FOTO LAJM/ Hipokrizia çan bllokadën

FOTO LAJM/ Hipokrizia çan bllokadën

Nga Namir Lapardhaja

Sot vizitoi qytetin e Beratit Ambasadori i SHBA në Shqipëri, Shkëlqesia e Tij, Aleksandër Arvizu.

Ai erdhi, siç u shpreh në media, për të parë filmin dokumentar kushtuar  familjes Stefa dhe posaçërisht z. Kostaq Stefa, pushkatuar barbarisht nga komunistët, për shkak se shoqëroi dhe shpëtoi nga gjermanët ekipin mjekësor amerikan në një odise të jashtëzakonshme përmes maleve dhe zonave me prani të nazistëve.

Ekipi mjeksor amerikan shpëtoi falë mençurisë, trimërisë, besnikërisë dhe sakrificave të djalit të shquar të Beratit Kostaq Stefa.

Pikërisht për këtë gjest të madh, që nderoi Kostaqin dhe familjen e tij, që nderoi Beratin dhe Shqipërinë, komunistët që zëvëndësuan në pushtet nazistët, e pushkatuan si spiun amerikan.

Sot, për ironi të fatit, në ekran u shfaq Ambasadori Arvizu dhe në krah të tij prokurori komunist Orhan Frashëri, që ka çuar në pushkatim mjaft qytetar të pafajshëm si kundërshtarë të komunizmit, duke filluar me Anastas Lulon në Qafën e Gllavës e deri tek i riu Sokol Sejko.

Në fjalën e tij Ambasadori Arvizu, midis të tjerave, e quajti kryetarin e bashkisë Fadil Nasufi “një mik të madh të SHBA-ve”, shtoi se edhe zoti Nasufi kishte dëgjuar për heroizmin e madh të Kostaq Stefës dikur, por nuk mund të fliste, se regjimi komunist ishte i egër.

Qytetarët e Beratit kanë buzëqeshur me ironi, kur dëgjuan këto konsiderata për ish-sekretarin e parë të Bashkimit të Rinisë Komuniste për Beratin, zotin Nasufi, tani “një mik i madh i SHBA-ve”, janë trishtuar kur bashkë me ambasadorin pozonte në TV-lokal edhe Orhan Frashëri, që dënoi deri edhe me vdekje qytetarë shqiptarë si pro amerikan.

Një i persekutuar u shpreh kur pa këto sekuenca në TV-Lokal : “Komunistët na morën rininë, jetën, pronat. Tani po na vjedhin edhe disidencën, burgun politik , SHBA-në, Ambasadorin amerikan.”

 

Related posts