Intervista/ Flet mjekja: Astma, nevoja për një trajtim të hershëm për të parandaluar komplikacionet

Intervista/ Flet mjekja: Astma, nevoja për një trajtim të hershëm për të parandaluar komplikacionet

Pacientë të ndryshëm mund të kenë shqetësime të ndryshme kur bëhet fjalë për astmën, një sëmundje inflamatore kronike e rrugëve të frymëmarrjes.

Ornela Marko, mjeke alergologe–imunologe, thotë se mënyra e shfaqjes varion nga lloji i astmës dhe nga mosha e fillimit të sëmundjes.

Në përgjithësi, sipas doktoreshës, astma mund të paraprihet nga ankesa të rrugëve të sipërme respiratore si rrufë, teshtima, bllokim të hundëve apo me skuqje e lotim të syve, por mund të fillojë dhe me një kollë të thatë, bezdisëse, që zgjat në kohë dhe nuk qetësohet nga terapia për infeksion të zakonshëm të mushkërive.

Ornela Marko, mjeke alergologe–imunologe

Ornela Marko, mjeke alergologe–imunologe

Mund të fillojë me fishkëllima në gjoks apo me vështirësi në frymëmarrje e ndjenjë rëndimi në kraharor, kryesisht natën. Në një intervistë dhënë për gazetën, doktoresha e vë theksin në rëndësinë e trajtimit të hershëm të kësaj sëmundjeje, si një mënyrë për të parandaluar edhe komplikacionet, të cilat mund të shpien në fatalitet.

“Një astmë e patrajtuar mund të fillojë dhe të kalojë në disa faza, të cilat manifestohen me përkeqësim të simptomave. Mund të fillojë me kollë spastike ose si krizë astmatike, për të vazhduar si atak astmatik dhe më pas si gjendje astmatike. Kjo e fundit është një situatë mjaft delikate dhe është jetëkërcënuese për pacientin, pasi nëse nuk paraqitet menjëherë te mjeku, mund të përfundojë dhe me vdekje, fatkeqësisht”.

Doktoreshë, data 7 maj është Dita Botërore e Astmës. Për të kuptuar diçka më tepër mbi këtë sëmundje, çfarë është dhe si shfaqet?

Pra, cilat janë shenjat që jep? Me përkufizim mjekësor, astma është një sëmundje inflamatore kronike e rrugëve respiratore e shoqëruar me hiperreaktivitet dhe obstruksion bronkial, që është reversibël në mënyrë spontane apo me terapi. Pra, astma është një sëmundje kronike me një incidencë dhe prevalencë, që është duke u rritur në të gjithë botën. Është një sëmundje komplekse, shfaqja e së cilës kërkon si predispozitën gjenetike ashtu dhe mjedisin rrethues, në të cilin individi apo pacienti sensibilizohet ndaj alergenëve dhe ndeshet me një sërë faktorësh nxitës jospecifikë për astmën. Kroniciteti i sëmundjes si dhe përkeqësimi i shpeshtë i saj e mundon pacientin dhe çon në një kosto socioekonomike, jo vetëm për diagnostikimin, mjekimin dhe ndjekjen në kohë të pacientit, por dhe për ditët e mungesës në punë apo në shkollë.

Vitet e fundit janë bërë zbulime të rëndësishme në lidhje me fizpatologjinë e sëmundjes, duke bërë të mundur përmirësimin e përkujdesjes ndaj pacientit, sidomos në masat parandaluese dhe në mjekimin e inflamacionit të bronkeve me medikamentet e duhura. Si patologji mjekësore, astma daton që në mileniumin e dytë para Krishtit. Mënyra e shfaqjes së kësaj sëmundjeje është e ndryshme në pacientë të ndryshëm. Mund të paraprihet nga ankesa të rrugëve të sipërme respiratore si: rrufë, teshtima, bllokim të hundëve apo me skuqje e lotim të syve, por mund te fillojë dhe me një kollë të thatë, bezdisëse, që zgjat në kohë dhe nuk qetësohet nga terapia për infeksion të zakonshëm të mushkërive. Mund të fillojë me fishkëllima në gjoks apo me vështirësi në frymëmarrje e ndjenjë rëndimi në kraharor, kryesisht natën. Mënyra e shfaqjes varion nga lloji i astmës, si dhe nga mosha e fillimit të sëmundjes.

Cilët janë faktorët që ndikojnë?

Faktorët që ndikojnë mund t’i ndajmë në dy grupe: faktorë nxitës apo shpërthyes dhe faktorë irritues apo përkeqësues. Në grupin e parë mund të përmendim: alergenët, substancat apo lëndët kimike profesionale (puna e pacientit), infeksionet virale, displazia bronko-pulmonare, poliarteriti, si dhe faktorë të tjerë të panjohur deri më sot. Në grupin e dytë përmendim: alergenët, eforti fizik, mjegulla, ajri i ftohtë, infeksionet virale, anafilaksia, medikamentet, tymrat, parfumet, shtrëngatat, refluksi gastoezofageal, stresi apo faktorët emocionalë. Një pjesë e faktorëve nxitës mendohet se bëjnë të mundur zhvillimin dhe shpërthimin e astmës si sëmundje, por meqenëse po të njëjtët faktorë mund të çojnë dhe në ekzacerbimet e astmës, ata futen dhe në faktorët irritues.

A ka të dhëna mbi numrin e personave që vuajnë nga kjo patologji dhe cilat grupmosha janë më të riskuara? Astma po shndërrohet në një problem mbarëbotëror, mund të prekë çdo moshë dhe të gjitha racat në të gjithë vendet e botës, por shpeshtësia më e madhe e kësaj patologjie është konstatuar në 10-vjeçarin e dytë të jetës së pacientëve, 10-15%. Prevalenca e saj varion nga më pak se 1% në më shumë se 30% në vende të ndryshme të botës. Në vitin 2016 është vlerësuar nga studime që, 339.4 milionë njerëz janë të prekur dhe diagnostikuar me astma bronkiale.

Kjo e dhënë tregon me një rritje prej afërsisht 3.6% të prevalencës në çdo grupmoshë që prej 2006-s. Prevalenca rritet paralelisht me “modernizimin” dhe me urbanizimin e jetës. Mendohet se në 2025 numri i të diagnostikuarve me këtë sëmundje do të jetë afërsisht 400 milionë njerëz. Për Shqipërinë, studimet dhe të dhënat janë të pakta. Të dhënat e fundit janë ato të publikuara në vitin 2004, të nxjerra nga studime të bëra në vitet 1990-2002, ku për grupmoshën 20-45 vjet, prevalenca e astmës është 2.1%, ndërsa për grupmoshën 13-14 vjet është 3.6%. Këto të dhëna janë vetëm për Tiranën. Mungojnë studime epidemiologjike për qytete të tjera në atë periudhë kohore, por mungojnë dhe për vitet në vazhdim në rang republike.

Sipas Institutit të Shëndetit Publik, problem mbetet trajtimi i vonuar. Nënvlerësimi i astmës, çfarë mund të sjellë? Është shumë e rëndësishme të mos neglizhohet vizita te mjeku specialist alergolog si nga pacienti, ashtu dhe nga mjeku i familjes. Sa më herët të bëhet diagnoza dhe sa më shpejt të fillohet mjekimi i duhur, aq më lehtë menaxhohet astma. Eliminohet mundësia e pranisë së një dispneje të vazhdueshme dhe përmirësohet cilësia e jetës së pacientit, por edhe e familjarëve të tij.Një astmë e patrajtuar mund të fillojë dhe të kalojë në disa faza, të cilat manifestohen me përkeqësim të simptomave. Mund të fillojë me kollë spastike ose si krizë astmatike për të vazhduar, si atak astmatik dhe më pas si gjendje astmatike. Kjo e fundit është një situatë mjaft delikate dhe është jetëkërcënuese për pacientin, pasi nëse nuk paraqitet menjëherë te mjeku, mund të përfundojë dhe me vdekje, fatkeqësisht.

Cila është skema që vjen në ndihmë për të mbajtur nën kontroll këtë sëmundje? Nëse mundeni, mund të na jepni disa këshilla që duhet të mbahen në konsideratë?

Së pari, dua të them që astma nuk mund të stimulohet dhe nuk mund të konsiderohet si diçka psikologjike, edhe pse mund të nxitet dhe përkeqësohet nga emocioni. Së dyti, astma nuk përkeqësohet me rritjen apo plakjen e pacientit. Përkundrazi, simptomat e saj mund të zhduken në adoleshencë, por mund të rishfaqen në çdo moment në moshë madhore. Se treti, nuk është sëmundje ngjitëse, por duke qenë se ka predispozitë gjenetike, mundësia e shfaqjes së astmës është më e madhe te personat që kanë familjarë të diagnostikuar më parë me astma bronkiale. Së katërti, ndryshimi i vendbanimit nuk e trajton astmën. Mund të përmirësohen përkohësisht simptomat, por një pjesë e mirë e pacientëve mund të sensibilizohen nga alergenët e rinj dhe mund të rishfaqen përsëri ankesat e mëparshme.

E rëndë ishme është të eliminohet në maksimum kontakti me alergenët. Së pesti, duhet të merren me aktivitet fizik, sidomos me not, dhe të ruhen nga ajri i ftohtë dhe i thatë. Te tregojnë kujdes ndaj faktorëve nxitës dhe irritues. Së fundi, astma nuk mund të kurohet plotësisht. Ka medikamente, të cilat nuk krijojnë varësi për pacientin, por të dhëna nga mjeku specialist sipas një plani specifik personal për çdo pacient, në përshtatje me klinikën, përfundimet laboratorike dhe imazherike, me testet e alergjisë dhe ekzaminimet specifike për të vendosur diagnozën e saktë, bëjnë të mundur mbajtjen nën kontroll të sëmundjes. Qëllimi është ulja e shpeshtësisë dhe intensitetit të krizave, parandalimi i tyre, ruajtja e një funksioni normal pulmonar, ruajtja e cilësisë së jetës, nën një mjekim medikamentoz me efekte anësore minimale ose të papranishme. Gjithashtu, është mjeku specialist ai që vendos fillimin e imunoterapisë (vaksinës) në përshtatje me rezultatin e testeve të alergjisë.

PANORAMA

Related posts