Berat, Këshilli Bashkiak shpall mjekun e njohur “Qytetar Nderi”

Berat, Këshilli Bashkiak shpall mjekun e njohur “Qytetar Nderi”

Në sallën e konferencave të Bashkisë së Beratit u zhvillua sot ceremonia e dhënies së titullit “QYTETAR NDERI” mjekut të njohur, z. Pandeli Çina.

Për kontributin e tij të shquar në fushën e mjekësisë, profilin shkencor dhe intelektual të nivelit të lartë, jetën e tij aktive në shërbim të qytetarëve, Këshilli Bashkiak i qytetit të Beratit i dha PROF. DR. PANDELI ÇINËS titullin “QYTETAR NDERI” i Beratit.

Pandeli Çina

Në ceremoninë e dhënies së titullit mjekut të njohur merrnin pjesë përfaqësuesit më të lartë të institucioneve vendore, përfaqësues të forcave politike, të klerit dhe të shoqatave të ndryshme, studiues, intelektualë, miq dhe të afërm të z. Çina, qytetarë etj.

Moderatori i kësaj ceremonie, z. Kadri Kuka, pasi lexoi jetëshkrimin dhe motivacionin e vlerësimit për mjekun e shquar beratas, fton Kryetarin e Bashkisë, z. Petrit Sinaj, dhe Kryetaren e Këshillit Bashkiak, znj. Nikoleta Manka, t’i dorëzojnë z. PANDELI ÇINA titullin “QYTETAR NDERI” i Beratit.

Në përshëndetjen e tij Kryetari i Bashkisë, z. Petrit Sinaj, theksoi se ndaj personaliteteve të tilla, që kanë kontribuar thuajse një jetë të tërë në shërbim të njerëzve, duke sakrifikuar gjithçka nga jeta e tyre, ne kemi detyrimin njerëzor dhe institucional për t’i vlerësuar dhe për t’u qenë mirënjohës, pasi të tillë heronj, nuk hapin vetëm një rrugë, një perspektivë, një shpresë, por ata mbeten një monument i gjallë i vlerave dhe virtyteve, te të cilët çdokush duhet të shohë shëmbëlltyrën e një modeli të përsosur njerëzor.

Ndërsa z. Çina u shpreh se ndihej i nderuar dhe i respektuar nga dhënia e titullit dhe për këtë falenderonte organizatorët e këtij eventi, të cilët e bënë atë të përjetonte një nga momentet më të bukura të jetës së tij.
Bashkëkohës dhe kolegë të tij shprehën konsideratat e tyre rreth kontributit të z. Çina jo vetëm në fushën e mjekësisë.
Në fund të ceremonisë u shtrua një koktej për pjesëmarrësit.

Related posts