Arti i kulinarisë beratase, prezantohet në Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore

Arti i kulinarisë beratase, prezantohet në Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore

Erjola Azizolli

“Parfumi dhe fantazia e gatimeve të kuzhinës së trashëguara në breza”, kështu është titulluar eventi që ka ardhur nëpërmjet gatimeve tradicionale të mjeshtrit të kulinarisë Josif Miho dhe shfaqjes së dokumentarit “Arti në kulinarinë Ilire, Berati”. Gatimet tradicionale plot shije të përgatitura nga nxënësit e shkollës profesionale “Kristo Isak” dhe Qendrës Profesionale “Leta”, nën drejtimin e mjeshtrit Miho u servirën për të pranishmit në mjediset e Muzeut Etnografik. Drejtues institucionesh vendore, vizitorë të huaj dhe vendas, nxënës shkollash u surprizuan nga shija e gatimeve të servirura, por dhe pamjet e dokumentarit, “Arti në kulinarinë Ilire, Berati” të studiuesit Ahmet Dursun dhe regjisorit Benet Nelku.

“Sot është dita kur të gjithë respektojmë kontributin e restauratorëve, arkitektëve, studiuesve dhe shkencëtarëve, bartësve të folklorit dhe artizanëve”, u shpreh në fjalën e tij Drejtori i Qendrës Kombëtare të Muzeumeve në Berat, Agron Polovina. “Përmes kësaj veprimtarie synojmë që një moment në traditën e hershme dhe shumë të njohur të artit të kulinarisë së qytetit, por dhe të përgatisim dhe servirim gatime të një vakti tradicional, të kuzhinës së familjes beratase”, tha ai.

Ai më pas ka thënë se qëllimi ishte që të sjellin vlerat dhe të veçantat e kulinarisë beratase që janë simbol i kënaqësisë, mikpritjes dhe elegancës.” Tavolina beratase i ka të gjitha ngjyrat e shijet e natyrës që duke marrë vlerat e artit vjen si traditë deri në ditët e sotme”, tha ai. Shija e gatimeve tradicionale u ngjiz bukur me mjediset e muzeut Etnografik, që ndodhet në lagjen “Mangalem”.

Related posts