Ariu i robëruar në Skrapar ia nis jetës nga e para në Bullgari

Ariu i robëruar në Skrapar ia nis jetës nga e para në Bullgari

Nga Mariya Cheresheva – BIRN

Parku i Arinjve Kërcimtar Belitsa, një strehimore në jugperëndim të Bullgarisë për rehabilitimin e arinjve të keqtrajtuar, ka lajmëruar se banori i parë nga Shqipëria ka mbërritur me sukses nga Tirana më 4 maj.

Riku, një ari 2-vjeçar i cili më parë mbahej i lidhur me zinxhirë në kopshtin e një shtëpie në një fshat të Skraparit, përpara se të shpëtohej nga organizata e kujdesit ndaj kafshëve “Four Paws” (Katër Putrat) nëntorin e shkuar, tashmë po përshtatet me kushtet e reja.

“Riku u shkëput nga natyra kur ishte i vogël, mbase pasi të ëmën ia vranë gjahtarët. Ai është trajtuar si qen,” tha për BIRN menaxheri i parkut të shpëtimit, Dimitar Ivanov.

Ai shpjegoi se pronari i ariut planifikonte ta shiste atë si një atraksion për turistët në qytetet bregdetare të Shqipërisë, ose ta përdorte atë si një ari kërcimtar, por pasi qeveria shqiptare e ndaloi pronësinë e arinjve të kaftë nga personat privatë në vitin 2015, kjo u bë e pamundur.

“Ai u përpoq ta largonte [ariun], por ai u kthye dy herë. Mbase ka qenë duke planifikuar ta vriste atë kur organizatat ndërkombëtare Four Paws e gjeti dhe e shpëtoi bashkë me Ministrinë Shqiptare të Mjedisit”, shtoi Dimitrov.

Nga nëntori, Riku u mbajt në kopshtin zoologjik të Tiranës, ndërsa përgatiteshin dokumentacionet e largimit për në Bullgari.

Riku gjatë mbërritjes në shtëpinë e re. Foto: Four Paws

Ai udhëtoi për 20 orë nga Shqipëria në Maqedoni dhe Greqi derisa arriti në shtëpinë e re në Belitsa.

Themeluar në vitin 2000 nga fondacionet Four Paws dhe Brigitte Bardot, streha që operohet ende nga Four Paës, ka 120.000 metra katrorë pyll natyror.

Ajo është shtëpi e 26 arinjve të cilëve u jepet një mundësi të marrin veten nga historitë çnjerëzore të shfrytëzimit si arinj kërcimtarë dhe të rizbulojnë instiktet e tyre natyrore.

Riku është i pari shqiptar, por jo i pari ari i huaj i shpëtuar. Në 2009, tre arinjtë e fundit kërcimtarë në Serbi u zhvendosën në park.

Ndërsa njëri nuk ia doli të jetojë, dy të tjerët vazhdojnë të shijojnë jetën e egër të parkut.

Një ari në kopshtin zoologjik të Tiranës. Mars 2017. Foto: Ivana Dervishi/BIRN

Skuadra e parkut bullgar planifikon të strehojë një tjetër kafshë shqiptare – një arushë kërcimtare 16 vjeçare e quajtur Jeta, e cili aktualisht është në kopshtin zoologjik të Tiranës.

“Me transferimin e Jetës, do t’i japim fund fenomenit të “arinjve kërcimtarë” në Ballkan,” lajmëroi Four Paës në një deklaratë.

Ndërkohë Ivanov thotë se Riku po e merr veten dhe madje ka zhvilluar preferencat ushqimore.

“I pëlqejnë mollët, ndërsa arinjtë tanë zakonisht preferojnë dardhat”, tha ai.

Përshtatja e këlyshit, i cili së shpejti do të lirohet nga izolimi, mund të zgjasë nga dhjetë ditë deri në pesë vjet, shpjegoi ai.

Related posts