KUSH E VRAU CARAVAGGIO-N? (Vështrim në nëndijen e një vetvrasësi të madh e të shumëfishtë)

KUSH E VRAU CARAVAGGIO-N? (Vështrim në nëndijen e një vetvrasësi të madh e të shumëfishtë)

Thoma Jançe

Ka qenë një nga pyetjet më të shpeshta të bëra ndonjëherë gjatë katërqind e ca vjetëve të fundit në historinë e artit.

Iu dha përgjigje me gjetjen e certifikatës origjinale të vdekjes së njërit prej piktorëve më të mëdhenj të viteve ‘600 në Europë.

Ky dokument i vyer, i gjetur në Kishën e Shen Erazmit në Porto Ercole, i dha fund në të njëjtën kohë njërës prej legjendave pa kokë të historisë së artit.

Dyshimet mbi vdekjen enigmatike të këtij Shekspiri të penelit nuk kanë bërë gjë tjetër, veçse kanë rritur interesin ndaj këtij personazhi të jashtëzakonshëm.

Kush ishte ky personazh, piktura e të cilit është një nga shprehjet më të larta të artit të çdo kohe dhe mbase më tronditësja, më apasionuesja

Michelangelo Merisi lindi në Milano, më 1571 dhe u transferua në një qytezë të vogël afër Bergamo-s, që quhej Caravaggio.

Mori mësime pikture në Milano duke ushtruar traditën lombarde, krejtësisht i pavarur nga klasicizmi i Rilindjes. Ishte një temperament i rrëmbyer dhe rebel. Që më 1590 bën një vit burg për sherr në Milano. Tre vjet më vonë përfundon në gjyq për ofezë ndaj një farë Leonora Palelli. Më 1600 bie prapë në burg për sharrje ndaj një piktori. Më 1604 i hedh pjatën me karcofë ne fytyre një kamerieri dhe dënohet. Në tetor të po këtij viti sërish dy muaj burg për rrahje. Në maj 1605 arrestohet për armëmbajtje pa leje. Në korrik së pari rreh “la bella Lena”, një modele të tij dhe më pas noterin, që ishte ngarkuar nga gjykata për t’i noterizuar ndalesën për frekuentimin e saj. Në maj 1606 vret në një dyel dramatik një farë Ranuccio Tomassoni, nuk dihet për punë borxhesh apo për favoret nga prostituta Fillide Melandroni. Pas kësaj dënohet me vdekje dhe arratiset nga Roma. Më 12 korrik mbërrin në Maltë, por edhe atje arrestohet. Arratiset nga burgu më 6 tetor dhe mbërrin në Sicili. Atje plagos rëndë një mësuës shkolle,që donte t’a ndalonte të merrte si modele nxënëset e tij. Kthehet në Napoli ku është ai që sulmohet për herë të parë para një hoteli dhe arrestohet nga spanjollet.

Një bashkëkohës i tij nga Mesina shkruan se “qe një njeri së tejmi abstrakt, i dalldisur, pak kujdesur për jetën e vet, dhe shumë herë binte të flinte i veshur e me thikën në brez, që s’e leshonte kurrë; vishej në mënyrë mediokre, gjithmonë i armatosur sa ngjante më tepër me një kacak se sa një piktor. Ishte aq derdimen dhe i cmëndur sa s’thuhet më”.

Caravaggio shkonte gjithnjë me shpatë në dorë duke kërkuar aventura. Kishte shumë armiq që donin të hakmerreshin ndaj tij. Vdekja e kërkonte gjithkund. Në intervalet midis akteve të tij prej rrugacërie tokësore, krijonte vepra hyjnore. Fytyrat e prostitutave që njihte i përjetësoi në portrete të Madonave, që krijoi.

Më 18 korrik 1610, në plazhin e Porto Ercole-s, gjatë kthimit të tij në Romë pas faljes së dënimit kapital nga Papa, Caravaggio vdes.

received_10209023996909706

Vdes pra, pas një periudhe ku provoi tensionin e lartë psikologjik të një krimineli në arrati, që kërkohej nga shteti prej më shumë se katër vjetësh.

Në pritje të dënimit me vdekje pikturonte. Në “Decollazione di San Giovanni”, që ndodhet në katedralen e Shën Johanit në Maltë, ai na përshkruan vrasjen e Shën Johanit.

received_10209023967788978

Veprimi është i ngrirë në kulmin e vet. Shenjtori i shtrirë përdhe.

Dora, që e ka goditur nxjerr thikën për t’i prerë kokën, ndërsa dora tjetër e mban pas dheut prej flokësh. Ndodhemi në hajatin e një burgu. Gardiani tregon me gisht tepsinë ku do të vihet koka e shenjtorit, te cilën e mban në duar, e përkulur, e reja Salome’, ndërsa plaka, ka zënë kokën me duar me një shprehje tmerridhe mëshire. Dy të burgosur vështrojnë nga hekurat e dritares nën të cilën varet një litar i trashë ku pat qënë i lidhur më parë shenjti Johan.

Ka një hapësirë të madhe midis figurave dhe përmasave, që të krijon një ndjesi boshësie dhe heshtjeje të madhe. Shën Johani i ka duart të lidhura pas shpine. Skena është e ndricuar nga një dritë që bie gjithmonë nga lart majtas duke i zhvatur figurat nga terri. Eshtë një dritë e dhunshme dhe e pamëshirshme, që ndrin mbi pellgun e gjakut mbi të cilin autori ka vënë firmën e vet të kuqe. Fra’ Michelangelo Merisi.

Kjo është një nga kryeveprat e Caravaggio-s nën peshën e dënimit kapital.

Eshtë vetë drita mizore, pasha e këtij dënimi të kapur në castin më tragjik, në një flagrancë tronditëse.

Artisti mbase mendonte se ishte vetë shenjti në atë rrethanë makabre. Mbase një drithërimë makthi i kish përshkuar trupin, por edhe fantazinë e tronditur nga idea se ndonjë ditë ndokush mund të shihte gjakun e autorit në po atë vend ku vetë ai kish firmosur kryeveprën e vet.

Kjo ndjesi pat nisur t’a kaplonte kohë më parë. Truri i tij ishte nën trusni.

Kjo dallohet qartë në tablonë “Martirizimi i Shën Mateut”.Eshtë një dalldi masive, e papërmbajtur.

Një turmë qëniesh njerëzore, që valëzon, jo vetëm nga frika e tmerri, por edhe nga Zbulesa e Zotit.

Shën Mateu ndodhet në qëndër, i porsa goditur nga shpata e gjaksorit.

Figurat e të dyve janë të ndricuara nga drita tipike, një dritë hyjnore shpëtimi e faljeje, që përshkon terrin ku lëvizin personazhet.

Fytyrat njerëzore vështrojnë të gjitha nga shënjtori, që ndodhet në mes të kësaj drite falëse.

Besoj se janë shprehje njerëzore të kohës së tij, të dhëna me një realizëm carmatosës, në mes të të cilave duket një autoportret i vetë Caravaggio-s.

Fytyra e tij dëshmitare është e dhimbshme, po edhe e alarmuar nga ulërima e një fëmije të fandaksur.

Ai është i pranishëm në skenë, vështron me vëmëndje shënjtorin, që po martirizohet dhe mëshira që ka pllakosur portretin e tij është gati hyjnore, e përfshirë nga e njëjta dritë, që bie nga lart-majtas.

Kontrasti dritë-hije bëhet elementi kryesor i kompozimit dhe mjeti me të cilin artisti kryen shndërrimin e faktit konkret në një realitet jomaterial e ideor.

Drita është mjeti me të cilin ai shkëput nga terri jo vetëm veprimin dramatik të sendeve e qënieve, por edhe idetë, që don të shprehë.

Ai e sforcon të vërtetën për të na treguar më me forcë atë që duhet të shohim, atë që duhet të ndjejmë, atë që duhet të përcjellim në vetëdijen dhe ëndërrimin tonë, për të mos kaluar nëpër një gjumë, që do t’i ngjante vdekjes.“Davidi me kokën e Golias” titullohet kompozimi i fundit i Caravaggio-s, vetëm disa muaj para se të vdiste.

received_10209023983349367

Aty gjendet autoportreti i fundit i artistit të torturuar psikologjikisht në mënyrë sistematike.

Dëndësia e dritës thuajse e fsheh fare krahun dhe shpatullën e Davidit, që mban në dorën e majtë për flokësh kokën e prerë të Golias.

Golia është vetë Caravaggio i cili pranon “fajet” e veta dhe i kërkon falje Papës me këtë punim.

Portreti i tij shpreh dramaticitetin e një jete të tërë.

Autori përfytyron dhe realizon fundin e vet.

Në një farë kuptimi figurativ vetë Caravaggio ka vrarë veten me penelin e tij të pamëshirshëm.

Asnjë piktor tjetër europian i kohës së tij nuk e ka pikturuar vetveten të vrarë në mënyrë aq këmbëngulëse dhe obsesive sa ai.

Asnjë piktor tjetër nuk qe një vetvrasës i tillë, por në të njëjtën kohë edhe një falës i vetvetes aq sublim sa ai.

Me artin e tij nuk kërkoi vetëm mëshirën njerëzore, por edhe atë hyjnore.

Në këtë autoportret ndihen të gjitha jehonat e ndodhive të tij të kohëve të fundit të jetës, tensioni i stampuar në fizionominë e kokës së prerë.

Errësira e plotë rrethon skenen. Fytyra e ndricuar pashmangmërisht nga lart majtas. Sytë gjysmë të hapur. Goja me buzën e poshtme të lëshuar e të lerosur me gjak është gjysmë e hapur. Artisti na përcjell një shëmbëlltyrë të tmerruar, të gjakosur, të torturuar, të përvuajtur. Mbi ballë një plagë e madhe, e gjakosur.

Mbase është një pasojë e agresionit të fundit.

Kemi përpara një kronikë rengjethëse të shpirtit të tij.

Kush e vrau? Pyetje e mistershme për më tepër se 400 vjet me rradhe.

Këtë autoportret të fundit në rolin e Golias, këtë “me trurin e shkallmuar” sipas një bashkëkohësi, na e dërgon gati tragjikisht të përsosur.

Fytyra e fundit e Caravaggio-s është padyshim një monument i rrallë i pikturës dramatike europiane. Ishte shënjtor dhe djall. Dhe për këtë djall dikush punonte në Romë për t’a falur.

Me të arritur lajmi i faljes nga Papa, i dërmuar nga agresioni i Napolit, kthehet në Porto Ercole me skortë për të kryer në atë burg formalitetet e lirimit. Aty, shumë shpejt mbaron jeta e tij. U krijua një legjendë mbi shkakun e vërtetë të vdekjes. U hamendësua se e patën vrarë grabitës të rastit tek endej në plazhin e Porto Ercole-s, por askush më pas s’ja kish parë plagët e freskëta. U hamendësua se mund të kish vdekur si rezultat i plagëve të marra gjatë agresionit të Napolit apo nga dielli i fortë i korrikut. Dikush mendonte se e kishin mposhtur ethet e forta te malarjes, që në atë kohë bënte kerdinë. Shumëkush mendonte se kishte rënë prehë e vrasësve me pagesë. Legjenda pa kokë e fundit të tij merr fund me zbulimin e dokumentit të shumëkërkuar, në kishën e Porto Ercole-s ku thuhet: “Më 18 korrik 1610, në spitalin Santa Maria Ausiliatrice, vdiq nga sëmundja piktori Michelangelo Merisi.” Dokumenti vërteton se Caravaggio vdiq vetë, nga sëmundja në spital. Ajo që është e sigurt, është fakti, se në castin e vdekjes ishte thellësisht i dëshpëruar, në arrati, i kërkuar.

Misteri për fundin e tij mbetet gjithësesi.

Kish hipur në një anije në Napoli dhe qe nisur drejt Romës.

Në mes të udhëtimit ia bëh vdekja, para se ëndrra e tij për të hyrë në Urdhërin e Kalorësve të Maltës të realizohej.

Kish përfytyruar të vdiste si viktimë dhe vdiq prej dorës së Zotit.

E vërteta është se nuk u kthye më kurrë në Romë.

Nuk u kthye dot më asgjëkund.

U nis kështu për të udhëtuar përmes kohërash të tjera, ashtu në mënyrë tronditëse si askush tjetër, gjithmonë duke kërkuar faljen e shumëpritur.

Kishte nevojë për falje ky rebel i madh dhe ende në veprat e tij, që vizitohen nga miliona njerëz, duket sikur e kërkon atë.

Kjo është e vërteta, njëra nga të vërtetat e mëdha të Caravaggio-s.

received_10209023998709751

Related posts