Ekspozita “Edward Lear” bashkon 33 artistë në Berat

Ekspozita “Edward Lear” bashkon 33 artistë në Berat

Nga Erjola Azizolli

49 vepra të krijuara së fundmi prej artistëve janë prezantuar për publikun beratas në ekspozitën e fund vitit “Edward Lear” .

Tre sallat kryesore të kësaj galerie janë mbushur me veprat në pikturë, skulpurë, vizatim dhe fotografi artistike, duke sjellë emocionet e të gjitha zhanreve të artit figurativ.

Në morinë e pikturave të paraqitura ranë në sy emocionet e përcjella nëpërmjet një larmie ngjyrash të peisazheve, por dhe kompozimit dhe abstraksionit. Në këtë edicion u bashkuan artistët Eduart Meçe, Artan Marku, Arben Koliçi, Anesti Taço nga Fieri, Alvino Myftari, Nasuf Myftari, nga Elbasani, Olsi Ballata Zhani Terpini nga Tirana dhe artistët beratas Agron Polovina, Nezir Ago, Lambrini Dëna etj.

Kjo ekspozitë, e cila vjen çdo fund vit, pasi është shndëruar tashmë në një traditë të rëndësishme në fushën e artit figurativ iu bashkua aktiviteteve të organizuara me rastin e festave të 28 dhe 29 nëntorit.

Në hapje të kësaj ekspozite përgjegjësi i galerisë së arteve, Nezir Ago bëri një rezyme të gjithë aktiviteteve të zhvilluara gjatë këtij viti në këtë galeri, ku janë hapur 12 ekspozita të artit figurativ të suksesshme personale, kolektive, por dhe konkurse.

“Ky është edicioni i 18-të i “Edward Lear”, i cili këtë vit vjen me një prurje artistësh nga Fieri, Elbasani dhe Tirana, të cilët kanë bashkuar veprat e tyre me artistët e qytetit tonë. Janë 33 autorë, janë të ekspozuara 49 vepra, të cilat janë në zhanret e pikturës së vajit, në skulpturë, vizatim, në grafikë dhe në fotografi artistike, çfarë tregon dhe larmishmërinë e teknikave në veprat e kësaj ekspozite që tashmë ka krijuar traditën e saj. Pjesëmarja ishte e kenaqshme, ku dashamirët e artit shijuan veprat e paraqitura që janë kurorëzimi i gjithë krijmtarisë artistike të artistëve, piktorëve e skulptorëve kryesisht të Beratit, por dhe më gjerë” pohon ai.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në datën 20 dhjetor, për ti lënë më pas vendin aktivitetit të fundit që galeria organizon për këtë vit kalendarik.

KultPlus.com

Related posts