Busti i flijimit në Urën e Goricës

Busti i flijimit në Urën e Goricës

Nga Kastriot Dervishi

Deri më tani ky bust ka qënë i njohur vetëm si gojëdhënë, por jo si bust burri por si një statuje femre e flijuar në Urën e Goricës. Ka pasur gjithmonë një gojëdhënë për flijimin në urën e Goricës të cilën e ka shkruar edhe Eqerem Bej Vlora në vitin 1911. Me mjaft interes është “Busti i burrit “ i Urës së Goricës” i gjetur në vitin 1923. Kjo vepër është publikuar nga etnografia, fotografia dhe antropologia skoceze, Margaret Hasluck në botimin të saj në vitin 1946. Ajo boton në revistën “Man”, botim i Institutit Antropologjik të Britanisë së Madhe dhe Irlandës, artikullin me titull ”Thë bust of Berat” (Busti i Beratit). “Busti i Beratit” është një fakt i njohur në Berat, por nuk ka pasur saktësi në identifikimin e tij në bust femre apo djali, pasi nuk ka pasur foto dhe të dhëna për të. Në vitin 1923 Bashkia e Beratit restauroi Urën e Goricës e dëmtuar nga austro-hungarezët  gjatë largimit të tyre nga Berati në vitin 1918. Bashkia e restauroi dhe e zgjeroi me beton por humbi shumë nga bukuria e saj. Duke vendosur skelën e parë poshtë një këmbe ata gjetën bustin. Punonjësit e rindërtimit të urës ja dorëzuan autoriteteve gjetjen dhe më pas ai u dërgua për ekspozim në Muzeun Kombëtar në Tiranë i cili ishte ngritur për herë të parë në vitin 1922. Studiuesja skoceze studimin e ka kryer në vitin 1933 pikërisht në këtë muze, me rekomandimin e Lef Nosit, intelektual, atdhetar, politikan dhe studiues nga Elbasani.

            Janë mjaft të njohura format e sakrificës për ne shqiptarët dhe gjithë ballkanin në një ndërtimin të ri. Për të pasur një qëndrueshmëri në ndërtimin e tyre sakrifikohet një dele a një pulë si një formë e thjeshtë e sakrificës. Në kohët më të hershme nuk kishte sacrificë me dele a pulë, por me një qënie njerëzore.

Legjenda e Rozafës është më popullorja në Shqipëri. Mbi këtë teori  është krijuar edhe busti i Beratit i gjendur në një nga këmbët e Urës së Goricës. Edhe sot akoma ruhet riti i flijimit në Berat. Në raste fatëkeqsie apo aksidentesh njerëzit sakrifikojnë zakonisht një pulë të zezë në vendin e ngjarjes, me besimin se do të largojnë të këqijat. Ky rit ende vazhdon në fillimin e ndërtimimeve të shtëpive të reja ku sakrifikohen dele ose pulë në emër të rezistencës dhe forcës së themeleve të shtëpisë.

Për flijimin në Urën e Goricës ka shkruar edhe Eqerem bej Vlora në ditarin e tij “Nga Berati në Tomorr dhe kthim” dhe në kujtimet e përmbledhura në vitin 2003 shkruhet: “Thuhet se këmbët e urës nuk mbanin. Kurt Ahmet Pasha pyeti dijetarët e kohës për shkakun dhe i thanë se shpirtrat e këqij kërkonin një theror njerëzor. Atëhere një grua u muros në një kamare ku ajo vdiq nga uria. Ta tregojnë sot vendin: në këmbëzën e parë, pak përmbi ujë, shihet një dritarëzë me hekura që I jep dritë një kthine të vockël”.

Kjo është gojëdhëna që ka qarkulluar dhe qarkullon akoma për ndërtimin e Urës së Goricës, por në rastin konkret edhe historia e bustit është e vërtetë dhe e njohur por për gjetjen e një statuje femre. Askush nuk flet që busti i gjetur është bust i një burri, edhe pse kjo vepër ka qënë e ekspozuar në Muzeun Kombëtar në Tiranë.

            Në atmosferën e vështirë të kohës, bëhet fjalë për në vitin 1780, Hasluck mendon se skulptori do të kishte frikë të bënte portret gruaje pasi në publik do të mendohej se ish gruaja e tij, të njëjtin risk do të merrte një kristian apo një musliman. Në këto kushte të vështira Ahmed Kurt Pasha urdhroi skulptorin të bëjë kokë burri me shpresë se shpitërat e keqij nuk do ta zbulonin mashtrimin. Nëse është apo jo ky shpjegimi, busti  i Beratit na çon një hap më afër sakrifices njerëzore e cila është një zë me shumë, se urat në Ballkan mendohet se flasin.

            Për autorësinë e bustit Margaret Hasluck shkruan se Lef Nosi i kish treguar se autori është Usta Zeneli nga Elbasani, usta shtëpish me reputacion si gjithë mjeshtrat e tjerë në ballkan, ndërtonte, punonte drurin dhe gurin. Margaret Hasluck e përshkruan saktë bustin: “Busti është realizuar në dru meni të gdhendur, fytyrën, qafën, supet dhe bazamenti afër janë të punuar më imët. Buzët, faqet, vetullat dhe hunda kanë qenë pikturuar me të kuqe dhe sytë në kafe të errët, në të zeze, flokët nuk kanë qenë të ngjyrosur. Busti ka qenë i pikturuar me të zezë të mustaqet, janë tre vrima gozhdësh në mjekër që mendoj se kanë vendosur mjekër leshi në të. Floku është i shkurtër dhe nuk ka shenja që të mund të kenë vendosur flokë për ta kthyer në femër. Skulptori ka gdhendur në përgjithësi një portret tip shqiptari. Nuk ka ndonjë shenjë veshjeje.

Related posts