Çfarë i mungon kryesisë së re të Lulzim Bashës

Çfarë i mungon kryesisë së re të Lulzim Bashës

Nga Armand Shkullaku

Lulzim Basha është përndjekur shpesh nga një opinion sipas të cilit, karriera e tij në PD më shumë sesa meritë personale ishte investim i kryetarit. Ky opinion bazohej tek afërsia e Bashës me Berishën dhe tek koha e shkurtër e ngjitjes së yllit të tij në politikën shqiptare. Unë kam bërë pjesë tek ata që mendonin se ngjitja e Bashës ka qenë në radhë të parë meritë e betejave publike të tij, kryesisht gjatë vitit 2004, ku për shkak të profilit të ri dhe aftësisë debatuese, ia doli të shndërrohej në një simbol të fytyrës së re të PD.

Nuk ndaja opinionin bajat të gjithhershëm që i refuzonte të rinjtë apriori sipas qesëndisjes së vjetër: “u bënë këta, sa erdhën dhe i duan të gjitha, të presin njëherë, ka të tjerë këtu…”. Pas Bashës, edhe shumë personazhe të reja të KOP u angazhuan dhe u bënë të njohur në përballje të forta, duke krijuar personalitetin e tyre publik.

Në atë kohë, për të rinjtë e PD mund të vihej bast që do t’i fitonin direkt sfidat elektorale të vitit 2005, ku sistemi ishte mazhoritar. Dhe një pjesë e tyre fituan kundrejt figurave shumë të njohura të së majtës. Qytetarët i votëbesuan sigurisht edhe si të zgjedhur të Berishës, por edhe si individë me ambicie dhe angazhim konkret në betejat e opozitës.

Sot Lulzim Basha ka kryesinë e tij të re me të cilën do të drejtojë Partinë Demokratike. Më shumë se kushdo, ai vetë, e di peshën e paragjykimit për rishtarët në politikë. Ashtu siç e di, se për t’i rrëzuar këto paragjykime duhen dëshmi të forta, angazhim i njohur, personalitet publik dhe identitet politik. Për fat të keq, një pjesë e mirë e drejtuesve të rinj të PD nuk ka asgjë nga këto.

Madje edhe disa nga të vjetrit nuk mbahen mend për ndonjë identitet të spikatur politik. Kryesia e re duket më shumë e emëruar se sa e merituar. Numërohen me gishtat e njërës dorë emrat e atyre të rinjve që janë të njohur për publikun, qoftë profesionalisht, qoftë politikisht apo në ndonjë angazhim tjetër qytetar.

Të rinjtë që Basha ka sot rreth vetes janë që në nisje të dënuar për të qenë “të zgjedhurit e kryetarit” dhe jo të votëbesuarit e demokratëve. Madje këta kanë mbi vete edhe dilemën se të zgjedhurit e cilit kryetar janë, të atij historik apo të atij aktual. Mungesa e një dëshmie publike rrezikon t’i deformojë që në pikënisje figurat e reja të Partisë Demokratike.

Karrierën e tyre, ata më shumë do ia dinë si favor kryetarit sesa aftësisë profesionale. Ngjizja e së ardhmes së tyre politike është e shënjuar nga mungesa e identitetit personal e për rrjedhojë ajo do të orbitojë rreth humorit të të parit të partisë. Ata nuk do të kenë problem gjykimin e publikut, por pëlqimin e kryetarit. Është fenomen i njohur që njerëzit, të cilët nuk kanë një profil të tyrin publik, që nuk kanë një vepër apo angazhim qytetar, e kanë më të lehtë të shkelin mbi vete dhe t’i shërbejnë vullnetit të të parit përpara vullnetit të zgjedhësve. Duke qenë se bëjnë përpara jo falë konkurrencës, por falë afërsisë apo shërbimit ndaj liderit, është ky i fundit dhe jo publiku ai që u intereson.

Një shembull për këtë Basha e ka patur jo vetëm tek përvoja personale, por edhe tek përvoja e kundërshtarit. Edi Rama në krye të PS bëri pikërisht të njëjtën gjë. Zgjodhi të rinj që ishin anonimë për publikun, por besnikë ndaj tij. Duke vrarë garën si dëshmi vlerash brenda partisë dhe duke e kthyer atë në garë dëshmie të dashurisë ndaj liderit, PS u bë si serat e Lushnjes që rrisin kastravecë me hormone.

Të gjithë të rinjtë afër Ramës, edhe sot janë pa identitet të tyrin politik. Flasin si Rama, lëvizin duart si Rama, qeshin si Rama, tundin kokën si Rama. I keni parë besoj Shalsin, Tahirin, Ballën, Veliajn etj., që ngjajnë si replika të vogla të kryetarit të gjatë. E me siguri këta i ka parë dhe Basha që të mos përsëriste të njëjtin fenomen. Por kryesia e tij e re duket e shënjuar që në thelb të mos ketë të rinj. Të rinj si politikanë, jo si moshë. Madje edhe ndonjë nga të vjetrit në moshë që mbeti në kryesi, njihet më shumë si imitues i Berishës sesa si personalitet politik.

Eliminimi i konkurrencës, i provës, i rritjes publike të individit prodhon një klimë ku rriten servilë dhe jo personalitete politike. Raporti me publikun është ai që ruan karakterin dhe rrit përgjegjësinë e politikanit. Në kryesinë e re të PD, në pjesën më të madhe ky raport mungon. Basha që e fitoi vetë atë 10 vjet më parë, mungesën e tij do ta ketë problemin kryesor në të ardhmen. Si kusht për të fituar besueshmëri tek qytetarët.

“MAPO”

Related posts