Mos u nda nga burri se ne meshkujt të vrasim!

Mos u nda nga burri se ne meshkujt të vrasim!

mariglen

Nga Mariglen GJIKA-

Përsëri vrasje e një femre! I tillë ishte edhe fati i një gruaje dje e cila u vra nga ish-bashkëshorti, vetëm se ai humbi kontrollin e saj prej disa kohësh. Ai nuk mundi dot të pranonte faktin se si “prona e tij” gjyqtarja znj. Fildeze Hafizi 39 vjeçe ti ikte nga duart, të ishte e lirë pa ndikimin e tij, të bënte një jetë të pavarur ashtu si dëshironte ajo pas ndarjes nga ai. Opsss… mos thashë gjë gabim? Po po, pronë e kishte, dhe me të mund të bënte çfarë të donte! Nuk e dini ju??? Friedrich Engels ka thënë: “Skllavërimi i gruas është i lidhur me shfaqjen e pronës private” tek libri “Origjina e familjes, e pronës private dhe e shtetit” i botuar në vitin 1884. Kjo dhunë e vazhdueshme ndaj femrave është ulëritëse porse kështu funksionon gjithmonë. Kështu jemi ne meshkujt, ju konsiderojmë pronë ju femrat dhe duam t’ju kontrollojmë çdo moment kur ju kemi, por edhe kur ju kemi humbur, ne bëhemi më mashtrues, më agresivë, më të dhunshëm vetëm me qëllimin që t’ju rikthejmë sërish nën kthetrat tona dhe nëse nuk ktheheni, ne ju vrasim! “Nuk të gëzon askush nëse nuk të gëzoj unë”- shprehen meshkujt. Po u martuat, binduni dhe mos u ndani nga ne se ne ju vrasim! Ne nuk e pranojmë dot faktin se mund edhe të ndahemi dhe secili të jetë i lirë të zgjedhë se çfarë do. Ky është një turp individual dhe një turp i gjithë shoqërisë së sëmurë ku ne rritemi dhe jetojmë. Nuk ndodh vetëm këtu, ndodh edhe jashtë. Nuk është krim pasioni, nuk është nga dashuria e madhe për ish-gruan por për dëshirën e paepur që kemi ne meshkujt për t’ju patur nën kontroll me çdo çmim qoftë edhe duke ju vrarë. Ja kush jemi ne, edhe pse jetojmë në kohët moderne përsëri epërsia gjinore gjendet brenda nesh. Me një mijë  një mënyra ne përpiqemi t’jua shkatërrojmë jetën pas ndarjes. Kjo para disa ditësh detyroi një femër tjetër të vetëvritej, të vetëvarej apo të hidhej nga ballkoni. Ku po shkojmë o meshkuj? Zonja e ndjerë ishte një gjyqtare, por ka gra qe jane një mijë e një herë më të pambrojtura dhe të pambështetura në këtë vend. Imagjinoni çfarë ndodh me dhunën ndaj grave në shtresat e ulëta të shoqërisë. Nuk ka rëndësi profesioni apo ndikimi yt në publik, ti përsëri je skllave e burrit i cili është zoti yt më i madh edhe se ai që të dha jetën dhe frymën. Sigurisht që strukturat e ligjit mund të kenë gabuar në vlerësimin e  masës së sigurisë apo ku e di unë por problem më i madh është tek shoqëria makabre e cila i ka lënë dorë të lirë burrit që të bëjë c’të dojë me gruan e tij e cila duhet të durojë dhunën verbale, psikologjike, fizike, shtypjen shkeljen dhe nëpërkëmbjen veç për faktin se është femër. Kjo ngjarje është një ri-apel për të gjithë ne por si duket shoqëria është shumë komplekse dhe apeli nuk ndikon tek të gjithë. Kush e di se sa e sa fëmijë në vit mbeten jetimë për shkak të kësaj shoqërie të sëmurë. Këto lloj sjelljesh e godisin rëndë famijlen dhe shoqërinë shqiptare e cila has pengesa pafund në zhvillimin e saj. Meshkuj të dobët!!! Turp të keni bur(r)acakë!!!

Related posts