Berat/ 90 milionë lekë për sistemin e rrjetit të kanalizimeve

Berat/ 90 milionë lekë për sistemin e rrjetit të kanalizimeve

Kryetari i bashkisë Berat, Petrit Sinaj, i shoqëruar nga një pjesë e stafit të vet, ka inspektuar punimet që janë duke u kryer për kanalizimin e ujërave të zeza në fshatin Drobonik, Njësia Administrative Velabisht. Ky investim, me vlerë 90 milionë lekë, kryhet me fondet e Bashkisë dhe është në fazën e përmbylljes së tij.
Për realizimin e këtij projekti është kryer një volum i madh punimesh; janë bërë gërmime për hapjen e kanaleve, janë shtrirë 924 metra linearë tuba të brinjëzuara, janë hedhur shtresa rëre nën dhe mbi tuba, janë vendosur rreth 24 puse kontrolli, janë hedhur dhe ngjeshur me makineri shtresa çakulli etj. Është hera e parë që ndërhyhet në këtë zonë për ndërtimin dhe sistemimin e rrjetit të kanalizimit të ujërave të zeza, duke zgjidhur kështu një shqetësim të vjetër të banorëve.

Droboniku, i konsideruar ndryshe si “ballkoni i Beratit”, edhe pse shtrihet përgjatë rrugës kombëtare Berat-Tepelenë, në një distancë prej 5 km nga Berati, më shumë duket larg sesa afër Beratit, për shkak të degradimit të rrugës, e cila ka krijuar vështirësi në qarkullim, duke ua pamundësuar banorëve të këtij fshati nxjerrjen e produkteve të tyre në treg, apo kryerjen e aktiviteteve të tjera.

Related posts