Desara, vullneti për dije që ngrihet mbi rrënoja

Desara, vullneti për dije që ngrihet mbi rrënoja

Maturantja e shkëlqyer nga Kuçova, Desara Ustia, e rritur në varfëri ekstreme, fitoi Bursën Pashko nga Universiteti Europian i Tiranës 

Kur historia e saj e dhimbshme u shfaq në Tv Klan, komisioni i ngritur nga universiteti për përzgjedhjen e të rinjve që do të përfitojnë Bursën Pashko vendosën që t’i akordonin asaj këtë bursë. Dekania e studentëve, Anisa Subashi, udhëtoi bashkë me grupin e xhirimit të Tv Klan drejt shtëpisë së saj për t’i bërë këtë surprizë

Një tjetër jetë ndryshon nga Bursa Pashko, e konceptuar nga Universiteti Europian i Tiranës për të mbështetur të rinjtë e aftë, por në pamundësi financiare për t’u arsimuar. Desara Ustia është vetëm 18 vjeç dhe jeton në një fshat të Kuçovës. Ajo fle në një dhomë me prindërit, motrën e vëllain më të vogël. E veshur me një këmishë me kuadrata dhe një palë xhinse blu, ajo thotë se s’ka mundur kurrë të blejë rroba në jetën e saj, të gjitha i ka të falura. “Falë zotit ka ende njerëz të mirë, në këtë botë të keqe”, thotë ajo duke treguar historinë e saj në emisionin “E diela shqiptare” në Tv Klan.

Prej 20 vitesh familja e saj jeton në një shtëpi, nëse mund ta quajmë të tillë, e cila ka vetëm një dhomë. Pikërisht në atë dhomë jetojnë të gjithë anëtarët e familjes së Desarës. Por dhe ajo dhomë nuk e ka pamjen e shtëpisë. E mbuluar me plastmas dhe llamarina, ajo është zgjidhja që ka gjetur babai për të evituar që i ftohti të depërtojë brenda në shtëpi, natyrisht me aq sa mund ta mbrojë një plastmas nga dimri i acartë.
Desara, sapo ka mbaruar gjimnazin me një mesatare prej 9.8, dhe ëndrra e saj është që të fitojë shkollën e lartë për drejtësi. Me dy prindër të papunë dhe me një asistencë mujore prej 4 mijë lekësh, vështirë, thuajse gati e pamundur ishte për të që ta realizonte këtë ëndërr.
Fati nuk e ka përkrahur shumë këtë familje pavarësisht përpjekjeve të babait e nënës për t’u siguruar fëmijëve një jetë normale. Tragjedia e parë u erdhi herët për t’i lënë më pas në një varfëri ekstreme. Para se Desara të lindte, prindërit e saj humbën vajzën e madhe, e cila vdiq nga i ftohti. Në atë kohë Desara nuk kishte lindur ende por thotë se e vuan shumë atë humbje, pasi në ditarin e babait të saj ka lexuar se ai u ndje i shkatërruar për shkak të asaj që ndodhi. Dy vite më vonë, në familje u rikthye disi buzëqeshja, me lindjen e Desarës. Prindërit ishin të lumtur që sollën në jetë një fëmijë, por të pasigurt për atë çfarë mund t’i ofronin, në mënyrë që të mos përsëritej historia.

“Libri është bota”

“Për mua libri është bota dhe si mund të jetoj pa atë botë”, thotë Desara, e cila dëshira për të lexuar në një farë mënyre e ka shpëtuar nga varfëria, e ka bërë të kuptojë se ekziston një botë përtej asaj dhomës së vogël mbuluar me plastmas dhe krevatit ku flenë të gjithë bashkë.
“Kur ke një familje me fëmijë të vegjël, sigurisht që zhurma e bën të pamundur të mësosh, ndaj dhe unë ulesha gjithmonë jashtë për të lexuar, pavarësisht të ftohtit”, tregon ajo. Desara e quan veten një “book lover”, për shkak të dashurisë të madhe që ka për librat. Që e vogël ajo pëlqente që të lexonte dhe jo të luante me kukulla. “Loja ime e preferuar ka qenë të lexuarit libra”, thotë Desara.
Si një familje e cila jeton në kushte tepër të vështira, me dy prindër të papunë, me një asistencë prej vetëm 4 mijë lekësh, me një baba i cili thyen bunkerët për të fituar një shumë të vogël parash, mund të imagjinohet se sa e vështirë është çdo gjë. Se sa ndryshe mund të përjetohet një festë apo një rast i veçantë. Pikërisht këtu, me sytë e mbushur me lot, Desara rrëfen dy ngjarje tepër të dhimbshme për të. “Janë dy periudha të vitit, të cilat janë tepër të vështira për t’u përballuar nga ne, fillimi i shkollës dhe festa e Vitit të Ri”. Për të dyja këto ngjarje, Desara ka një rrëfim prekës për të bërë. Fillimi i shkollës përjetohet jo shumë mirë në familjen e saj, për shkak të pamundësisë për të blerë libra për të tre fëmijët. Ajo kujton ditën e parë të shkollës, në një vit tepër të vështirë për familjen e saj. “Ne shkuam në shkollë pa libra, pasi nuk kishim patur mundësinë t’i blinim, dita e parë e shkollës ishte shumë ndryshe për ne. Rrugës kur po ktheheshim për në shtëpi, pashë babin i cili po hapte një gropë të madhe. Nga ajo gropë, ai do të nxirrte disa hekura, që t’i shiste dhe me lekët që do të fitonte, do na blinte librat për shkollë”. Ishte një moment tepër i trishtë shpjegon më tej Desara e përlotur. Një periudhë tjetër e vështirë për familjen, është dhe ardhja e Vitit të Ri, ku familja nuk mund të bëjë diçka ndryshe si çdo familje normale shqiptare. “Ne nuk e kemi patur kurrë një gjel për Vitin e Ri”, thotë Desara. Ajo e vazhdon më tej rrëfimin e saj duke thënë: “Ishte periudha e Vitit të Ri, dhe një shok i babit e pyet atë se çfarë kanë përgatitur për Vitin e Ri, ai i tha ka bërë gruaja byrek me mish. “Po pse kjo iu jepet fëmijëve për Vitin e Ri” vazhdon më tej shoku, babi i thotë “Po pse unë nuk dua që fëmijët e mi të jetojnë si gjithë të tjerët… ?! thjesht kaq kam mundësi”.
Gjithçka që ka arritur deri më sot Desara e tregon me krenari si një mbështetje dhe nga i ati i saj, i cili ka punuar shumë për të mbajtur familjen, me aq mundësi sa ka patur. Ajo kërkon vetëm dy gjëra nga ai duke i thënë: Së pari “Të lutem beso tek unë, beso më shumë se më parë” dhe së dyti, e falënderon duke i thënë: “Faleminderit për gjithçka që ke bërë për ne, na ke bërë të jemi të barabartë më të tjerët. Jam rritur në një shtëpi në tokë dhe me llamarina dhe me një vlerë monetare tepër të ulët, por më ke bërë të ndihem si një princeshë. Faleminderit babi”. “Jam 18 vjeçe e shumë njerëz mendojnë se jam tepër utopike për të ardhmen time, por mendoj se fati është në dorën e gjithsecilit dhe është mënyra jonë se si e bëjmë që të punojë për ne”. Kështu e mbyll rrëfimin e saj Desara.

Udhëtim i UET drejt Desarës

Për herë të parë Desara e njohu Universitetin Europian të Tiranës gjatë një aktiviteti letrar të mbështetur nga universiteti, ku ajo kishte aplikuar dhe kishte fituar të drejtën për të marrë pjesë. Ishin “Ditët Letrare të Razmës”, që UET në bashkëpunim me Fondacionin Mapo i mban çdo fund pranvere në Razëm. Desara aplikoi dhe erdhi si maturante që e donte letërsinë dhe librin. Po kur historia e saj e dhimbshme u shfaq në Tv Klan, komisioni i ngritur nga universiteti për përzgjedhjen e të rinjve që do të përfitojnë Bursën Pashko vendosën që t’i akordonin asaj këtë bursë. Dekania e studentëve, Anisa Subashi, udhëtoi bashkë me grupin e xhirimit të Tv Klan drejt shtëpisë së saj për t’i bërë këtë surprizë. “Historia jote na preku shumë dhe ne e vlerësojmë vullnetin tënd dhe forcën tënde, dhe aq më shumë dëshirën tënde për të mësuar e për t’u arsimuar. Ne besojmë se ti e meriton bursën Pashko, ndaj kemi vendosur të të bëjmë pjesë të saj. Kjo bursë të jep të drejtë të plotë studimi për tri vitet e ardhshme në universitet dhe një pagesë prej 25 mijë lekësh të rinj në muaj që të përballosh jetesën në Tiranë”, i tha Subashi duke i dorëzuar Bursën.

Desara Ustia nuk është nxënësja e parë që përfiton këtë bursë, para saj ka qenë rasti i disa vajzave të tjera, të bëra publike në Tv Klan, historitë e të cilave kanë frymëzuar dhe kanë treguar se ka të rinj që përtej varfërisë dhe dramës që mund të kenë përjetuar në jetë, e shohin të ardhmen e tyre të projektuar nga arsimi.

 

Bursa Pashko:

Kjo bursë i akordohet maturantit, i cili në përfundim të ciklit të studimeve para-universitare ka arritur një mesatare të lartë dhe është i talentuar në një fushë të caktuar, por has vështirësi ekonomike në realizimin e studimeve universitare. Bursa “Pashko” është bursë e plotë studimi dhe do të shoqërohet me një pagesë prej 25.000 lekësh të rinj në muaj për të siguruar shpenzimet e jetës studentore.

“Mapo.al”

Related posts