Flet historiania Lalaj: Lufta civile u pranua që në vitin 1952. Pse nuk duhet të përgojohen dëshmorët si kriminelë. Ngjarjet janë…

Flet historiania Lalaj: Lufta civile u pranua që në vitin 1952. Pse nuk duhet të përgojohen dëshmorët si kriminelë. Ngjarjet janë…

Aristir Lumezi/ Historiania e njohur, Ana Lalaj, pranon se gjatë luftës kundër pushtuesve nazifashistë janë kryer dhe krime lufte, pos, sipas saj, këto krime nuk e minimizojnë lavdinë e saj.

analalaj

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, zonja Lalaj mbështet punën dhe botimet e Institutit kundër Krimeve të Komunizmit, i cili ditët e fundit është vënë nën akuza të forta, duke shtuar se faktet e publikuara prej tij kanë sjellë një dimension të padëshiruar të asaj lufte që nuk është mirëpritur nga shumë njerëz.

Zonja Lalaj, debatet për luftën po hapen e rihapen në mënyrë ciklike. Këtë herë, shkas u bë një rezolutë për krimet e komunizmit, paraqitur në Kuvendin e Shqipërisë nga Instituti i ngritur enkas për të studiuar krimet e komunizmit. Sipas jush, a ka arsye për debat?

Gjithmonë dhe për gjithçka ka nevojë për debat. Përndryshe, nuk do të kishte as zhvillim.  Përfshirë dhe rastin në fjalë. Por ky nuk është debat, kjo është kacafytje. Nuk dua të bëj arbitrin, por këmbëngul që historiografia jonë ka ende nevojë të identifikojë qartë, me pasion e profesionalizëm, të vërtetat e këtij vendi dhe të brezave tanë paraardhës në shtrirjen e tyre në kohë dhe hapësirë. Lufta e Dytë Botërore është njëra nga fushat e identifikimit.

Po bëhen tridhjetë vjet. A nuk ka mjaftuar gjithë kjo kohë për identifikime?

Në fakt, tridhjetë vjet nuk janë pak. Megjithatë, më lejoni një kundërpyetje: pse ne shqiptarët kemi ngecur kaq gjatë në tranzicion? Kacafytjet janë shkaku i parë dhe i fundit. Paaftësia për debate ndërtuese zgjon kurdoherë diku instinktet primitive të të fortit e diku të grindavecit, prej nga jemi kapluar gjithandej.

Po le të mos ikim nga historia e Luftës. Ndryshe nga pamja e përgjithshme, falë kontributit të gjithë atyre që merren me histori, në institucione të profilizuara arsimore e shkencore, si dhe jashtë tyre, kanë arritur me punimet e tyre të shtrojnë një bazament të qëndrueshëm, si kusht për një histori realiste të Shqipërisë së viteve të luftës. Kësisoj, e them me bindje se sot, historiografia jonë për periudhën që flasim, deri më tani mjaft problematike, po e kalon me sukses tranzicionin.

A mund të kemi diçka më të detajuar?

E mbajmë mend të gjithë që pas rënies së komunizmit, klasa politike që erdhi në pushtet, goditjen e parë ia dha historisë së Luftës, më 1992. E shumëpërfolura datë e çlirimit ishte kopertura.

Thelbi mbetet ideja tinëzare e shkurorëzimit të Luftës, duke u përdorur historianët paturpësisht si mashë e politikës. Atëherë ne u vumë në situata qesharake, disa prej nesh mbronim versionin se gjermanët e fundit ikën nga Shkodra më 28 nëntor në mbrëmje, të tjerë se kanë ikur pas mesnate. Për të dyja palët, burimet dokumentare ishin të mangëta, por të dyja palët i mbaheshin orientimit politik të partive përkatëse. Tani gjërat kanë ndryshuar shumë.

Megjithatë, partitë vazhdojnë të mbajnë ende dy data çlirimi…

Po të ishin ndasitë vetëm për kaq, do t’ua kishim falur. Sidoqoftë, të vazhdojmë me detajet. E keni vënë re, besoj, që në studiot televizive, po dhe në shtyp, ata që përplasen për luftën janë politikanët, ndërsa historianët, me ndonjë përjashtim, janë më të rakorduar me njëri-tjetrin. Nuk ka qenë kështu dhjetë ose pesëmbëdhjetë vjet më parë. Arsyeja është e thjeshtë dhe nuk ka të bëjë fare me etikën e debatit, po me njohjen e fushës. Historia nuk është futboll, ku të gjithë tifozët janë gati të bëhen trajnerë. Ka ndodhur ajo që në mënyrë të natyrshme ndodh midis studiuesve seriozë: studim intensiv dhe i thelluar i ngjarjeve, i personave historikë dhe i shoqërisë së kohës, si dhe thithja e të gjitha burimeve të mundshme, brenda dhe jashtë vendit, për fushën e interesuar. Përfshirë edhe shkëmbimin e informacionit me njëritjetrin. Që këtej ka ardhur përafrimi i qëndrimeve në komunitetin e studiuesve, së paku të atyre që merren me luftën.

Ju po thoni se përafrimet kapin edhe pikat më të nxehta të Luftës, bie fjala për karakterin e Luftës, kolaboracionizmin etj.?

Sigurisht. Mbeten ende pika të debatueshme, p.sh., nëse termi ‘nacionalçlirimtare’ është ose jo korrekt, pasi lufta, mendojnë disa, ishte pjesërisht çlirimtare dhe jo luftë vetëm për çlirim kombëtar. Ose nëse ishte ‘antifashiste’ apo thjesht luftë kundër pushtuesit etj. Unë vetë mendoj se shqiptarët nuk u ngritën në luftë me kauza ideologjike, pasi fashizmi, nazizmi, komunizmi, janë ideologji. Ata u ngritën më së pari për të larguar ushtritë pushtuese nga vendi i tyre.

Debatet për luftën civile janë një prej dilemave, apo jo?

Po. Madje, debatet për luftën civile kanë zënë kohën më të madhe. Me këtë çështje është marrë gjerë e gjatë studiuesi Uran Butka. Një kohë, këmbëngulja e tij për praninë e luftës civile në Shqipëri më nervozonte. Butkën unë e shihja si krahun revanshist dhe kundër luftës. Ka hallin e të atit, mendoja unë. Sot më vjen zor kur e kujtoj.

Unë nuk njihja as Butkën, kaçakun e luftërave të hershme për liri, për gjuhën dhe shkollën shqipe, plakun e Luftës së Parë, as Butkën e Luftës së Dytë e jo më Butkën e sotëm, që e mendoja një luftënxirës (jo luftënxitës!) të rëndomtë, dikush që e nxin dhe hedh baltë mbi luftën. Në tryeza, doemos edhe kur doli me librat e tij, unë pashë studiuesin serioz e pasionant që i mbronte vlerat e luftës kundër pushtuesit, si tregues i identitetit dhe të kulturës së shqiptarëve. Por me një ndryshim. Ai Luftën nuk e shihte si “tokë e xanun”, po si kontribut më të gjerë nga sa jemi mësuar ta shohim.

Gjithsesi, kur flasim për luftën civile, më duket se ka një ngatërresë të madhe. Lufta civile dhe lufta kundër pushtuesit nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën. Në Luftën e Dytë Botërore, luftëra civile kanë pasur edhe të tjera vende dhe jo vetëm në Greqi, në fund dhe pas luftës. Luftë civile pati në Jugosllavi (sado që edhe atje nuk është pranuar deri vonë), por kontributi i popujve jugosllavë në Luftën e Dytë Botërore është i jashtëzakonshëm.

Vlerësimi nëse ka pasur apo nuk ka pasur luftë civile në Shqipëri nuk varet nga motivet e luftës, po nga forcat ndërluftuese, nga çfarë ka ndodhur në terren. Kështu e shpjegojnë gjithë fjalorët e botës. Vërtet, lufta në Shqipëri ishte e drejtuar kundër pushtuesit, po ç’pate, more zotëri, që iu ktheve armët shqiptarëve! Aq sa, siç e vëren me të drejtë prof. Paskal Milo, pasi komunistët i shpallën luftë Ballit Kombëtar, në letrat që Enver Hoxha u dërgonte komiteteve qarkore vihet re “një disproporcion i madh midis trajtimit që i bëhet ‘objektivit kryesor’, luftës kundër pushtuesit gjerman dhe objektivit tjetër, luftës për pushtet kundër Ballit Kombëtar e lëvizjes zogiste.

Vëmendja në këto letra është tek objektivi i dytë”. (Paskal Milo, Udhëkryqe shqiptaro-gjermane, Botimet Toena, 2016, f. 130) Ka plot detaje të tjera që sugjerojnë vështrime gjakftohta. Në verën e vitit 1944, Enver Hoxha e kundërshtoi Shtabin Aleat të Mesdheut, se në Shqipëri, sipas tij, “nuk kishte grindje të brendshme dhe aq më pak luftë civile”. Por Hoxha bënte politikë. Pas luftës në tekste historie, kam parasysh maketin e Historisë së Shqipërisë, më 1952, u fol për luftë civile, në studime akademike po ashtu. Për t’u përmendur punimet e Ndreçi Plasarit, Luan Omarit.

Pa të mendojmë pak. Bëhet fjalë për atë kohë, kur historianët, ndonëse të rezervuar, nuk u penguan në këtë pikë. Atëherë, përse sot politikanë dhe tabore militantësh nuk e kanë për gjë të linçojnë me lloj-lloj fjalimesh trysnuese për gjoja zhvlerësim të luftës? Si përfundim, kjo tezë e kundërshtuar nga një pjesë prej nesh, tani po pranohet nga shumica e studiuesve të Luftës së Dytë Botërore. Kjo gjë flet për përafrim pikëpamjesh, pas një procesi të gjatë vlerësimi e rivlerësimi të të gjitha burimeve të kohës. Për këtë. politika mund të na dëgjojë ose jo. Punë e saj! Le të punojmë në kopshtin tonë, thoshte Volteri.

Pra, ju historianët keni qenë ose vazhdoni të jeni ende në dy kampe. Me aq sa thatë, duket se ju keni lëvizur drejt tjetrit. A ka të dhëna që, fjala vjen, Butka të ketë ardhur drejt jush?

Ndarja në grupe është konvencionale. Thjesht se njihen pikëpamjet e pesë a gjashtë studiuesve, në raport me të pesë a gjashtë të tjerëve, ashtu siç ndihet evoluimi i çdonjërit prej tyre ose prej nesh. Kolegu që ju përmendni sa ç’është këmbëngulës në qëndrimet e veta, është i bindur si fëmijë përpara të vërtetës.

Të paktën, kështu e njoh unë. Ai e ka njohur me kohë kolaboracionizmin e luftës, por jo të Ballit Kombëtar si organizatë e as të elementëve të veçantë brenda tij. Ai i është mbajtur faktit që Balli u distancua nga ata që u vunë në krah të gjermanëve, sapo ata erdhën në Shqipëri. Rasti i Lef Nosit, për shembull. Tani ka të dhëna të shumta që Balli Kombëtar jo vetëm iu përgjigj me armë komunistëve, për këtë kishin të drejtë, po rrëshqiti gjithnjë e më shumë në kolaboracionizëm. Kjo tezë tashmë është pothuaj e gjithëpranuar.

Ka historianë që e kanë përligjur kalimin e Ballit në krah të pushtuesit, për shkak se komunistët i vunë armët. Ju si mendoni?

Ju përdorët termin përligjje, quajeni edhe shfajësim po deshët. Shumëkush i ka dhënë të drejtë, në pamundësi për rrugë tjetër. Por, me sa di, pjesa më e madhe e studiuesve, përfshirë dhe mua, e konsideron komprometim historik kalimin e Ballit Kombëtar në krah të pushtuesit. Megjithatë, bëri mirë apo bëri keq Balli që u bashkua me gjermanët, ky është një vlerësim moral, për të cilin, si rregull, historiani rezervohet të shprehet. Historiani ka detyrë ta shohë ngjarjen historike në si-të dhe pse-të e veta. Me fjalë të tjera, si ndodhi dhe pse ndodhi që Balli u ftua në bisedime për marrëveshje; si dhe pse ndodhi që marrëveshja u prish, si dhe pse Hoxha dha urdhër që Balli të goditej kudo që të gjendej; pse ky i fundit i pamundur të përballej, kërkoi mbështetjen e gjermanëve? E të tjera.

Duke iu përmbajtur si-ve dhe pse-ve si mjet analize, a vlerësoni se Balli kishte mundësi tjetër mbijetese?

E vetmja mundësi do të ishte riorganizimi në atë shkallë sa të ishte konkurrues ushtarak me Frontin Nacionalçlirimtar. Kjo rezulton e pamundur. Një shpërndarje e organizatës mund të shpëtonte një pjesë të tyre. Safet Butka e ndjeu i pari atë që do të vinte dhe u vetësakrifikua. Skënder Muço zgjodhi ta vazhdojë i vetëm luftën kundër gjermanëve, derisa u vra. Të tjerë nacionalistë provuan të luftojnë me formacionet e tyre jashtë Frontit Nacionalçlirimtar, por nuk mbijetuan. Manush Myftiu, zv.komisar i Brigadës V, e ka shpjeguar në hollësi çfarë ndodhi me Muharrem Bajraktarin. “Ai (Muharrem Bajraktari) me njerëzit e tij luftonte kundër gjermanëve dhe ne u dëshpëruam, thotë Myftiu. E takuam dhe na priti shumë mirë. Por nuk pranoi të hynte në Front.

E provokuam duke hapur fjalë rreth tij, atëherë ai mblodhi miqtë dhe u tha se këta të Nacionalçlirimtares nuk duan të tjerë të luftojnë. Shpërndau forcat, duke mbajtur pak vetë. Atëherë ne e goditëm dhe në atë rast na u vranë 28 partizanë dhe u plagosën 30 të tjerë. Por humbja më e madhe ishte politike”, përfundon Myftiu.

“Populli e pa se ne e goditëm Muharrem Bajraktarin prapa krahëve, kur ai kishte ardhur të na jepte dorën”.

Shkas për debat është edhe një libër që Instituti për Studimin e Krimeve të Komunizmit ka botuar dhe që përmban një listë emrash drejtues të luftës, të cilët kanë bërë krime…

Libri është botuar, në mos gaboj, katër ose pesë vite më parë. Me gjithë vërejtjet që kam rreth interpretimeve dhe përfundimeve të autorit, sidoqoftë është një ekzaminim i një dimensioni të padëshiruar të asaj lufte, i krimeve të drejtuesve të saj. Kjo ka irrituar mjaft njerëz dhe në raste të veçanta mund të kenë të drejtë. Por krimet kanë ndodhur.

Ju do ta kishit botuar një listë si kjo?

Jo. Pa e vënë në dyshim korrektesën shkencore të burimeve, jo gjithçka që gjendet në arkiva është e përshtatshme për botim. Në listë janë edhe burra me kontribute të mëdha në luftë, por për një arsye ose një tjetër kanë qenë të detyruar të zbatojnë urdhrat. Të tjerë kanë rënë në atë luftë.

Nuk më duket e udhës e as produktive që një dëshmor ose hero i luftës të përgojohet si kriminel. Dhe më e fundit, për fat të keq, terrori ka qenë frymë e luftës, që i ka përfshirë të gjithë. Po lexoja mbrëmë kujtimet e njërit prej komandantëve në veri të vendit. Kujtimet janë të vitit 1956. Diku, ai shkruan se me njësitin e tij më 6 maj 1944 në Pyllin e errët të Valbonës, kishte kapur dhe vrarë Patër Lek Lulin.

Pastaj kishin ndezur “një zjarr të madh ku iu dogjën edhe eshtrat. Aq sa më vonë, kur erdhën ta kërkonin nuk u gjet asnjë shenjë nga pluhuri i shpërndarë”. Jo vetëm makabre, por edhe një zell i çuditshëm për ta shkruar këtë ngjarje. Dhe kjo ka të bëjë me frymën.

Ju po flisni për frymë terrori në luftë?

E kanë pohuar vetë drejtuesit e atëhershëm të luftës. Njëri prej tyre, Gogo Nushi, tha në Berat (Plenumi II-të, nëntor 1944) se tendenca terroriste ka qenë vijë për ne. “Të gjithë ata që kanë qenë kundërshtarë të politikës sonë,-tha ai,-jo kriminelë e kuislingë, ne i konsideronim si armiq dhe përpiqeshim t’i zhduknim nga faqja e dheut”.

Çfarë mund të thuash më tepër?! Po ç’ndodh? Po të hapësh këtë temë, të del tjetri e të thotë se nuk kanë vrarë vetëm komunistët, kanë vrarë e prerë edhe ballistët. Të thotë se në luftë kështu ndodh, se në Francë janë vrarë kaq e aq, se në Norvegji e Danimarkë po ashtu etj. Por ata i thonë, nuk i fshehin. Atëherë, pse u dashka të fshihen tek ne?

Sepse kështu shkurorëzohet vetë lufta…

Kurrsesi jo. Hipoteka e Luftës kundër pushtuesve nuk ndryshon. Ajo është e lavdishme ashtu siç është.

Krimet e drejtuesve të saj, sa herë kanë ndodhur e cilido që i ka kryer, nuk prekin gjakun e atyre që ranë, nuk prekin mikpritjen e familjeve që hapën vatrat, që pritën e përcollën me rrezik koke. Pra, nuk bëhet fjalë për shkurorëzim të luftës, po për ta sjellë atë ashtu siç është, pa mite, sepse ashtu është më njerëzore e që i përmban të dyja, si dhembjen ashtu edhe heroiken. Më mbeti në kokë ajo që tha “neofashisti” Agron Tufa në një nga emisionet që kontrollova.

“Lufta kundër pushtuesit është e shenjtë”, tha ai. Gjyshi im ka qenë pjesë e asaj lufte, i cili shkoi deri në Bosnjë. Pra, ka një keqkuptim të madh. Nuk e përjashtoj, mund të ketë individë kundër luftës antifashiste. Por kjo kurrsesi nuk është fryma. Kjo na bën të ndjehemi mirë.

A nuk është në kapërcim të ligjit Instituti, duke u marrë me krimet e luftës, në vend që të merret me krimet dhe pasojat e krimeve të komunizmit?

E pashë ligjin dhe gjithçka është në objektin e punës së tij. Por edhe sikur të mos shprehej kjo e drejtë, përderisa nuk ndalohet, do të thotë se lejohet. A mund t’i thuash Autoritetit për Hapjen e Dosjeve të Sigurimit të Shtetit pse merresh dhe pse harxhon para për kampet dhe burgjet komuniste, pasi nuk ta kërkon ligji? Autoriteti sensibilizoi opinionin me kampet famëkeqe të Tepelenës etj., duke i sjellë një shërbim publikut të sotëm. Kështu është edhe puna e Institutit, të cilin e mendoj shumë bashkëpunues me Autoritetin, njëri që identifikon krimet dhe tjetri që i studion në mënyrë profesionale.

Unë nuk e njoh veprimtarinë e Institutit, por për sa u përket botimeve që janë bërë publike, shumica e tyre janë një mrekulli.

Ky është viti i 75-vjetorit të çlirimit. A mendoni se duhet të bëhet diçka më shumë?

Një jubile që meriton të kujtohet sot dhe nesër. Pashë një mesazh që kryetari i Kuvendit u dërgonte partizanëve të Brigadës së Tetë. Këto janë forma të nevojshme. Por nuk e kuptova pse i duhej drejtuar opinionit me shprehjen: “Unë dhe gjithë socialistët shqiptarë e kemi bërë zgjedhjen tonë. Ju zgjidheni vetë në cilën anë të historisë dëshironi të qëndroni”. Për fat të keq, duket se keqkuptimi vazhdon. Më keq akoma, e famshmja parullë e dikurshme “O me ne, o kundër nesh”, po përjeton versionin e saj modern!/PANORAMA

Related posts