Dhjetë pyetje për dhe mbi Beratin, Simon Vrusho: “Beteja e Beratit (1455) shenjoi mbrapshtinë e këtij qyteti”

Dhjetë pyetje për dhe mbi Beratin, Simon Vrusho: “Beteja e Beratit (1455) shenjoi mbrapshtinë e këtij qyteti”

Simon Vrusho është autor i veprës “Princi i Gjullurdisë – Letrat e Haxhi Qamilit”. Sikur kaq të kishte shkruar gjatë gjithë veprimtarisë së tij, do t’i kishte mjaftuar.

B. Fevziu bëri disa cikle emisionesh në “OPINION” për Haxhi Qamilin, ku i referohej herë pas here veprës së Vrushos, por pa e përmendur autorin e vërtetë të veprës, ngase në kapakun e saj ndodhet pseudonimi Endri Vajella.

“Kur Shqipëria është bërë lëmsh e lëmë, një njeri del nga mazgallat e saj dhe i futet në histori. Ai ngjitet në të përpjetën e karrierës me një frymë rrufeje, nëse mund të ketë karrierë brenda një vorbulle….” – Kështu shkruan në hyrje të veprës Vrusho për atë që njihet si Haxhi Qamili, por që Qamili i Vrushos mund ta gjejë të ngjashmin e tij në çdo kohë përgjatë gjithë historisë së këtij vendi.

Përveç kësaj vepre, Vrusho ka edhe disa vepra të tjera, ku më e njohura është monografia “Hebrenjtë e Beratit” etj.

Vrusho tregohet i kursyer në përgjigjet e pyetësorit tonë, duke parapëlqyer përgjigjet e shkurtra, lakonike, pa i munguar filozofia dhe ironia.

Bisedoi: Namir Lapardhaja

 

Çfarë përfaqëson qyteti për ju?
Një ansambël arkitekture dhe kulture.

Shprehja “na mbytën fshatarët”, e përdorur kaq shpesh në këtë qytet, sipas jush, çfarë tregon?
Nuk e kam dëgjuar.

Nëse do ta kishit drejtuar ndonjëherë Beratin, nga do t’ia kishit nisur?
Nga arredimi i lumit.

Tek cili personazh historik/kulturor/politik e shihni të mishëruar qytetin?
Teodor Muzaka.

Në konceptin tuaj, cila është ngjarja më e rëndësishme për Beratin (në aspektin lokal dhe kombëtar)?
Beteja e Beratit, 1455.

Nëse do kishte një vit të mbrapshtë për qytetin, cili do të ishte ai?
1455.

Për ju harmonia fetare është një trill apo një realitet?
Realitet.

Cilat janë 3 gjërat që do t’ia kishit ndryshuar qytetit?
Lumin, ishullin e Osumit (IO) dhe restaurimin deri në shfaqje të Kalasë së Goricës.

Nëse do të kishte një gjë për të cilën Berati do ta meritonte kujtesën historike dhe botërore, kë do të veçonit?
Grykën mbi Urën e Goricës me treshen: Kala, Mangalem, Goricë.

Prej emrave që e kanë drejtuar Beratin, që prej Pavarësisë e në vazhdim, kush mendoni se është ngulitur në kujtesën e banorëve të këtij qyteti?
Bëni një anketim me banorët e qytetit.

Related posts