Kronikë e një fundjave të (pa)paralajmëruar

Kronikë e një fundjave të (pa)paralajmëruar

Nga Namir LAPARDHAJA –
Fundjavë. Euforia, entuziazmi, krenaria e të qenit shqiptar është mekur. Asgjë nuk pipëtin. Tirana është e traumatizuar. Duket se të gjithë kanë mbajtur frymën. Trafiku është paralizuar, njerëzit shfryjnë ndër dhëmbë. Në të gjithë akset hyrëse të kryeqytetit radhët kilometrike të makinave janë treguesi më i mirë i stresit dhe pamundësisë për të kaluar një ditë të qetë. Disa persona nuk janë lejuar të marrin pjesë në ndeshjen mes kombëtares shqiptare dhe asaj izraelite, ndërkohë, sipas njoftimeve të shtypit, rreth 170 shqiptar të besimit Islam janë nën survejim të rreptë nga forcat e rendit dhe shërbimet e inteligjencës. Kontigjent me prirje radikale. Mund të shkaktojnë trazira në stadium. Më mirë t’i dalim së keqes përpara. Policia e shtetit, forcat e ndërhyrjes së shpejtë, reparti special “RENEA” etj. të gjithë në terren, në gatishmëri të lartë.
Vëmendja shkëputet nga kaosi i kryeqytetit dhe zhvendoset në Elbasan. Nuk është një ndeshje si gjithë të tjerat. Tifozët janë paralajmëruar se edhe problemi më i vogël mund të na penalizojë. Federata Shqiptare e Futbollit ka bërë jo pak në këtë drejtim, duke i shtirë në mendje publikut edhe elementet penalizues.Ndërkohë prania e shumtë e forcave të rendit më tepër se për të parandaluar ndonjë akt terrorist, duket si presion ndaj tifozëve shqiptarë në stadium. Ka edhe teori konspirative, të denja sa herë që kemi të bëjmë me hebrenjtë, që e mbështesin këtë hipotezë.
Por a parandalohen aktet terroriste (nëse ka një rrezik të tillë!) nga gjithë kjo prani policore, me këtë butafori dhe shfaqje në terren?! Çdo ekspert sigurie mund t’i përgjigjet lehtësisht negativisht kësaj hipoteze. Evropa është shembull në këtë drejtim.
Si për të mos mjaftuar kjo situatë, kombëtarja shqiptare e pëson. 3 gola në rrjetën tonë duke u detyruar ta mbyllim lojën me nëntë lojtarë. Më keq nuk ka ku të shkojë. Humbje e merituar brenda fushës. Situatë aspak e merituar dhe realitet që nuk i përket këtij vendi jashtë saj. Duket më tepër si një servilizëm i tejskajshëm, gjë që na ka karakterizuar historikisht ndaj të huajve.
Ndërkohë që në Elbasan arbitri i fryn bilbilit për përfundimin e minutës së nëntëdhjetë, një pjesë tjetër e Shqipërisë prej ditësh është nën pushtetin absolut të ujit. Drini i Zi ka dalë nga shtrati duke rrezikuar 15 banesa. Në Mirditë lumi Fran rrezikon disa familje. Jugu i vendit është në prag katastrofe. Vjosa rrezikon të dalë nga shtrati, ndërsa aksi Gjirokastër-Kakavijë kalohet me probleme.
Shtabi i emergjencave nuk funksionon. Njerëzit janë lënë në mëshirë të fatit. Shfaqjet LIVE në TV mungojnë.
Arsyeja është më e thjeshtë se ç’mund të mendohet: Kryeministri i vendit ndodhet për ekspozitë vetjake në SHBA. Edhe pse i votëbesuar nga shqiptarët për t’i qeverisur, Edi Rama do të mbahet mend si kreu i qeverisë që e përdori këtë post më shumë për ekspozita jashtë vendit se sa për punë konkrete brenda tij. Këto ditë vendi ka probleme të mëdha. Kjo për shkaqe edhe që s’varen nga qeveritarët, mirëpo ajo që u takon atyre është të jenë pranë njerëzve në ditë të vështira. Nuk mjaftojnë postimet në rrjetet sociale nga matanë oqeanit për të menaxhuar situatën.
Ndërkohë që ekspozita vazhdon, ndeshja ka mbaruar me shumë probleme brenda fushës dhe, fatmirësisht, me asnjë të tillë jashtë saj. Sigurisht jo për meritë të forcave të rendit apo shërbimeve të inteligjencës. Po ashtu, rreshjet e shumta të shiut kanë pushuar jo si pasojë e ndërhyrjes apo menaxhimit tokësor, por fal bekimit dhe vullnetit Hyjnor.
Fundjava mbyllet kështu duke i lënë radhën të hënës që nxiton të bëhet e diel, kurse shkëlqimin i Shqipërisë venitet përditë e më shumë, duke u zbehur drejt tejdukshmërisë.

Related posts