e tij, kapërcyell mes Lindjes dhe Perëndimit.
Sigurisht që secili lexues e përjeton sipas mënyrës së tij informacionin mbi shtetarët e mëdhenj të atdheut të vet. Ish-mbreti arrin të krijojë një marrdhënie personale me sejcilin prej nesh. Tek ai gjejmë pak Shqipëri të harruar, gjejmë ëndrra rinore e figura heroike që nuk hasen më kund, gjejmë etje pushtetarësh e çmim korrupsioni që ushqehet e rritet në këtë tokë si askund tjetër, gjejmë arkitetekturën e një shteti modern që veç gjenitë mund ta projektonin dhe jetësonin. Tek e fundit politikanët(burra) do gjejnë nga pak veten, kush më shumë e kush më pak bart brenda vetes diçka nga ëndrrat dhe marritë e Mbretit Zog. Dhe më së fundi gjithkush arrin të kuptojë që loja e fatit është shumë,shumë më fuqiplotë se të gjithë ne…Një mbret që shkëlqen e mahnit kur është pak më shumë se një fëmijë dhe venitet e kthehet muhaxhir kur është burrë me një barrë mend. Ndofta është mallkim i kësaj toke, shpëton kur është në zgrip të egzistencës e më pas konsumon pa asnjë shkak veten.
Ahmet Zogu, është shqiptari që themeloi një shtet modern dhe më pas çbëri krijesën e vet, pak nga egoizmi, pak nga vetmia ku con pushteti absolut e pak nga loja e mbrapshtë e fatit….Ahmet Zogu është një histori që përsëritet…

Related posts