Berat, pas 30 vjetësh në harresë rikonstruktohet palestra e gjimnastikës

Berat, pas 30 vjetësh në harresë rikonstruktohet palestra e gjimnastikës

Në qytetin e Beratit po vijojnë punimet për rikonstruksionin e palestrës së gjimnastikës në lagjen “Donika Kastrioti”. Vlera e investimit të financuar nga Bashkia e Beratit është 5 898 246 lekë.

Punonjësit e firmës kontraktuese janë thuajse në fazën e fundit të kryerjes së punimeve, gjatë të cilave janë realizuar; suvatime të reja brenda dhe jashtë ndërtesës, hidroizolim, shtrimi me tartan i dyshemesë, punime hidraulike dhe elektrike, ndarja e hapësirave, vendosja e saunës për sportistët, e portave të reja, si dhe lyerja me bojë e ndërtesës.

Kryebashkiaku Sinaj për këtë investim u shpreh se, “punimet për rikonstruksionin e palestrës janë në fazën e tyre finale. Ky ka qenë një ambient i degraduar, i lënë në harresë që prej 30 vitesh. Një arsye më shumë për rikonstruksionin e kësaj palestre ka qenë fakti se sportistët e gjimnastikës, edhe pse janë stërvitur në kushte të vështira, falë dëshirës dhe pasionit për këtë sport, por edhe përkushtimit të trajnerëve të tyre, kanë arritur të dominojnë kampionatin e gjimnastikës duke u shpallur për të disatën herë kampionë kombëtarë.”

Sinaj tha se, pas përfundimit të rikonstruksionit të plotë, do të punohet për vendosjen e pajisjeve të gjimnastikës, të cilat do të investohen nga Federata e Gjimnastikës.

“Specialistët tanë po e ndjekin edhe këtë hap të fundit, në mënyrë që brenda një muaji kjo palestër të jetë funksionale. Ndërkohë Drejtoria e Shërbimeve Publike do të vazhdojë me territorin jashtë godinës, për të krijuar mjedise çlodhëse jo vetëm për sportistët e gjimnastikës, por për cilindo që viziton këto ambiente. Në perspektivë do të vazhdohet me rikonstruksionin e pjesës tjetër të godinës, për disiplinat e tjera sportive, duke e kthyer këtë vend në një qendër multifunksionale të ushtrimit të sporteve të ndryshme.”

Trajneri i gjimnastikës, Shkëlqim Muhametaj, u shpreh se rikonstruksioni i palestrës, duke e shndërruar atë në një mjedis me parametra dhe standarde europiane, do të shërbente për t’i motivuar edhe më shumë sportistët e gjimnastikës, në mënyrë që edhe arritjet dhe sukseset e tyre të jenë të niveleve europiane. 

Related posts