Eshtrat e nderuara

Eshtrat e nderuara

Par Lagerkvist

(Çmim Nobel në Letërsi – 1951)

Dy popuj kishin bërë luftë të madhe kundër njeri – tjetrit. Ata ishin shumë krenarë për këtë gjë dhe e ruanin të gjallë kujtimin e pasioneve, karshi të cilave zellet vocërrake e të zakonshme të njerëzve nuk janë kurrgjë. Të mbijetuarit jepeshin me shpirt pas kësaj gjëje. Nga çdo anë e kufirit, ku lufta kishte përparuar e ishte prapsur dora –dorës e ku luftëtarët qenë masakruar në mënyrën më të llahtarëshmë, qe ngritur një përmendore e madhërishme për nder të të rënëve, që qenë sakrifikuar për atdhe e tani preheshin në truallin e tij. Të dy popujt vinin aty për pelegrinazh, secili pranë të rënëve të vet. Aty u drejtoheshin turmave me fjalime te zjarrta për heronjtë, të cilëve u preheshin eshtrat nën dhe, të shenjtëruar me një vdekje të lavdishme, me të gjitha nderimet në jetë të jetëve. Ndërkaq, në të dy vendet u përhap zhurma e kobshme se diçka e mënxyrshme ndodhte gjatë natës në fushat e moçme të betejës. Kishin dalë lugetër, të vdekurit qenë ngritur nga varret, kapërcenin kufirin e piqeshin me shoqi – shoqin, sikur të qenë pajtuar. Këto zhurmërima u shkaktuan të gjithëve  zemërim të thellë. Heronjtë e rënë, ata që i nderonte gjer në përgjërim një popull i tërë, shkonin dhe takoheshin me hasmin, pajtoheshin me të! Kjo qe për të vënë kujën! Të dy kombet ngritën një komision që të hetonte çështjen. U vunë në përgjim pas disa trungjesh të tharë pemësh, që kishin mbetur aty rrotull dhe pritën mesnatën. Turp e faqja e zezë! Gjithçka qenkësh e vërtetë! Nga fusha e shkretuar çoheshin ca trajta të përzishme që kalonin kufirin. Ato dukeshin sikur mbartnin diçka. Përgjuesit mësyen mbi ta, gjithë rrëmbim zemërak.

-Si ore, ju që u flijuat për atdhe, ju që u nderojmë aq thellë e mbi gjithçka, duke ardhur në pelegrinazh për t’jua mbajtur gjallë kujtimin, që jua mbajmë për të shenjtë vendin ku preheni, ju shkoni dhe bëheni vëllezër me hasmin! Shkoni dhe pajtoheni me të! Ju qofshi!   

Heronjtë e rënë në luftë i vështruan me habi anëtarët e komisionit: – Ç’thoni more? Ne urrehemi për vdekje më shumë se kurrë ndonjëherë. Por ne thjeshtë po shkëmbejmë eshtrat tona. Qe bërë rrëmujë e hatashme këtu…

 

Related posts