Fragment nga “Mengjeset ne Kafe Rostand” nga I. Kadare

Fragment nga “Mengjeset ne Kafe Rostand” nga I. Kadare

E gjithë kjo besnikëri gjenetike ndaj diktaturës së përmbysur, e parë nga larg të kujtonte tregimin “Qentë”, që u bë i famshëm në prag të rënies së komunizmit, ende pa u marrë vesh se ku u shkrua dhe prej kujt.

 

Ngjarja shtjellohet në prag ose fill pas rënies së rendit komunist, diku në një zonë internimi, të ngjashme me Siberinë. Pas mbylljes së kampit, mbetën barakat e braktisura të tij, që nuk hynin në punë për asgjë. Ishin shqyer e shitur orenditë e pakta, dyert, llozet e hekurta, së fundmi iu shitën banorëve të katundeve përreth qentë që ruanin të dënuarit.

 

Vite më pas dukej se gjithçka e mëparshme po harrohej, dhe përveç barakave të lëna, dukej se asgjë s’do të sillte në kujtesë kampin e dikurshëm. Por s’ishte ashtu. Në festën e Një Majit, të cilën qendra e provincës, pas një ndërprerjeje, vendosi ta përkujtonte si dikur, e shkuara ia behu befas. Në kohën kur zyrtarët u ngjitën në tribunën e sajuar dhe festuesit me flamurë dhe banderola po rreshtoheshin për parakalimin tradicional, ashtu si në kohën e dikurshme, fill pas tingujve të orkestrës, ndodhi e pabesueshmja. Më dhjetëra qen të egërsuar u shkëputën befas nga duart e soditësve dhe me lehje të frikshme rrethuan parakaluesit. Të tmerruar, këta të fundit s’po kuptonin asgjë, gjersa një ish-i burgosur rendi drejt tribunës, rrëmbeu një megafon dhe u kërkoi parakaluesve që, për të shmangur ndonjë gjëmë, t’i bindeshin atij dhe qenve. U desh njëfarë kohe për t’u marrë vesh ç’duhej bërë. Ish-i burgosuri, në krye të parakaluesve, po i printe ata në drejtim të barakave të braktisura, pa arritur të shpjegonte thelbin e misterit. Sa ç’ngjante i qartë për të, aq ishte i errët për të tjerët. Duke qenë qen-roje të kampit, me të parë njerëzit e vënë në rresht, te qentë ishte zgjuar instinkti i vjetër i shoqërimit të të dënuarve, ndaj nuk do të qetësoheshin gjersa grumbullin njerëzor ta çonin te barakat e kampit, ashtu siç bënin dikur.

 

Detraktorët e sotshëm shqiptarë s’kishin ndonjë ndryshim prej kësaj race qensh…(Paris, 2014)

 

Related posts