Alarm: Epidemia e nderit po bën kërdinë

Alarm: Epidemia e nderit po bën kërdinë

Një epidemi e paparë me-nderimesh ka shpërthyer kohët e fundit në Shqipëri. Turma njerëzish po shpallen qytetarë nderi nëpër qytete e fshatra, ndërsa një lumë titujsh honorifikë kanë vërshuar nga ministritë dhe Presidenca. Të dhënat flasin për një rritje të çmimit të bakrit krahas numrit të teneqexhinjve. Me këto ritme zor se ka për të mbetur shqiptar pa qenë qytetar nderi, por edhe po mbeti, mund të ngushëllohet duke u rreshtuar te kategoria e të doktoruarve.

Bosi i FSHF-së e fitoi këtë titull në qytetin e Gjirokastrës, si rrallë herë dorëlëshuar, pasi në Beograd morëm bananen nga Lindja dhe Perëndimi. Bashkia e Elbasanit ia akordoi titullin ambasadorit Arvizu, ngaqë e pati me shumë merak ta sillte sakarinën në Shqipëri, që më pas Metalurgjiku i rilindur të mund ta kthente në sapunin e brendit Erjon Braçe. Jo më pak interesante janë rastet e bashkive të Beratit, Kuçovës dhe Durrësit për ish-presidentin Moisiu, ai i Tiranës për ish-Ministrin e Jashtëm italian Franco Frattini etj.

Ç’të thuash për me-nderimet e fundit të Presidencës apo ato të Ministrisë së Mbrojtjes, me rastin e 28,5 Nëntorit? Flitet se Mimi Kodheli ka dekoruar (mbani frymën) 1000 persona, me rastin e festimeve. Lista e plotë mbahet e fshehtë dhe shumica e të dekoruarve janë nderuar në mënyrë sekrete. A mund t’ia kalojë Rilindja Iluminizmit? Mund të duket se Matteo Mandalà ka lidhje me Luftën e Dytë Botërore (apo me 1912) aq sa ka kjo Luftë me të famshmen Luftë të Karkalecave, por gaboheni sepse me vigjilencën e tij ai zbuloi dhe më pas publikoi në parathënien e Mosmarrëveshjeve të Kadaresë ‘bandën intelektualoide’ dhe ‘llokajën kutërbuese’ të ‘çmitizuesve’, të ‘albanologëve të rinj’ e ‘dumbabistë’. Për një kontribut të tillë shkencor andej nga Siçilia e Mandala-së thonë ‘minchia’, kurse më në veri thonë ‘Mandalo a fan culo’, ndërsa Presidenca jonë e ndriçuar e siglon me-nderimin e shkencës.

Kemi edhe fenomene të tilla si ai i Kristo Frashërit që nuk e mban mend as vetë në sa qytete e fshatra është qytetar nderi. Bamir Topi është shpallur qytetar nderi në Rrëshen. Ballshi nderoi Feçor Shehun, sigurisht për profesionalizmin e lartë në teknikat e masazhit dhe kampet e pushimit. Ndër më interesantët ishte titulli ndaj filozofit italian Antonio Gramsci, akorduar nga Bashkia e Gramshit për shkak të mbiemrit. Për të njëjtën arsye, atë të përputhjes së mbiemrit me territorin dhe trendin e pushtetit, shpresojmë të mos lihet në harresë Ornella Muti.

Epidemia duket se po kalon në Kosovë. Prej këndej vjen lajmi se Gjilani ka shpallur qytetar nderi Ilir Metën, për stoicizmin e lartë të treguar ndaj joshjeve të Prifitit mëkatar. Më parë ka qenë Lulëzim Basha që është nderuar me këtë titull nga komuna e Deçanit. E njëjta gjë ka ndodhur edhe te shqiptarët e Serbisë, ku komuna e Preshevës nderoi Edi Ramën.

Studiuesit janë të paqartë lidhur me shkaqet e kësaj epidemie. Flitet se kjo nevojë e parezistueshme për të nderuar të tjerët e për t’u nderuar edhe vetë me to, vjen për arsye klimaterike. Një numër i madh syresh mbrojnë pikëpamjen se është ngrohja globale që ndikon në shkrirjen e dhjamërave të egocentrizmit akut tek njerëzit vanitozë, duke çliruar presion mbi ndërgjegjen dhe nevojën për të qenë dikush, ose për të pasur dikë tëndin që është dikush, kushdo qoftë ky. Por shumë të tjerë e kundërshtojnë këtë me argumentin se sëmundja shpesh është shfaqur e fortë edhe në zona jo fort të nxehta, me temperatura të ngritura vetëm nga rakia dhe ku efektet e ndotjeve industriale janë më të pakta, si p.sh. Skrapari, ku populli i ka thurur këngë birit të tij, e bashkë me të edhe birkurvizmit në politikë.

Ka zëra që thonë se virusi është produkt vendi, i shfaqur në forma embrionale që herët në baladat popullore epike, në eposin e kreshnikëve apo edhe në Kanunin e Maleve. Shprehje të tilla si «shqiptari rron për një nder» apo «nderi nuk blihet me para» janë shenja të pastra të aktivitetit të origjinës, që më vonë evoluoi në shprehje të tilla si «pash nderin» apo «me ner motre». Kjo ka bërë që shqiptarët edhe kur dikush iu ofron të tjerëve favore korruptive ta konsiderojnë këtë si vlerë, sepse fundja: «ai është njeri që bën ndere».

Ps. Nërkohë që ky raportim po bëhej gati për t’u botuar, marrim vesh se Ministria e Mbrojtjes ka dekoruar me «medalje mirnjohjeje» Vito Kapon. Nuk kemi koment për këtë, por sugjerojmë që, për siguri, ndoshta do të duhet të mbajmë maskë mbrojtjeje ndaj virueseve kur dalim në mjedise publike. Sido që të jetë, të paktën do shpëtojë nga era e qelbur që kutërbon ngado.

 

PostBllok

Related posts