“Kronikë e një qyteti  të (n)gurtë” vjen  përmes një libri

“Kronikë e një qyteti të (n)gurtë” vjen përmes një libri

IMG_20180925_165655
Këto ditë ka dalë në qarkullim libri me ese “Kronikë e një qyteti  të (n)gurtë”, shkruar nga  publicisti Namir Lapardhaja.
Libri është  kronikë e  një harku kohor prej një dekade për ndodhitë dhe mungesën e tyre në qytetin e Beratit, fokusuar nga këndshikimi prej qytetari të zotuar për ndryshim të gjithanshëm në të mirë të banorëve të tij të sotëm dhe atyre që do të vijnë.
Libri është organizuar në shtatë pjesë dhe çdo pjesë e tij nyjëtohet nga kuptimi i teksteve të veçantë. Të shtatë pjesët formojnë mozaikun e kronikës qytetare, ku pulson shqetësimi njerëzor për ngurtësimin e lëvizjes drejt prosperitetit ekonomik, kulturor, shpirtëror e demokratik të qytetit.
Namir Lapardhaja e sheh qytetin me syrin e të riut, që dallon qartë energjitë e fashitura për shkak të historisë së vjetër dhe të re të qytetit, për shkak të njerëzve që ecin me “prangat” në këmbë, në zemër, në mendje, në gjuhë, farkuar nga e djeshmja dhe ende e paliruar nga e sotmja.
Në këtë libër Namir Lapardhaja, krejt natyrshëm, na tregon se përbetimi për qytetari të përjetshme duke tundur fort certifikatën e vendlindjes së stërgjyshit, gjyshit, babait dhe të vetes, si të vetmit fakte të të qenit qytetar, të bën qesharak, ndaj kërkon nga bashkëqytetarët e tij rigjallërim të virtyteve më të mira të këtij qyteti, ridimesionimin e të qenit qytetar i një qyteti emblematik për nga kultura dhe vjetërsia, i vendosur në gjerdanin e vlerave botërore të qytetërimit.
Në mjaft tekste të këtij libri, autori sjell trishtimin e tij për zbehjen e qytetit nga ana kulturore e artistike. Mjerimin ekonomik e shikon si rrjedhojë e mjerimit të përgjithshëm intelektual dhe shpirtëror.
Tekstet publicistikë të këtij libri sjellin pamje të një syri të mprehtë, që e shikon të keqen jo te një anë, jo te një kohë, por kudo dhe kurdo kur ajo shfaqet, pavarësisht nga ngjyra dhe forma. Autori ka synuar të jetë zëri i atyre që nuk kanë zë, të hedhë dritë aty ku mjegulla ka fshehur prej dekadash të vërteta të hidhura, por sikurse barnat, këto të vërteta i kthejnë shëndetin shoqërisë sonë, pas një lëngate të gjatë.
Në hyrje të çdo pjese autori vendos një thënie nga librat e shenjtë apo një fragment nga një tekst letrar në prozë dhe poezi. Këto thënie lajmërojnë se vështrimi publicistik i jetës  qytetare nuk mund t’i shpëtojë  standardeve estetike dhe shpirtërore, tashmë të formuara te autori. Pikërisht ky vëzhgim estetik e shpirtëror i qytetit nxjerr më në pah vulgaren, aestetiken, shkretinë e botës së brendshme në jetën e qytetit dhe sidomos të qeveritarëve të këtij qyteti, ngërç që krijohet nga disharmonia  e vlerave të krijuara ndër shekuj me banorët e sotëm.
Libri është botuar nga shtëpia botuese “Uegen” në Tiranë.

Related posts