Dardha e Tomorrit, Manushaqja e fjetur nën gëmushë

Dardha e Tomorrit, Manushaqja e fjetur nën gëmushë

Nga Safet KUQI –

Krahinat dhe fiset kanë veçoritë e veta. Edhe krahina ime në veriperëndim të malit të Tomorrit ka veçoritë e veta. Sapo del përballë saj, aty ku thuhet se gjëmon dheu, ose tek Qafa e Pusit, betohesh se po shikon një ndërtesë gjigante të ngritur  në tri kate, njëri më i begatë, më i bukur dhe më i çuditshëm se tjetri!

Kati i parë

Këtu janë radhitur sup më sup: Roshniku, Kostreni i Vogël, Vojniku, Mimijasi, Qatollarët, Bogdani Nr. 1, Karkanjozi dhe Rabiaku. Ky kat shëmbëllen me një oaz të bekuar nga vet Zoti, ku  mbillen dhe prodhojnë të gjitha llojet e drithërave, të perimeve, të frutikulturës, të ullishtave, të vreshtave. Mbi këtë truall është bërë gjithçka që është mbjellë, s’janë provuar kafja dhe bananet!…Gjithçka e mbjellë, mbin, rritet, vilet, dhe shtrohet në sofra e tryeza. Po kështu “mbin dhe rritet”  edhe dashuria e banorëve për vendin e tyre, pasioni për punën, dhembshuria për t’iu gjendur miqve dhe shokëve në gëzime e dhimbje. Në këto anë, brez pas brezi nuk mbahet mënd të ketë patur sherre dhe shamata që të kenë çuar në marrjen e jetëve të njerëzve. Arsimi dhe kultura, mikpritja dhe kuzhina e pasur tradicionale janë virtyte karakteristike të vendësve.

Nga ky kat i ka rrënjët edhe dinastia me famë botërore e Qyprillinjve, 8 prej pinjojve të kësaj familjeje të madhe sunduan si kryeministra e zadërzemë për disa dekada në perandorinë osmane. Ndaj edhe banorë nga kjo krahinë kanë krijuar shoqatën “ Mehmet Qyprilli Roshniku”. Dhe ky qyprilli i mirë, burrë me emër të madh, në shenjë mirnjohe për vendlindjen “u ngrit nga varri pas 350 viteve”, erdhi në Roshnik, pa si mos më keq gjimnazin, kontribuoi me fonde dhe mendje dhe e shndërroi atë ndër më të mirët në vendin tonë. Ndërkohë janë kërkuar edhe projekte për ndërtime të tjera. Duhet theksuar se Qyprilinjte, edhe pse nuk kanë jetuar në Roshnik, kanë kontribuar për vendin nga kanë rrënjët, kanë ndërtuar ura, çezma, mullinj, objekte kulti fetar, etj.

Kati i dytë

Këtu përqafohen qafë më qafë Dardha, Qaf-Dardha, Perisnaka, Kostreni i Madh, Bogdani Nr.2. Për këtë kat janë qëmtuar e zgjedhur kushedi se nga kush dhe janë sjell këtu tërë ato bukuri përrallore që nuk mund të rrëfehen pa i parë me sy! Ndër to, dy liqene në rrëzë të malit, 1100 metr mbi nivelin e detit, të mbushur dimër e behar plot me ujë ar të kulluar dhe plot me gjallesa ujore! Kush do të provojë shijen e peshqve  e të shpendëve të këtyre liqeneve, le të ngjitet atje në muajt e verës, por edhe në stinë të tjera! Në krye të liqeneve të rrëmben Sheshi i Shën-Pjetrit. Rreth e përqark tij  nusërojnë e bëjnë temená pisha të rritura e të pa rritura! E tërë lëndina është mbuluar me bar të gjelbër dhe të njomë! Barin e njomë e ruajnë: në behar, freskia e lartësive; në dimër, jorgani i bardhë i dëborës.

Në gjirin e sheshit të Shën-Pjetërit, të krijohet përshtypja se ka vetëm lindje, se nuk ka pleqëri, se nuk ka vdekje! Rreth e rrotull sheshit rrjedhin nga rrënjët e lajthive e të pishave, të trëndelinës dhe të çajit, burime me ujë dëbore! Në to nuk pi dot ujë pa e patur trastën plot. Pak me tej gjendet qyteza e çudirave, pa ditëlindje e pa ditëvdekje, me themele dhe murnaja që nuk dihet kush i ndërtoi dhe kush i shkatërroi! Qyteza ende pret arkeologë të vënë emra dhe mbiemra, të caktojnë ditëlindje dhe ditëvdekje.

ujevaraNë verilindje të malit shikon dhe dëgjon ujëvarën më të bukur në botë! Uji i saj del prej barkut të Tomorrit dhe vërvitet shkumë-shkumë tatëpjetë në për zallishte e nëpër pyje! Oshtima e ujërave  dhe këngët e shpendëve shndërrohen në simfoni që të lënë pa mënd! Dalë e pa dalë dielli, nuk numërohen ngjyrat e ylbereve! Në lëndinëzat plot me lule, aty ku pushojnë çërrugjet e ujëvarës, shtrohen dreka dhe vakte të tjerë me mish qengji e shpendësh, me raki dhe kulaç, me bulmetra dhe mjaltë prej barërave të malit!

Në Qaf- Dardhë ndodhet edhe çezma e Tarikos. Aty, në një pllakë guri qe shkruar: “Pini ujë dhe uroni/ Tarikon ta kujtoni/ Jam e ëma e Demirit/ Mbeta garibe (e vetmuar) nga dora e qafirit”.

Nënës i vranë djalin e vetëm në avllinë e saj, ditën që i kishte ardhur nusja e djalit. Vrasësi qe nga një krahinë e largët. Tregimtarët thonë se qe një xhelozi e çmendur: “Pse nusen e bukur se mora unë, por e more ti”…

Përfund malit, mbi Qaf- Dardhë, shikon me sy edhe sot e këtyre ditëve gjurmët e Vromit të madh. Ky vrom (rrugë) ka lidhur prej qindra e mijëra vite Beratin, Korçën, Selanikun e më tej. Në këtë vrom, karvanët transportonin mallra të ndryshëm ndërmjet qyteteve dhe shteteve. Në Perisnakë dhe në Dardhë ndodhen dy hane ku çlodheshin karvanët me kafshët e ngarkesës.

Për hanin e Perisnakës ka një rrëfenjë të çuditshme: Këtu herë pas herë hajdutë e kaçakë grabitnin mallrat e karvanëve, duke përdorur edhe dhunë ndaj tyre. Sipas traditës së hershme, turpi u mbetej vendasve (perisnakallinjve).Për të shpëtuar nga turpi, disa djem trima nga  ky fshat, kapën gjashtë hajdutë. I sollën në fshat. Pleqësia mori vendimin. Të skopiten (tridhen)!…Pse? Për të mos mbetur më pas farë hajdutësh. A u grabitën më pas karvanët? Rrëfenjësit betohen për qiellin e për tokën se as u panë e as u dëgjuan hajdutë në këto hanë.

Në Dardhë e Qaf- Dardhë, në Perisnak e në Kostrenin e madh kanë “ mbretëruar ” edhe kafshët dhe shpendët e egra, thëllëza në kope me 20,25,30 zoga e të rritura; pëllumba, kunadhe, dhi te egra, sorkadhe, derra, arinj, ketra, etj. Tani, sikurse edhe njerëzit nuk shikon as nga këto gjallesa.

Begatit dhe stolitë  e malit të Tomorrit kanë mahnitur edhe Evliha Çelebiun në vitin l670 kur vizitoi Beratin. Ndër të tjera, ky kronikan ka shkruar:“ Në këtë mal ka lloje-lloje bimësh, barnash e drurësh. Këtu vijnë dijetarë dhe specialistë frëngj e zotërinj te tjerë, të cilët mbledhin me mijëra barna mjekësore. Me këto barna shërojnë të sëmurët në vendet e veta“!

Kati i tretë (majat e malit)..mmmmmm

Ky kat është rezervuar për shenjtorët! Por edhe për njerëz të mirë  që kanë guxuar të ngjiten gjer atje! Këta njerëz të mirë kanë me bollëk çudira për të treguar edhe në këtë botë, ndoshta edhe për botën tjetër! Nga ballkonet e katit të sipërm, soditen sa e sa dete e fusha, male dhe shtete! Atje të mbushet mëndja top se që këtej nisen e sosen plotë urata për njerëzit e uruar dhe po kaq këshilla e mallkime për njerëzit e mallkuar! Aty, në atë kat, ndodhet edhe Dodona. Po, Dodona! Ata që duan të dinë për misteret dhe çudirat pse ajo lindi e jeton në malin e Perëndive dhe pse gjithkush kërkon pa një pa dy ta bëj të vetën, le të studiojë librin e Ilir Cenollarit“ Profecitë e Zotit të Tomorit“ dhe të pellazgologëve të tjerë që janë të gjithë të një mendje se Dodona Mëmë, Dodona Pellazgjike Dimërkeqe ka qenë në Tomorr..

Ç’po ndodh në këto vitet tona?

507140-mali tomorr (10)Për fat të keq, mrekullitë dhe stolitë e katit të dytë u shëmtuan! Dardha e Qaf-Dardha, Perisnaka e begatë dhe Kostreni i madh vdiqën! Shtëpitë e bukura të këtyre fshatrave janë shndërruar në  strofka për kafshët e egra. Banorët kanë  marr arratinë për kushedi se ku! Pse? Pa rrugë, pa shëndetësi, pa shkolla, pa mekanikë bujqësore, pa kulturë (Në ç’do fshat para 25 viteve kishte biblioteka.  I vetmi banor i mbetur në Dardhë, nunuriset një këngë të moçme: O ju male me dëborë, pse nuk qani hallet e mija/ Këta djem që janë sot, harram u qoftë dashuria.

Ka shanse  për t’u ringjallur Dardha e Qaf-Dardha, Perisnaka dhe Kostreni i Madh? Po, ka! Pas katrahurave ogurzeza 20-vjeçare kanë rilindur shpresa ogurbardha. Po punohet për rindërtimin e rrugës, e cila   po ecën në gjurmët e Vromit të Madh. Ajo ndoshta do lidh qytete e shtete. Kush po investon për rindërtimin e rrugës? Kush të mund e sa të mund, përveç qeverive, jo! Ato, (qeveritë) për këtë krahinë kanë gjykuar: Të djathtat: si ta zgjidhim kuletën për këtë krahinë si të mos e zgjidhim, xhepat me deputet, me bashkiak, me komunar i kemi bosh. Të  majtat: Si të kontribuojmë, si të mos kontribuojmë, xhepat me deputetë, me bashkiakë, me komunarë i kemi plot. Ata që po kontribuojnë për  Dardhën e Qaf – Dardhën, Perisnakën oaz dhe Kostrenin e Madh shëmbëllejnë me besimtarë të zotit, të cilët japin sadaka për më të vobektit. Megjithatë, do vijë një ditë që rruga e nisur do përfundojë. Me rindërtimin e rrugës, priten shtëpi pushimi verore dhe dimërore, ambiente kurative dhe  sportive, lokale shërbimi për turistë të huaj dhe  vendas. Kati i dytë i kësaj krahine do shëmbëllej me malësitë e Zvicrës. Pritet edhe nga qeveria e sotme. Asfaltimi i 7- 8 km rrugë, do ishte fare pak për të nderuar sheshin e Shenjtë të Shën.Pjetërit.

Gjyshër e gjyshe, nëna e baballarë, të mbuluar atje me dhé e me bar, luten e përgjërohen: Dardhë, e bukura, Dardhë, fol të lutem, na thuaj një fjalë. Bij e bija Dardharë e Qaf-Dardharë, edhe ju perisnakas e Kostren i Madh, u përgjërohet vatra me hirin pa zjarr. Ejani, dhe dimri do bëhet behar. Po u bënë zotër hileqarë në këto hanë. Ju bij e bija do pajtoheni hyzmeqarë. Do shiteni e do bliheni si mall në pazar!

Mali i Tomorrit, Park Kombëtar

 

tomorri-panoramaParku kombëtarë “Mali i Tomorrit” ka një sipërfaqe 4000 ha dhe ndodhet në lindje të qytetit muze të Beratit. Në te ndodhet Mali i Tomorrit që nga larg të jep përshtypjen e një kështjelle natyrore gjigante. Bukuritë natyrore të parkut janë evidente në çdo stinë. Këtu ndodhet edhe varri i Abaz Aliut (Tyrba e Kulmakut) 1200 m mbi nivelin e detit, ku çdo vit në fund të muajt gusht mijëra pelegrinë ngjiten për të zhvilluar një javë rresht ritet e bektashinjve duke sulmuar kështu turizmin fetar.

 

Ejani! Dhe dimri do bëhet behar…

 

Ngryset dita, gdhihet nata.

Çati më çati qyqe e kukuvajka.

Themel më themel, ujqër e çakallë,

Dyer të mbyllura fshat e mëhallë

………………………………….

 

U përgjërohet vatra me hirin pa zjarr!

Ejani!

Dhe dimri do bëhet behar…

 

Mes legjendës dhe të vërtetës

 

Që sipër, aty ku ndodhen stanet e kullotat e gjer poshtë në Qaf-Dardhë zbret një tubacion   qeramike me ngjyrë të errët, ndërtuar kushedi se nga kush dhe në cilët shekuj, përmes të cilit thuhet se është transportuar qumështi i bagëtive! Unë, herë kam besuar herë s’kam besuar, nëse është e vërtet apo një legjendë kjo. Mirëpo, barinjtë e maleve të Labërisë ma kanë mbushur mendjen se është transportuar qumësht. Besohet edhe për faktin se aty ku nisin të zbresin tubat s’ka ujë. Aty ka stane dhe kullota. Burime  uji me bollëk ka në Qaf- Dardhë, aty ku sosin tubacionet!

 

Xhehneti dhe Xhehnemi, në të njëjtin vend

Kati i tretë ndodhet sipër fare majave të malit. Ky kat dhe këto maja janë vendi ku bëjnë punën e vet shenjtorët! Kush ka mundur të ngjitet gjer këtu, ka marrë edhe uratat e Baba Tomorrit, është njohur edhe me Dodonën e pa njohur sikurse ajo e meriton! Kush është ngjitur gjer atje, ka parë edhe botën e gjallë edhe botën e vdekur, është njohur edhe me parajsën, është njohur edhe me ferrin! Më pas, kur ka zbritur poshtë, majave, ka ditur të dallojë ç’është parajsa dhe ç’është ferri!

 

Ja ç’thotë Eqrem bej Vlora për këtë krahinë…

Mbi 110 vjet më parë, Eqerem bej Vlora, erdhi në Berat më 1906 dhe nga këtu kaloi në Kapinovë, në malin e Tomorrit e më tej dhe kthim. Mbas 7 orë udhëtimi shpërblehet me bukurinë e rrallë të natyrës, me përrenj që gurgullojnë, gjelbërim të gjithëvitshëm dhe zogj që këndojnë, por mirëseardhjen ia japin njerëzit që ndryshonin nga ata që la më poshtë, më të shëndetshëm, më të gjatë, 1.80 m, flokë të verdhë, sy të çelët dhe me zhdërvjelltësi të çuditshme.

Në Kapinovë e priti Shefit bej Kapinova (Salillari), njeri i pasur dhe bujar. Shtëpia e tij ishte tipike e kohës, dykatëshe, e ndërtuar me gurë të mëdhenj të palatuar, me dritare tip frëngjie, me shkallë druri, me qilima dhe postiqe.

I dorëzoi të zotit të shtëpisë armët dhe, siç thotë beu i nderuar, kjo tregonte se ata tani ishin anëtarë të kësaj familje, e cila përgjigjej për çdo gjë në territorin e tij.

Mbasi u përshëndet, doli në një pikë, për të parë fshatin, fshatrat, Beratin dhe  perëndimin e diellit. Kapinova në këto vite kishte mbi  60 shtëpi me 800 banorë. Dikur ka qenë selia e një Mydiri dhe quhej Nahija e Kapinovës. Bekimi i fshatit qenë burimet ujë argjendi, arat, tarracat të  ndërtuara në shekuj me durim të admirueshëm, që mbillen misër dhe grurë. Nga pllaja duket në horizont Myzeqeja dhe në shpat kullosnin bagëtia, kryesisht dhen e dhi.

Pas kësaj, kur gjeti momentin e duhur Eqerem beu shkroi në bllokun e shënimeve:

“Pasi kthehemi nga shëtitja në shtëpi, ja shtrojnë darkës me mish në hell dhe me raki, në odën tjetër po të njëjtën gjë bëjnë dhe njerëzit që më shoqërojnë, të cilët kishin ardhur në qejf dhe po këndonin duke e zgjidhur gjuhën për t’u dukur kush më i mirë se fqinji. Ajo që më gëzoi më shumë, qe pastërtia dhe gatimi për merak i pilafit, ëmbëlsirave, shto dhe fruta pa mbarim të prodhuara në vend. Aty bëmë planin për t’u ngjitur në  majën e Tomorrit drejt të shenjtit Abaz Aliu. Si udhërrëfyes na prini i zoti i shtëpisë me njerëzit e tij, krahas atyre që më shoqëronin mua. U zgjova të nesërmen më 8 tetor 1906. Fati ishte me ne se moti u hap, dielli shpërndahu retë dhe ne s’ngopeshim me mrekullitë e rralla të natyrës poshtë këmbëve tona, me Bargullasin, Novajn, Sirakën, lumin e Beratit, majat e maleve të Skraparit e deri në zonat e Tepelenës.

… Dhe ditari vazhdon 190 faqet e tij, duke treguar mrekullitë e natyrës dhe njerëzve të kësaj zone.

Related posts