Apeli publik i akademikëve: Të parandalojmë krizën e rëndë politike, ekonomike e sociale që kërcënon të sotmen dhe të ardhmen tonë

Apeli publik i akademikëve: Të parandalojmë krizën e rëndë politike, ekonomike e sociale që kërcënon të sotmen dhe të ardhmen tonë

Një grup akademikësh, së bashku me Prof.Dr. Arben Malaj, ish ministër i financave dhe president nderi i Institutit për Politikat Publike dhe Qeverisjen e Mirë  u ka dërguar një apel publik Partive Politike dhe Politikanëve, Universiteteve dhe mjediseve akademike e shkencore, Institucioneve publike dhe Shoqërisë Civile.

Në këtë apel, Malaj bën thirrje për  ndërgjegjësimin, marrjen e masave dhe parandalimin e një krize të rëndë politike, ekonomike e sociale që  kërcënon të sotmen dhe të ardhmen tonë. Sipas tij, nëse kriza vazhdon, mund të dëmtojë rëndë ekonominë, të përshpejtojë ikjen massive, të rrisë varfërinë, përkeqësojë skemën e pensioneve dhe të rrezikojë stabilitetin e financave publike.

Në apel thuhet:

“Të ndërgjegjshëm për risqet në rritje  të një krize të rëndë politiko-institucionale, besimi te demokracia dhe ekonomia funksionale e tregut, te ekonomia dhe financat e vendit, pasojat e të cilës mund të jenë të rënda dhe afat-gjata, nën përgjegjësinë intelektuale e profesionale ndaj vendit dhe në detyrim mirënjohës  ndaj popullit tonë, ju drejtojmë këtë apel publik.

Bazuar në  analizat profesionale të treguesve thelbësorë të ekonomisë dhe financave publike të vendit, të paralajmërimeve publike dhe të përsëritura të disa institucioneve financiare ndërkombëtare, vlerësojmë dhe apelojmë se  është kritike të identifikohet dhe arrihet sa më parë një marrëveshje politike, fillimisht për të ndalur përkeqësimin, dhe më pas marrjen  e masave dhe zbatimin e reformave thelbësore për një zhvillim ekonomiko-social eficent e të qëndrueshëm.

Sot, ekonomia shqiptare nuk ndikohet kryesisht apo vetëm nëpërmjet politikave ekonomike, monetare dhe fiskale, por sidomos nëpërmjet besimit dhe pritshmërive që individët, bizneset, të rrinjtë,  konsumatorët, investitorët, etj, kanë dhe krijojnë për të ardhmen e vendit.

Kriza mund të vazhdojë të :

  • nxisë dhe përshpejtojë braktisje masive të vendit, jo vetëm nga të rrinjtë, por dhe nga shtresa e grupe te tjera sociale e profesionale;
  • përkeqësojë deficitin demografik duke na shtyrë drejt pakësimit dhe plakjes së popullsisë,
  • varfërojë dhe uli cilësitë e kapitalit human dhe social,
  • krijojë mungesë të fuqisë punëtore dhe ekspertizës së kualifikuar,
  • përkeqësojë destabilitetin dhe deficitin e skemave të pensioneve,
  • ngadalësojë investimet e huaja ,
  • nxisë e stimulojë uljen e konsumit dhe të investimeve,
  • rrisë deficitin buxhetor dhe borxhin publik
  • rrezikojë stabilitetin e finacave publike, të cilat mund ta përshpejtojnë, e bëjnë më të rëndë dhe më të gjatë peshën krizës.

Eksperienca kombëtare e ndërkombëtare na dëshmojnë se Krizat  reduktojnë mundësitë që politikat ekonomiko-financiare dhe zhvillimit të përcjellin në kohë reale  efektet e ndërhyrjeve dhe reformave strukturore në ekonomi, ndërhyrje që rezultojnë konjukturore dhe me efekte afat-shkurtra, që mund të zbusin por nuk i shërojnë rrënjët e krizave tona, të cilat kërcënojnë të rrikthehen më të ashpra dhe me kosto të rënda.

Kriza e mungesës së besimit tek institucionet politike, ligjore e administrative, dhe përkeqësimi i saj nga zhvillimet aktuale do të provokojë një rënie më të thellë  ekonomike e financiare,  rritje të papunësisë dhe varfërisë, ulje të fuqisë blerëse, konsumit e mirëqënies, duke rrezikuar përkeqësimin e kohezionit tonë social.

Një ekonomi me tendenca ngadalësimi  që rrezikohet të shkojë drejt krizës, redukton të ardhurat dhe aktorët ekonomikë që kontribuojnë në to, kërkon rritje të vazhdueshme të presioneve fiskale dhe fondeve buxhetore, pasi numri individëve dhe familjeve  që kërkojnë ndihmë dhe asistence sociale fillon dhe rritet, duke rritur  borxhet individuale, borxhet e bizneseve, dhe borxhin publik të vendit.

Strategjia më e mirë dhe pergjegjësia më e madhe jo vetëm e politikanëve dhe institucioneve qëndrore të vendit, por sidomos e te rrinjve, akademikëve dhe  shoqërisë civile është të angazhohen, të përkushtohen dhe të imponojmë  në mënyrë demkratike arritjen e një marrëvshje politike që e parandalon krizën politike, ekonomike e sociale që po afrohet përditë dhe më shumë.

Kur krizat nuk parandalohen në kohë, efektet e tyre  rriten me shpejtësinë dhe madhësinë e ortekut , shkatërojnë cfarë gjejnë përpara dhe prodhojnë efekte shumë negative për shoqërinë. Ky është realiteti i hidhur që vjen  nga historia 2-3 shekullore e krizave, por që është i freskët  edhe nga kriza financiare globale e vitit 2008, ku papuësia mesatare arriti mbi 25% dhe papunësia për të rrinjtë mbi 50%, përfshirë këtu dhe të rinjtë e mirëarsimuar.

Historia e krizës së fundit dhe  prekja rëndë e shumë vendeve evropiane e rajoneve të tjera të botës prej saj,  na mëson se, nqs ne nuk do ti bëjmë reformat e thella politike, reformat e thella ekonomike sociale dhe buxhetore (duke marrë në konsideratë dhe kostot e tyre fillestare të hidhura), nqs nuk i bëjme në kohën e duhur, me vizionin dhe qartësinë e  duhur, me përkushtimin e duhur, ne do ti fshehim problemet tona, do të ushqejmë populizmin dhe euforinë boshe, por pa dyshim një ditë, sado vonë qoftë ajo, taksapaguesit, pensionistet, përfituesit e asistencës sociale, njerëzit e varfër dhe shtresat me vulnerable të shoqerisë tonë  do ti paguajmë rëndë kostot jo vetëm buxhetore të  dështimeve tona. Greqia dhe Italia dy vende fqinjë dhe partnere kryesore në ekonomi, janë shembujë konkrete nga të cilët ne duhet të mësojmë për kostot e rënda dhe të gjata  të deshtimeve për shkak të mungesës së refomave strukturore e thelbësore afat-gjata.

Kthimi i një vendi,  apo dhe i ekonomisë globale në treguesit  e rritjes se lartë ekonomike dhe borxheve të ulta  të  para krizës globale, kërkon disa vite, vite ku masat shtrënguese qoftë edhe përkohësisht, i bëjnë të varfërit edhe më të varfër

Paketat fiskale për të ulur borxhin publik në nivele të pranueshme e optimale që ai të jetë i shëndetshëm për të ushqyer një rritje ekonomike më të lartë, të qëndrueshme e cilësore, nëpërmjet investimeve inteligjente në ekonomi, kryesisht në ekonominë e dijes, ekonominë e gjelbërt, ekonominë e energjisë, inovacioneve dhe teknollogjive moderne,  impononjnë politika e këndvështrime të reja bashkëkohore për politikat fiskale, klimën e biznesit, pagat, pensionet, asistencën sociale, investimet publike, etj.

Sipas studimeve, rrikthimi i stabilitetit të financave publike nëpërmjet paketave shtrënguese, synohet të arrihet 30% nga rritja e  taksave dhe 70% nga shkurtimi i shpenzimeve, cka e ngarkon  barrën e krizave  tek taksapaguesit e vegjël dhe të mesëm dhe tek  shtresat më të varfëra të shoqërisë.

Eksperiencat në parandalimin dhe manaxhimin e krizave  vlerësojmë se, edhe pse në aspektin ndër-partiak arritja e një marrëveshje për reforma të thella strukturore  për ndërtimin e një demokracie dhe ekonomie funksionale, për një konsensus të domosdoshëm në linjat kryesore të zhvillimit strategjik afast-gjata të vendit, që fillon nga ndarja, balanca dhe kontrolli i pushteteve, që bazohet në reduktimin e deficitit demokratik,  që garanton një shtet ligjor sa më funksional dhe efektiv … politikanët tanë duhet të ndjehen më të përgjegjshëm dhe më të përkushtuar për parandalimin e një krize të rëndë shumë dimensionale si krizë e besimit, krizë ekonomike, sociale dhe buxhetore.

Mbetemi me shpresë se opioni publik i vendit do të jetë një katalizator i dobishëm për domosdoshmërine e parandalimit të kësaj krize që gjithë një e më shumë po na afrohet.

Mbetemi me shprese se politikanët e të gjitha partive politike nën peshën e pasojave të kostove të rënda që mund të burojnë nga kjo krizë,  duhet të nxitojnë të gjejnë  zgjidhjen më të mirë që shqiptarët  meritojnë.

Në rast të kundërt, edhe kur ka rotacione politike por nuk ka reforma të thella politike dhe reforma të thella strukturore në ekonomi dhe financat publike, taksapaguesit, dhe në rradhë të parë të rrinjtë, pesionistët dhe grupet sociale e profesionale më vulnerabël do të goditen rëndë nga kriza.

Krizat e përseritura shpesh në tranzicionin tonë të veshtirë do ti varfërojnë më shumë të gjithë shqiptarët, do ti varfërojë së pari shpirtërisht se vritet shpresa për të ardhmen, ju rritet barra e kostove të dështime të qeverive të ndryshme, ju kufizohet barazia e mundësive për një jetë e vend më të mirë.

Nuk mund të ketë kurrë  një vend të pasur e të zhvilluar me një popull të varfër, e kundërta provohet në historitë e sukseshme të shumë vendeve.

Prandaj duhet të parandalojmë në kohë krizat, të krijojmë shpresë, të krijojme energji pozitive, të sfidojmë varfërinë dhe mos-zhvillimin, të pasurojmë shpirtërisht dhe ekonomikisht  njerëzit e mrekulleshëm të vendit tonë. Ky është misioni i lidershipit jo vetëm politik të një kombi, kjo duhet të jetë ëndrra dhe ambicia jonë e përditshme”, përfundon apeli i Malajt.

Related posts