Fiks Fare/ Shefi i Krimeve u thotë të dhunuarve: Shko ankohuni tek Edi Rama

Fiks Fare/ Shefi i Krimeve u thotë të dhunuarve: Shko ankohuni tek Edi Rama

Një çift pensionistësh nga fshati Hinkë i Beratit ankohen në Fiks Fare pasi sipas tyre, policia, prokuroria dhe gjykata është duke zvarritur konfliktin e lindur me fqinjin pas vjedhjes se shtëpisë. Pas denoncimit për vjedhje, ata rrihen edhe nga vëllai i të pandehurit. Shefi i krimeve i thotë – “Shko ankohu, shko ne Edi Rama.”

Nadire Toska tregon për Fiksin se kur i vodhën banesën rreth një vit e gjysmë më parë ajo bashkë më bashkëshortin ishin në Itali. Çelësin e shtëpisë e kishin lënë tek komshiu, dhe ishte po ky i fundit që i njoftoi se në banesën e tyre kishin hyrë hajdutë. Pasi u kthyen në shtëpi, dhe panë se si ish tentuar dhe hapur dera ata dyshuan se vjedhja ish bërë pikërisht nga fqinja ku kishin lënë çelësin. Për shkak të fqinjësisë ata tentuan të shkojnë të ballafaqohen, por aty u konfliktuan dhe këtë çështje ja lënë në dorë policisë.

Sipas tyre në fillim u kërkua pushimi i çështjes por pasi ata bënë ankesë pranë prokurorisë së përgjithshme dhe portalit “Shqipëria që duam”, çështja u hetua edhe më thellë dhe u gjetën dy autorët. Prokurorisë dhe gjykatës ju deshën më shumë se një vit që ta kalojnë në seancë paraprake, ndërsa konflikti mes fqinjësh vazhdonte të ishte i hapur. Ditën që gjykata vendosi gjykimin e çështjes, vëllai i njërit prej të pandehurve i zuri pritë dhe rrahu çiftin e pensionistëve.

Çifti Toska bën një tjetër denoncim, por që sipas policisë nuk është i nevojshëm pasi pas raportit mjeko -ligjor ata mund të hapin padi civile në gjykatë. Duke mos marrë kështu në konsideratë faktin që kjo ishte një çështje në vazhdim të së parës, dhe mbi të gjitha çifti ishte kërcënuar. Qytetarët u ballafaquan me shefin e krimeve të Urës Vajgurore, Dashamir Zake.

Ky i fundit pas një debati mes tyre, i jep raportet mjeko -ligjore ku vetëm gruaja ish me dëmtime të rëndësishme, dhe paaftësi për punë deri në 9 ditë. Më pas ai u tregon se duhet t’i drejtohen gjykatës për padi civile ku i pranishëm do të jetë edhe prokurori që do të vlerësoj rastin. Nadire Toska e akuzon se ai po fsheh rrahjen ashtu siç u mundua edhe për vjedhjen, por shefi i thotë se nëse nuk do të ishte për të çështja nuk do të kish përfunduar në gjykatë. Në këtë moment Nadirja i kujton se çështja e saj u mor seriozisht pasi u ankua tek Edi Rama. Atëherë shefi me arrogancë i përgjigjet, “Shko ankohu, shko ne Edi Rama”

Related posts