Dy fjalë për ceremoninë e “Tomka dhe shokët e tij” në Berat

Dy fjalë për ceremoninë e “Tomka dhe shokët e tij” në Berat

Namir Lapardhaja

U zhvillua mbrëmjen e sotme ceremonia e dhënies “Nderi i Qytetit” të Beratit për znj. Xhanfise Keko, regjisore e filmit “Tomka dhe shokët e tij”.

Me këtë rast u transmetua edhe filmi pikërisht në qytetin ku u luajt 37 vjet më parë.

Disa prej protagonistëve ishin pjesëmarrës në ceremoni, nga ku edhe përshëndetën dhe përcollën emocionet e asaj kohe.

Ajo që të binte në sy është mospërmendja në asnjë rast se vendimi për znj. Keko është marrë nga këshilli i bashkisë së Beratit me votë unanime, pra të këshilltarëve të djathtë dhe të majtë, dhe nuk është vendim i marrë nga kryetari i bashkisë, z. Fadil Nasufi.

Së dyti, regjisori i njohur Mevlan Shanaj, drejtuesi i ceremonisë, në mënyrë të hapur dhe aspak profesionale bëri fushatë për kryetarin e bashkisë (sikur njerëzit ishin mbledhur për atë punë), duke u kërkuar pjesëmarrësve që, “ashtu si na ka respektuar neve z. Nasufi, ashtu ta respektoni edhe ju herës tjetër, edhe pse ju e keni respektuar përherë”.

Një detaj tjetër është ndryshku që kanë zënë trutë dhe mendimet e disa të ashtuquajtur akademikë si Nasho Jorgaqi, i cili gjatë fjalës së tij përshëndetëse si skenarist i filmit tregoi se ende jetonte me ndjenjën e luftës së lavdishme të partizanëve kundër pushtuesit nazi-fashist dhe ende i kujtoheshin historitë e dikurshme me partizanë nga periudha e luftës e marrëzi të tjera.

Së fundi, Berati vijon të mos ketë një kinema. Çdo film që mund të transmetohet, bëhet në ambjentet e sallës së Pallatit të Kulturës “Margarita Tutulani”, e cila luan, tashmë, prej shumë kohësh edhe rolin e kinemasë.

 

Related posts