Mit’hat Havari: Ju rrëfej babain e Bleonës, “Sigurimsi” që ka çuar njerëz në Spaç…

Mit’hat Havari: Ju rrëfej babain e Bleonës, “Sigurimsi” që ka çuar njerëz në Spaç…

Babai im ka qenë nënkryetar dege në Korçë, dhe në ’88­ën u transferua në Elbasan.

Kam pasur një fëmijëri të lumtur. Kemi pasur në shtëpi telefon, kemi pasur shofer, në kohën kur njerëzit nuk kishin as bukë të hanin”. Ka qenë kjo deklarata që “ka trazuar ujërat e së shkuarës”.

Këngëtarja Bleona Qereti, mbrëmjen e së premtes ka rrëfyer më shumë për fëmijërinë e saj përballë Arian Çanit, tek emisioni “Zonë e Lirë”.

Ndër rastet e rralla që këngëtarja flet për jetën e saj, nuk ka lënë pa treguar edhe profesionin e dy prindërve.

Njihet tashmë marrëdhënia e ngushtë që ajo ka me Nazmiun (babai) dhe Olin (nëna).

Ajo ka treguar se ka sakrifikuar për mirëqenien e tyre dhe se ndihet krenare për familjen e saj.

Megjithatë, përmendja e babait të saj te “Zonë e Lirë” ka sjellë reagime.

Ish­-drejtuesi i lartë i Policisë, Mithat Havari, i ngacmuar nga rrëfimi i Bleonës ka sjellë një tjetër histori.

Havari ka sjellë në kujtesë arrestimin e tij, duke akuzuar drejtpërsëdrejti Nazmi Qeretin, në atë kohë nënkryetar i Degës në Elbasan.

Nëpërmjet një statusi në “Facebook”, ai ka treguar se babai i këngëtares ka qenë përgjegjës për shumë arrestime në fund të viteve ’80.

Reagimi

“Bleona Qereti ishte tek Arian Çani mbrëmë. Ajo deklaroi se babai i saj ishte oficer dhe se e kishin nxjerrë nga puna pas ’92­shit.

Më vonë takoi Sali Berishën president dhe ia ktheu të atin në punë. Vajza nuk thotë se babai i saj nuk ishte oficer i thjeshtë, por ishte zëvendëskryetar i Degës së Brendshme që mbulonte Sigurimin e Shtetit në Elbasan deri në rrëzimin e diktaturës, ku sigurisht mbaroi dhe parajsa e pushtetit të Nazmi Qeretit.

Në arrestimet e djemve të nënave shqiptare që kundërshtonin regjimin komunist dhe që mbushën burgjet e Spaçit, Burrelit, Qafë Barit etj., kontribuues ishte dhe babai i Bleonës, përfshi dhe arrestimin tim, që lidhet direkt me Nazmi Qeretin, bile nën kujdesin e tij.

Sigurisht, ajo nuk mban asnjë përgjegjësi për ç’ka bërë i ati i saj, ndaj po jeton ëndrrën e demokracisë, ëndrrën amerikane, por, miqtë e mi, “dardha bie nën dardhë”, thotë populli.

‘Sali Berisha më ndihmoi për babain, – tha ajo, – e respektoj, por Edi Rama është kryeministër i shkëlqyer, fat për Shqipërinë. Donald Trampi më ndihmoi, por unë do votoj Hilari Klinton’.

Është e bija e babait, ajo shkon në origjinën e saj.

Normale! Në fakt unë asnjëherë nuk kam dyshuar për këtë gjë, jo vetëm për rastin në fjalë, por edhe për histori “xhaketëkthyerish” e më gjerë. Thjesht ishte një refleksion nga ana ime, kujtesë në lidhje me të tashmen dhe të shkuarën jo shumë të largët!”.

JETA E KOLONELIT

Kjo nuk është hera e parë që Mithat Havari flet publikisht për historinë se si e përndiqnin sigurimsat.

Në një intervistë për “Panoramën”, kohë më parë ai tregon se si personi Y.R. e survejonte në çdo moment dhe për këtë fakt kishte edhe dokumente.

“Y.R. ka dhënë disa materiale me vlerë operative për objekt përpunimi 2/A për agjitacion e propagandë, për Mithat Havarin e të tjerë. Gjithashtu shkruhet se ka dhënë informacion edhe për shkelje të rregullave të sigurimit teknik.

Dëshiroj të sqaroj se: “Objekti 2/A” do të thotë – që unë, Mithat Havari, kontrollohesha nga organet e Sigurimit të Shtetit 24 orë në 24.

E përkthyer në gjuhën teknike, ata kishin montuar në banesën time mjete përgjimi. Pra, konsiderohesha kundërshtar i rrezikshëm i regjimit komunist”, përfundon ish­drejtuesi i Policisë.

E në fund rikthen edhe njëherë në vëmendje se dokumenti për akuzat ndaj tij kishte dhe firmën e drejtuesve të Degës, ku bënte pjesë edhe babai i këngëtares, punëtori operativ P.B., shefi i seksionit M.Sh. si dhe kryetari i degës së Punëve të Brendshme, F.B./ Balkanweb.com

Related posts