INTERVISTA/ 46 vjeçari nga Berati tregon arrestimin dhe gjyqin për një çadër

INTERVISTA/ 46 vjeçari nga Berati tregon arrestimin dhe gjyqin për një çadër

Dritan Telegrafi, 46-vjeçar nga Berati u gjend nën presionin e Prokurorisë, e cila dyshon se ai ka vjedhur një çadër.

Ish-polici i mbetur pa punë tregon si e gjeti çadrën në rrugë, si e shiti më pas për 7500 lekë të vjetra dhe akuzat që u ngritën ndaj tij për çadrën.

“Nuk dua të vjedh, thjesht punoj natën se më vjen turp nga familja dhe miqtë e mi. Jam pa punë”, tregon Telegrafi, fjalët e të cilit nuk e kanë bindur prokurorin e Beratit. I bindur se është para një krimi të rëndë, prokurori ka apeluar çështjen me qëllim burgosjen e Dritan Telegrafit, që dyshohet se ka vjedhur një çadër.

Si ndodhi që ju u akuzuat për vjedhje?

Para 4 muajsh ka ndodhur, rreth orës 11 të natës, kur unë kisha dalë për të kërkuar kanoçe. E bëj këtë punë për të siguruar bukë për fëmijët. Dilja vetëm natën se ditën më shikonin miqtë dhe shokët e më vinte zor, se dhe kam dhe dy vajza. Në momentin që unë isha duke mbledhur kanoçe, më zë syri një çadër dielli që vendoset nëpër tavolinat e lokaleve. E mora dhe rrugës duke ikur për në shtëpi, tek ish-NSHG, më del para një tregtar ambulant që shet në treg frutaperime. Ai më kërkon që t’ia shes çadrën se i duhej në treg. Iu përgjigja se e shesh për 10 mijë lekë (të vjetër). Ai më tha se kishte vetëm 7500. E pranova dhe me ato para bleva 1 kg fasule, dy bukë, gjysmë kg sallam dhe kusurin piva një kafe për vete se isha i lodhur gjithë natën. Pasi i çova në shtëpi, pas 4 orësh që unë kisha shitur çadrën, për çudi më vjen policia dhe më thirrin. Dal jashtë dhe shoh punonjësit e policisë që i përshëndes, pa e ditur pse kishin ardhur. Ata më kërkuan që të shkoja me ta në komisariat se kishin një sqarim. Shkoj në polici i shoqëruar nga tre punonjësit, ish-kolegët e mi vite më parë. Kur hyj në komisariat, një oficer m’u drejtua me fjalët: Erdhe ti, hajduti i çadrës? Do të dënohesh! Iu përgjigja: Hajdut nuk jam, por punoj për bukën e gojës.

U arrestuat menjëherë?

Më dërguan në dhomat e paraburgimit. Aty më ra tensioni, por policët e shërbimit lajmëruan mjekun me shpejtësi dhe me mjekime e mora veten. Të nesërmen më morën me pranga dhe më çuan në Gjykatë. Për mirësinë e Zotit, një avokat erdhi të më mbrojë pa lekë. Trupi gjykues vendosi si masë “detyrim paraqitje”, por prokurori i çështjes ngrihet dhe thotë: Nuk jam dakord! Pasi mbaroi gjyqi, unë dola dhe ika në shtëpi. Nuk kaluan pak ditë dhe më vjen një shkresë nga Prokuroria e Beratit, ku thuhej se unë duhej të paraqitesha në Gjykatën e Apelit Vlorë për ndryshim vendimi, jo me detyrim paraqitjeje, por burg. Më datë 21 prill paraqitem në Vlorë te Gjykata Apelit për të marrë vendimin e Prokurorisë. Prokurori i çështjes ka kërkuar përsëri dënimin tim me burg për vjedhjen e një çadre. Trupi gjykues u tërhoq dhe më pas doli duke kërkuar sërish lirimin tim, duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Beratit.

Si është gjendja juaj tani?

Unë kam shqetësimin e familjes sime, e cila është shqetësuar shumë. Kam vajza, të cilat do të shkojnë në shkollë dhe u vjen zor. Por unë e them prapë që nuk kam vjedhur, por kam punuar për të jetuar. Unë jam para një situate tejet të rënduar që për një çadër që e kam shitur para 4 muajsh, pronari i saj të kujtohet tani.

Si e përballoni jetesën?

Familja ime përbëhet prej 4 vetash dhe kërkojnë të ushqehen. I vetmi që kam punuar kam qenë unë. Nëpërmjet gazetës i kërkoj Bashkisë së Beratit që të më sigurojë një punë për vete dhe familjen time.

Related posts