Berat, përurohet ujësjellësi i fshatit Qereshnik

Berat, përurohet ujësjellësi i fshatit Qereshnik

Sot paradite, Kryetari i Bashkisë, z. Petrit Sinaj, bashkë me një pjesë të stafit të tij, morën pjesë në ceremoninë e përurimit të ujësjellësit të fshatit Qereshnik, Njësia Administrative Otllak.

Projekti i ujësjellësit të Qereshnikut është një investim prej 360 milion lekësh të vjetra i Bashkisë së Beratit, i cili bën të mundur sjelljen e ujit të pijshëm për banorët e fshatit Qereshnik, në lagjen Muçollas, që nga Qafë – Dardha.

Gjatësia e këtij ujësjellësi prej 8 km të tubit kryesor dhe 6.1 km të rrjetit të shpërndarjes (Depoja kryesore, V = 400 m3, ndërsa depoja e dytë, V = 100 m3), mundëson për herë të parë furnizimin me ujë të pijshëm të 200 familjeve të këtij fshati.

Kryebashkiaku Sinaj u shpreh se një nga sfidat prioritare të planifikuara në Strategjinë e Zhvillimit të Territorit të Bashkisë konsistonte në përmirësimin e infrastrukturës së rrjetit të ujit të pijshëm atje ku ai ishte amortizuar dhe ndërtimin e tij në ato zona ku ai mungonte.

Sot, – nënvizoi ai, – në kuadër të punëve konkrete, kemi mundur të realizojmë një kërkesë të kahershme të banorëve të Qereshnikut, duke iu garantuar atyre furnizimin me ujë të pijshëm përmes një rrjeti të ndërtuar nga e para, e duke mbajtur njëkohësisht një premtim të bërë ndaj këtij komuniteti.

Related posts