Gazetari Fatos Mahmutaj i shkruan Kryeministrit Rama: Trafikantët e hashashit dogjën fshatin tim

Gazetari Fatos Mahmutaj i shkruan Kryeministrit Rama: Trafikantët e hashashit dogjën fshatin tim

I nderuar Edi Rama, Kryeministër i vendit tim,
Do të doja mjaft që të mos bezdisja në këto ditë të nxehta gushti, duke të lënë pak kohë për të pushuar pas muajsh të gjatë lodhjeje elektorale e paszgjedhore. Po kështu më vjen sinqerisht keq që t’ia shtoj këtë letër dëgjesave të stërzgjatura publike, të cilat deklarove se i mbylle bashkë me muajin korrik.
Dua ta nis me mirënjohje dhe respekt i nderuar Kryeministër, pasi falë Jush nisi të zhbëhej një problem shkatërrimtar në fshatin tim të origjinës, Metoh Mallakastër. Po tregoj shkurt: Prej paradites së të hënës në kodrën jugore të fshatit Mbjeshovë të Beratit, për ironi të fatit vendlindja e kryebashkiakut të Beratit zotit Petrit Sina nisi një zjarr i fuqishëm. I stimuluar edhe prej erërave, për pak orë shkrumboi gjithçka aty, rreth 50 hektarë pishë 45 vjeçare dhe më tepër sipërfaqe pylli dushku dhe shkurresh rreth 30 vjeçare. Duke mos u interesuar kush për këtë zjarr, i cili mund të izolohej me pak njerëz dhe punë, erërat e shtynë drejt jugut dhe e sollën drejt fshatit tim të origjinës Metoh të rrethit Mallakastër çka rrezikoi banorët dhe shtëpitë. Kështu, prej mesnatës pas të hënës u ndez një sipërfaqe e konsiderueshme pishash dhe stimuluar edhe prej temperaturës së lartë brenda pak orësh dëmi arriti në më tepër se 150 hektarë. Bëjmë një llogari të thjeshtë: Pishat janë mbjellë në distancën 2mx2m, pra 2500 bimë për një hektar ose rreth 400 mijë bimë gjithsej. Pra një dëm i jashtëzakonshëm.
Përfshirja ime në këtë histori ishte rastësore, pasi unë jetoj në Bruksel të Belgjikës, prej disa vitesh. Lexova në ëall-in e Facebook të një bashkëfshatari tim, se Metohu po digjej. U interesova dhe më erdhën videot dhe fotot e para. Ua shpërndava medieve. Ndërkohë ju njoftova edhe juve me sms. Vetëm në këtë moment, (nuk dua të besoj pas urdhrit tuaj), u dukën në fshat zjarrfikësit. Dua të them që fshati im nuk është më tepër se 7 km nga qyteti i Ballshit. Banorët kishin njoftuar policinë. Efektivët kishin shkuar në vendngjarje që paraditen e së martës dhe … kishin konstatuar se kishte rënë zjarr! Vetëm kaq. Bashkëfshatarët e mi ndërkohë, pasi kishin humbur çdo shpresë kishin ngritur sytë nga Zoti. Nuk kishin asnjë zgjidhje. Në Ballsh, pranë Kombinatit të Përpunimit të Thellë të Naftës ndodhet një komisariat zjarrfikësish i mirëkompletuar në mjete dhe me organikë të tejfryrë. Këta njerëz (nuk jam i sigurt nëse policia i kishte njoftuar apo jo), por gjithsesi i bie që të mos të bëjnë asgjë veçse t’i rëndojnë buxhetit të shtetit. Prefekti nëpër media deklaroi se terreni ishte i vështirë dhe malor. Pika më e lartë e Mallakastrës nuk i kalon 600 metër. Të më falë prefekti por në Gjeografi kemi mësuar se male quhen formacionet mbi një mijë metër lartësi. Gjithsesi ai pohoi se nuk kishte as rrugë. Më vjen keq, (nëse do e merrnim të mirëqenë këtë), nuk arrij ta kuptoj se çfarë masash kishin marrë prefekti bashkë me kryebashkiakun për këtë ditë!? Apo rrugë nuk ka pasur prej 30 vjetësh dhe këta kanë veç pak vite në detyrë!? Në fakt rrugë ka.
Zoti Kryeministër vetëm tre muaj më parë në kodrën përballë, atje përkrah të parëve tanë, varrosa tim atë. Një hemorragji cerebrale e mori ende pa gëzuar disa vite nga pensioni. Sigurisht nuk do kishte vend përmendja e fatkeqësisë së familjes time, nëse i ndjeri im atë nuk do të ishte personi që ka projektuar, piketuar, mbikëqyrur dhe mbjellë gjithë këtë sipërfaqe pishash, e cila nga dje është kthyer në një sipërfaqe gjigante shkrumbi e hiri. Isha në shkollë fillore kur shkoja pas tim eti të dielave dhe kam fiksuar në memorie momentet kur ai, buzë burimit të Gjanicës, në një lirishtë të vogël përkëdhelte fidanët disacentimetërsh të pishave që kishte mbjellë pak muaj më parë. Unë me naivitetin e moshës e pyesja: Kur do rriten dhe sa të gjata do bëhen këto? Ai nuk përtonte të më shpjegonte gjithçka me hollësi. Unë vazhdoja me kuriozitetin tim: Po sikur t’iu ndodhë gjë e keqe këtyre fidanëve? –Jo bir, -m’u përgjigj ai, -nuk do i lë unë. Dhe vërtet, sa ishte gjallë, i pasionuar edhe pas gjuetisë, ai i shihte thuajse çdo ditë dhe shpirti i tij e di sesa i mrekulluar dhe kënaqur ndihej nga gjithë kjo mrekulli që papërgjegjshmëria e atyre që duhet ta administronin dhe ruanin e zeroi në pak orë.
E thashë këtë të fundit pasi edhe pse të terrorizuar nga shkrumbimi dhe fqinjët e papërgjegjshëm, bashkëfshatarët e mi më pohuan se zjarri nuk ra aspak nga qielli, por ishte ndezur nga kultivuesit e hashashit, të cilët për të zhdukur gjurmët e krimit i kishin vënë flakën sipërfaqeve. Temperaturat dhe erërat bënë që gjithçka të dilte nga kontrolli dhe ja pasojat. Me siguri policia e Beratit, përgjegjëse për zonën e kultivimit të hashashit, nuk e ka raportuar këtë në kohë, ose ndoshta fare. Kjo për faktin se dy policë ‘kokëfortë’ vitin e kaluar në të njëjtin vend kishin pikasur parcelat e marihuanës dhe bashkë me informacionin iu kërkuan eprorëve përforcime për të ndërhyrë. Dhe në vend të kësaj njëri mori transferim në Tiranë për të ndjekur ca trajnime dhe tjetri ngritje në detyrë në rrethin e Kukësit. Në fakt, para se ta nisnin këtë histori, policët ishin paralajmëruar prej trafikantëve se do e pësonin pasi këta ishin kockë e fortë dhe se kishin përkrahjen e LSI. Do ishte shmangur gjithë kjo katastrofë e fundit, jo vetëm mjedisore, nëse inspektorët e policisë së zonës do kishin qenë pak më kurajozë dhe do e kishin asgjësuar hashashin para se pronarët ta vilnin.
Dhe e fundit zoti Kryeministër. Jam realist që Shqipëria nuk mund të bëhet me shkop magjik. Problematika është e shumëllojshme. Dikush (si unë) ankohet për katastrofa të shkaktuara nga zjarret, dikush tjetër për fatkeqësitë natyrore, një tjetër për cilësinë e plazhit e një tjetër për zyrtarët burokratë e mitmarrës. Nuk do ju drejtohemi Juve për gjithçka dhe çdo herë. Duhet që të funksionojnë hallkat e shtetit njëlloj si në çdo vend tjetër demokratik. Fundoja fare juve jeni autoriteti më i lartë i vendit tim. Kujt do i drejtohemi tjetër!? Sipër jush (në hierarki) qëndron vetëm Zoti. Nëse problemet e shqiptarëve nuk do gjejnë zgjidhje prej jush, atëherë njerëzit do i drejtohen Të Madhit. Teologët thonë që Ai gjithmonë përgjigjet, me lehtësim ose ndëshkim. Shpresoj në mëshirën e tij. E mbyll këtë letër duke ju falënderuar për leximin dhe uroj që shkatërrimi i fshatit tim të jetë i fundit në Shqipërinë tonë të stërmunduar e hallemadhe.
Fatos Mahmutaj
Bruksel më 3 gusht 2017.

Related posts