Gjobat e reja për biznesin, 50 mijë lekë kush nuk lëshon kuponin tatimor, ja kur ndëshkohesh 200 mijë lekë

Gjobat e reja për biznesin, 50 mijë lekë kush nuk lëshon kuponin tatimor, ja kur ndëshkohesh 200 mijë lekë

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila shfuqizoi gjobat marramendëse ndaj biznesit, Ministria e Financave ka hartuar një nivel më të ulët edhe se penalitetet e mëparshme, në ndryshimet e fundit të ligjit të procedurave tatimore, i cili pas diskutimeve të shumta me bizneset ka marrë variantin përfundimtar. P.sh., moslëshimi i kuponit tashmë ka gjobë 50 mijë lekë (kujtojmë se me supergjobat kjo masë u vu 500 mijë lekë) dhe në rast përsëritje aktiviteti, bllokohet për 30 ditë dhe në rast përsëritje të vazhdueshme, konsiderohet evazion tatimor.

Për mosdeklarimin e punonjësve, biznesi i vogël merr gjobë 50 mijë lekë dhe i madhi 200 mijë lekë (për biznesin e madh gjoba më parë ishte 500 mijë lekë). Masat janë zbutur edhe në rastet kur kapet malli i pashoqëruar me faturë tatimore, ku nuk parashikohet bllokim malli, por biznesi i vogël kalon si tatimpagues i TVSHsë, ndërsa biznesit të madh i bëhet rivlerësim, ndërsa në të dy rastet gjoba është sa 100% e tatimit të deklaruar, përveç tatimit dhe kamatëvonesave. Revista “Monitor” ka zbardhur masat ndëshkuese sipas ndryshimeve në ligjin e procedurave, ndërsa janë të përmbledhura në tabelën në fund.

MASAT E GJOBAVE
Mosdeklarimi në afat i deklaratës tatimore
“Tatimpaguesi, i cili nuk dorëzon në afatin e përcaktuar sipas ligjit përkatës, deklaratën tatimore, për të cilën detyrohet sipas ligjit të deklarojë, dënohet me gjobë për çdo deklaratë tatimore të padorëzuar në afat, si më poshtë: 10 000 lekë për tatimpaguesit e tatimit mbi fitimin; 5 000 lekë për tatimpaguesit e tjerë”

Mospagimi në afat i kësteve të tatimfitimit
Mospagimi në afat i kësteve paraprake të tatimit mbi fitimin ose kësteve paraprake të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin, dënohet me gjobë në masën 10% të shumës së këstit për t’u paguar.

“Mosdeklarimi i punonjësve dhe fshehja e pagës”
Nëse nga verifikimi dhe kontrolli në vendndodhjen e biznesit rezulton se tatimpaguesi nuk ka deklaruar në organin tatimor çdo të punësuar rishtazi, të paktën një ditë kalendarike përpara fillimit të punës, përveç detyrimit për pagimin e shumës së detyrimeve tatimore dhe kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, të llogaritura nga data e konstatimit, dënohet me gjobë për çdo punonjës të padeklaruar: a) tatimpaguesit e regjistruar si subjekte të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar dhe tatimit mbi fitimin, me gjobë prej 200 000 (dyqind mijë) lekë; b) tatimpaguesit e tjerë, me gjobë prej 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë.

Kjo gjobë nuk aplikohet në rastin kur nga verifikimi dhe kontrolli në vendndodhjen e aktivitetit të personit fizik të vetëpunësuar, evidentohen persona mbi 16 vjeç, të cilët kategorizohen si persona të papaguar të familjes. Në këtë rast, pas konstatimit, tatimpaguesit përkatës i lihet kohë deri në 5 ditë kalendarike që të vërtetojë pranë organit tatimor se personi i evidentuar në vendin e aktivitetit është person i papaguar i familjes ose që bashkëjeton ligjërisht me të vetëpunësuarin sipas kuptimit në Kodin Civil.

Related posts