Droboniku: Nuk është vendosur kreu për U19

Droboniku: Nuk është vendosur kreu për U19

Ish-trajneri i Tomorit dhe aktualisht i 19-vjeçarëve, Iken Droboniku, është duke bërë një punë të shkëlqyer nën drejtimin e të rinjve, teksa është shpallur edhe kampion dimri për këtë edicion. Skuadra në këtë fazë të parë ka arritur të grumbulloj 22 pikë, duke marrë 7 fitore dhe një barazim ndaj FC Termi.

Objektivi i Tomorit është madhor, ku oreksi vjen duke ngrënë dhe në këtë mënyrë do të kërkohet ngjitja në Superiore, duke ditur që ndeshjet e tjera të kampionatit do të luhen në stadiumin “Tomori”. Sakaq, skuadra e Iken Drobonikut të gjitha fitoret i ka regjistruar në transfertë për shkak të stadiumit që ende nuk ka qënë gati.

Në një intervistë për “FK Tomori Albania”, tekniku 29-vjeçar u shpreh i lumtur për ekipin e tij, ku theksoi se ekipi ka akoma shumë punë për të bërë dhe ende nuk e ka të sigurt pozicionimin në vendin e parë.

– Iken, ndodheni në vendin e parë dhe kampion dimri. Sa i lumtur jeni për këtë ecuri të skuadrës?

Është e vërtetë që pas 7-javësh kampionat ne ndodhemi në vendin e parë dhe kjo gjë më gëzon shumë, për faktin sepse kam një ekip të ndërtuar 100% nga unë personalisht. Ndjesia e të qënit në vendin e parë është mjaft interesante dhe e veçantë, por kemi një punë të madhe që do të duhet të bëjmë në vazhdim për të mbrojtur pozitat dhe për t’i përforcuar ato akoma edhe më shumë. Shpresoj të ecim me këto ritme deri në fund të kampionatit, duke ditur që edhe ndeshjet e radhës i luajmë të gjitha në fushën tonë.

– Si është rivaliteti i këtij viti dhe çfarë ka ndryshe te 19-vjeçarët?

Të them të drejtën kanë ndryshuar shumë këtë vit. Më kryesorja është pagesa e pjesëmarrjes në kampionat nga ana e presidencës, domethënë Bashkisë së Beratit, të cilën dua ta falenderoj pasi më kanë qendruar pranë dhe është një mbështetje shumë e madhe për skuadrën.

Ndryshe nga sezonet e tjera, këtë vit rivaliteti është më i lartë sepse kampionati ka më shumë skuadra në përbërjen e saj. Rotacioni dihet që i ka shërbyer shumë organikës së skuadrës, pasi kanë ardhur lojtarë 17-vjeçar të talentuar dhe po bëhet një punë me pasion dhe përkushtim të veçantë që këta djem të arrijnë pse jo edhe duke përfaqësuar skuadrën e parë.

– Mendoni se ka ndonjë element për ekipin e parë?

Siç edhe jam shprehur më parë, detyra e një trajneri tek moshat është që të furnizoj sa më shumë ekipin e parë me lojtarë cilësorë dhe që mund të ndikonin direkt në objektivat e klubit. Në momentin që ndodhemi këtu ku jemi tashmë, besoj se ka natyrisht edhe lojtarë që mund të kontribojnë në ekipin e parë. Këtu nuk dua të përmend asnjë emër, pasi gjithsecili duhet të japi maksimumin dhe të tregoj veten për të synuar skuadrën e parë.

– Cilat janë rezultatet?

Kemi arritur të marrim 7 fitore dhe një barazim ndaj FC Termit, ku gabuam në disa raste dhe kundërshtari arriti t’i shfrytëzonte sa më mirë. Gjithsesi, kam rezerva edhe për arbitrimit atje, megjithëse nuk dua të merem shumë me këtë.

 

Related posts