Braçja i mistershëm nga Skrapari

Braçja i mistershëm nga Skrapari

Nga Edison YPI – 

Kompania kundërajrore ishte vendosur ku fusha e aviacionit prek lagjen Çole të Vlorës. Unë dhe Braçja nuk bënim stërvitje, nuk mbanim pushkë, kundragaz, helmetë. Punonim në prapavijë, unë tornitor, Braçja murator. Braçja rrinte mënjanë në një vetmi krenare dhe kërcënuese, çka Braçen e bënte të mistershëm, të largët, të paarritshëm.

Braçja ishte skraparlli nga “Tre Avgatë”. Gjyshja ime ishte skraparlleshë nga Veleshnja. Ishte ndoshta kjo arësyeja që i vetmi me të cilin Braçja këmbente ndonjë fjalë isha unë. Mua nuk më vinin të bëja roje. Nuk kishin besim. Më konsideronin armik. Kisha një kushuri që stërviste diversanta në Gjermani.

Braçja më kishte thënë se kishte një xhaxha të pushkatuar. Megjithatë, ndoshta sepse vinte nga një fshat i thellë dhe nuk e dinin ose nuk i jepnin rëndësi, Braçen e vinin ndonjëherë të bënte roje, te depot e karburantit, magazinat e municioneve, natën rretherrotull kapanonit etj. Kur i thoshin Braçes të bënte roje, Braçja bëhej keq, sëkëlldisesj. Vinte më thoshte; Nuk jam unë për këto gjëra. Unë jam çoban,ruaj bagëtinë, dal livadheve, dëgjoj këngët e zogjve, fëshfërimat e pyllit, gurgullimat e përroit.

Më ka mësuar babai të bëj gardh, mur, suva, tavan. Armët e mia janë sqepari, mistria. Ja kjo është koburja ime, thoshte Braçja, dhe më tregonte sqeparin që e mbante gjithë kohës në brez. Aman o Braçe, i thosha, aman mos bëj naze se do marrësh veten më qafë me këto lakra që ke në kokë. Nuk po të them të bëhesh marksist. Po të them të përmbahesh pak. Nuk bindej Braçja. E kishte tmerr kur e vinin të bënte roje mbi Vendkomandë.

Vendkomanda ishte një ngrehinë e ulët kuadratike gjysëm nën tokë në sheshin para fjetores. Brenda saj rrinin dy telegrafista që merrnin e jepnin urdhëra. Vendkomanda mbulohej nga një terracë betoni nja dhjetë metra e gjatë, pesë metra e gjërë. Mbi terracën e Vendkomandës rrinte natë e ditë një roje me pushkë, helmetë, dylbi. Roja që ndërrohej çdo tre orë, duhej të vëzhgonte qiellin dhe të lajmëronte kur të afrohej ndonjë avion armik, një çmenduri e pashoqe.

Ishte ora nja dhjetë paradite. Na kishin mbledhur tek “Dhoma e Kulturës” për të bërë atë që e quanin “Ora e edukimit politik”. Komandanti i kompanisë, një vlonjat faqekuq me emrin Nasho rrihte të tërhiqte vëmendjen e ushtarëve të përgjumur e të uritur për rrezikun ushtarak imperialisto-revizionist. Fol e fol Nashua, kur nga jashtë erdhi një goditje e shkurtër, një “gup” e thellë, e mbytur. Pas pak çastesh hyri pa trokitur njëri nga telegrafistat e Vendkomandës. J’u afrua Nashos i tha diçka në vesh. Dolën të dy jashtë duke u kujdesur të mbyllnin derën nga pas.

Pas nja gjysëm ore u muar vesh çfarë kishte ndodhur. Pak minuta para se ta mbaronte shërbimin e rojës mbi venkomandë, Braçja kishte mbështetur qytën e pushkës mbi beton, grykën në zemër, dhe e kishte shkrepur.
Atë pasdite ushtarët e kompanisë i morën në spital për të dhënë gjak për Braçen. Mua jo. Mua nuk më thirrën. Gjaku im prej armiku nuk u duhej as për Braçen me xhaxha të pushkatuar.

Ngjarja e kobshme mbeti e shurdhët sikur nuk kishte ndodhur asgjë. Pas ca ditësh u muar vesh se Braçja kishte vdekur në vend me kraharor të shqyer. Pyetja; Pse morën gjak për një të vdekur ? na shkaktoi një habi të frikëshme që na mbajti pezull disa muaj.

Një mjek vlonjat që vinte në atë repart për të bërë Zbor dhe fliste nën zë për libra dhe kanconeta, sipas të cilit, jeta pa lexuar të paktën një roman në muaj, pa ditur t’i bijesh një vegle muzikore, pa pasur një dashnore, nuk është jetë por ferr, ma zbuloi misterin e marrjes së gjakut. Gjaku që morëm për Braçen që vdiq në vend, më tha mjeku, ju desh spitalit për të tjerë “Braçe” që tentojnë të vetvriten por nuk vdesin në çast.

Related posts