Deputeti Fadil Nasufi: Protestat, Qeveria nuk është komode në këto kushte

Deputeti Fadil Nasufi: Protestat, Qeveria nuk është komode në këto kushte

INTERVISTA/ Flet deputeti i Partisë Socialiste, Fadil Nasufi: “Përshkallëzimi i protestave është një rruge pa krye që dëmton Shqipërinë dhe vetë opozitën. Kjo opozitë po investohet pak ose aspak, për t’u kthyer në alternativë qeverisëse”

“Kjo opozitë është në udhëkryq dhe ka probleme me veten.

Por demokratët e vërtetë dhe pjesa e shëndoshë duhet të reflektojë dhe të ngrihet në lartësinë e misionit që e kërkon koha. Është koha e një opozite të re konkurruese…”. Kështu shprehet gjatë një interviste të posaçme për “Albanian Free Press”, deputeti socialist, Fadil Nasufi. Duke shtuar se protestat e opozitës po dëmtojnë imazhin e vendit dhe injektojnë frikë e pasiguri. Madje, sipas tij, ato po dëmtojnë edhe hapjen e negociatave me BE-në në qershor. Megjithatë, “qeveria po goditet, por nuk çuditet”, shton ai…

Intervistoi për “Albanian Free Press”: Albert Zholi

Protesta e datës 16 mars, a kishte sipas jush ndonjë risi në raport me protestat e mëparshme te opozitës?

Nuk solli ndonjë risi, veç ritualit të zakonshëm të fjalimeve ulëritëse të Bashës dhe Kryemadhit për të rrëzuar Edi Ramën dhe për ta shtyrë e provuar në një protestë tjetër, këtë të ashtuquajtur kauzë, të këtyre të arratisurve nga parlamenti.

Protesta risolli sërish në Tiranë nëpunësit dhe rrogëtarët e administratës të njësive vendore, që qeverisen nga PD dhe LSI dhe tregoi qartë distancimin e qytetarëve të Tiranës nga kjo sipërmarrje e sforcuar dhe pa mbështetje popullore të opozitës. Në protestë, po kristalizohet një grup radikal që janë kontigjenca “profesioniste” e lidershipit të opozitës, të cilët frymëzohen për të ushtruar dhunë, për të provokuar policinë dhe për të nxitur veprime destabilizuese, që dëmtojnë imazhin e vendit dhe injektojnë frikë dhe pasiguri. Unë nuk dua të merrem me etiketime se ç’përfaqëson kjo kategori, por më habit fakti sesi ka mundësi që në vitin 2019, të shfaqen njerëz kaq të indoktrinuar, me instinkte primitive që hipin nëpër pemë dhe shtylla, që kacavirren nëpër mure dhe kangjella, që armatosen me hunj, heshta, gurë dhe lëndë eksplozive, që artikulojnë një fjalor ku thërret kiameti dhe që “argëtohen” duke qëlluar policinë, duke djegur institucionet dhe pronën publike! Më e dhimbshme bëhet situata kur këtë kulturë dhe filozofi e kanë të parët e opozitës. Në protestë nuk përfaqësohet populli. As që bëhet fjalë se ka një shumicë që kërkon ndryshim, apo të jetë lëvizje frymëzuese antiqeveritare dhe konstatoj se ka edhe distancim nga shumë demokrate të spikatur e me peshë që nuk i shkojnë mbrapa kësaj aventure.

Çfarë kishte ndryshe nga të tjerat kjo protestë?

Ishte një protestë e sforcuar. U konsumua një muaj kohë me takime nëpër gjithë Shqipërinë për të sjellë më pak njerëz, që nga protesta në protestë po tkurren dhe po zhgënjehen. Nuk ka kauzë dhe alternativë, veç një sjellje e imponim të lidershipit të opozitës për të kërkuar pushtet në tavolinë me një kokëfortësi të pashpjegueshme. Nuk besoj se fjalimet dhe deklaratat e Lulit dhe Monikës frymëzojnë dhe impresionojnë ndokënd që ka mend në kokë e është naivitet t’u shkosh pas këtyre, që janë prova e gjallë e korrupsionit, e vjedhjes dhe abuzimit me pushtetin dhe e gjithë akuzave që artikulojnë për mazhorancën. E reja e kësaj proteste ishte xhiroja si ritual haxhillëku përreth Kryeministrisë dhe Parlamentit.

Çfarë tregojnë këto protesta dhe djegia e mandateve në opinionin shqiptar e atë ndërkombëtar. Si janë pritur ato?

Djegia e mandateve dhe gjithë veprimet e opozitës janë veprime antikushtetuese, që në thelb rrëzojnë sistemin e demokracisë. D.m.th, ti nuk njeh parlamentarizmin dhe vullnetin e sovranit të shprehur e të konfirmuar me votë të lirë, të certifikuar nga ti si opozitë e të njohur ndërkombëtarisht. Ky është një precedent i rrezikshëm që sjell destabilizim, delegjitimitet të institucioneve kushtetuese, që inspiron anarkinë, që imponon vullnetin e opozitës me mjete dhune dhe kushte të papranueshme të dorëzimit të pushtetit në tavolinë, që do të zhvlerësojë vullnetin e zgjedhësve, që bëjnë presion për të shpikur formula dhe për të bërë pazare që favorizojnë pushtet të falur sipas avazit të vjetër. Me votë të lirë, kjo opozitë nuk vjen në pushtet, sepse tradicionalisht janë pakicë, janë provuar si shpërdorues pushteti dhe si rrënues të vlerave dhe bllokues të reformave. Këta janë pjella e pasojave dhe e plagëve që vuan Shqipëria. Nuk kanë me vete as mbështetjen e shumicës së shqiptarëve, as përkrahjen e ndërkombëtareve, sepse nuk janë me të drejtën dhe me të vërtetën.

Pas këtyre protestave, a janë forcuar apo lëkundur pozitat e qeverisë dhe të kryeministrit Rama?

Qeveria nuk është komode në këto kushte. Strukturat përgjegjëse shtetërore gjatë protestave kanë angazhime, të cilat shpenzojnë jo pak energji, njerëz, mjete, buxhete, etj, për të garantuar veprimtarinë e institucioneve dhe ruajtjen e rendit e qetësisë publike. Kostot e këtyre protestave dihen për dëmin që i sjellin Shqipërisë, për imazhin e saj të përkeqësuar. Janë veprime që sjellin pasiguri, destabilitet e klimë jo të shëndetshme për biznesin, turizmin, investimet, zhvillimin social ekonomik, etj. Sa vite duhen për të korrigjuar një dëm, një imazh dhe një marrëdhënie që hidhet në erë për një ditë. Sa punë duhet që të injektosh shpresën, besimin, të ndërtosh raporte miqësie dhe reciprociteti për nevojat që ka vendi në rrugën e integrimit evropian. Si mund të çmontohet psikoza e flakëve dhe e zjarrit në zyrat e Kryeministrisë, apo gjuha e gojështhurjes që përdor kjo opozitë. Qeveria po goditet, por nuk çuditet. As nuk preket dhe demotivohet. Ne do vazhdojmë të qeverisim duke i mprehur më mirë shqisat dhe duke e rritur ritmin në përmbushjen e angazhimeve që kemi marrë përsipër. Kjo, edhe në kushtet e mungesës së rolit që duhet të luajë opozita.

Si e mendoni të ardhmen e protestave të opozitës?

Opozita ka të gjitha të drejtat për të protestuar dhe ushtruar rolin e vet sipas standardeve demokratike, në rrugë paqësore dhe jo destruktive. Përshkallëzimi i protestave sipas modelit të datës 16 shkurt dhe 16 mars, është një rruge pa krye që dëmton Shqipërinë dhe vetë opozitën. Kjo opozitë po investohet pak ose aspak për t’u kthyer në alternativë qeverisëse. Janë përpara zgjedhjet vendore të 30 qershorit, dhe le të ballafaqohet me zgjedhësit në fushën e betejës. Nuk duhet të anashkaloje përgjegjësinë kushtetuese dhe rregullat e demokracisë zgjedhore. Kjo opozitë është në udhëkryq dhe ka probleme me veten. Lidershipi është në krizë besimi, ka probleme me drejtësinë dhe po bjerret prej mëkateve. Demokratët e vërtetë dhe pjesa e shëndoshë duhet të reflektojë dhe të ngrihet në lartësinë e misionit që e kërkon koha. Është koha e një opozite të re konkurruese.

A e dëmton hapjen e negociatave në muajin qershor djegia e mandateve te opozitës dhe çfarë zhvillimesh priten ne vend?

Patjetër që e dëmton. Mungon dialogu, mungon kontributi i opozitës për hapjen e negociatave. Veprimet e saj janë bllokuese dhe diskredituese. Ne presim të na dojë më shumë bota, sesa duam njëri-tjetrin si shqiptarë. Procesi i zëvendësimit të vendeve bosh në parlament nga lista vijuese është një veprim kushtetues,i përgjegjshëm dhe patriotik i deputetëve të rinj, i inkurajuar dhe i mbështetur edhe nga ndërkombëtarët. Sinjalet e drejtësisë për rihapjen e dosjeve për Gërdecin, për vrasjen e Azem Hajdarit janë zhvillime të vonuara, por që vërtetojnë aksiomën se e vërteta vonon, por kurrë nuk harron! Padyshim që shpresoj se intelektualët shqiptarë dhe ata që janë në opozitë me PS-në, nuk do rrinë të notojnë në kënetën e Berishës, Bashës dhe Kryemadhit, por do t’i japin oksigjen opozitarizmit. Edhe faktori ndërkombëtar do të nxisë tryeza dialogu e marrëveshje politike ; gjithmonë në shtratin e parimeve kushtetuese dhe demokratike për të respektuar gjithë secili detyrimet si mazhorance dhe opozitë, për të votuar ndryshimet në kodin zgjedhor dhe gjithë paketën e ligjeve që nxisin reformat e ndërmarra në vendin tonë.

Related posts