Namir Lapardhaja: Problemi jeni Ju, zoti Kryeministër!

Namir Lapardhaja: Problemi jeni Ju, zoti Kryeministër!

Aftësia manipulative dhe retorika propagandistike nëpërmjet një sistemi mediatik thellësisht klientelist dhe të kapur nga pushteti, është çelësi i sekretit të fitores së qeverive problematike dhe të korruptuara.

Ajo që ka rëndësi në këto raste nuk është çka ke vepruar dhe çka vepron konkretisht për njerëzit dhe për vendin, por mjeshtëria për të manipuluar elektoratin, i cili, në masë të madhe, është mjaftueshmërisht i ndikueshëm dhe i orientueshëm nga ajo çka shikon në mëngjes dhe në mbrëmje në televizor.

Ky problem nuk është vetëm shqiptar. Jo më kot fushatat elektorale sot kanë marrë dimensione të tjera, kryesisht duke u investuar në fushën e vizibilitetit dhe virtualitetit dhe duke i dhënë më shumë se gjithçka rëndësi zyrave të marrëdhënieve me publikun. Është ajo që J. Baudrillard kur flet tek “Amerika” për Reganin thotë se besueshmëria e tij qëndron tek përmasa e saktë e buzëqeshjes transparente dhe hiçanake. Pra, tek aftësia e manipulimit të njerzëve.

Për një popull si ky i yni që propagandën dhe manipulimin e kanë të lidhur me historinë e tyre jo shumë të largët, narrativa e politikçes dhe besueshmëria në të, relizohet më me lehtësi. Dhe nuk mund ta fshehim se kjo aftësi manipuluese është më e madhe, më mjeshtërore dhe më profesionale në radhët e Partisë Socialiste të drejtuar nga Edi Rama, pavarësisht se si qëndron raporti i së vërtetës mes premtimeve dhe realizimeve të qeverisjes së tij.

Rreth 4 vjet më parë, Edi Rama proklamonte me të madhe se nuk ka njerëz të korruputuar, por është sistemi ai që i bën të tillë. Faji i sistemit i shërbente në atë kohë për të anatemuar kundërshtarin dhe për të amnistuar pjesë të qeverisjes së asaj kohe, që do t’i shërbenin si patericë për të ardhur në pushtet dhe për ta mbajtur atë në qeverisjeje për një kohë të konsiderueshme. Sigurisht që retorika e sistemit i funksionoi për të marrë pushtetin dhe për ta qeverisur vendin për 4 vjet, jo si do duhej, por si mund të qeveriste.

Mirëpo, fill pas fitores së tij të 25 qershorit, në takimet e tij me njerëzit, që më së shumti i përngjajnë gjyqeve të dikurshme popullore, pavarësisht se ato i shërbejnë këtij manipulimi mjeshtëror dhe realizohen qëllimisht për të shfryrë inatin e turmës tek disa individë, të lënë në mënyrë të menjëhershme dhe të hedhur me të shpejt si preh për lukuninë e harbuar, që janë gati t’i shqyejnë, tregojnë dhe nxjerrin në pah probleme të mëdha të këtij sistemi që Rama mundi të “ndërtonte” për 4 vjet.

Sepse drejtorët e Zyrave të Regjistrimit dhe të ALUIZN-it, meqenëse kjo fushatë është kryesisht kundër tyre, nuk janë vendosur aty nga qielli apo për ndonjë meritë të theksuar profesionale, intelektuale ose qytetare, por si pasojë e një sistemi që funksionon nëpërmjet lidhjeve politike dhe nepotike, të cilit ata i kanë shërbyer për katër vjet me radhë dhe i cili sot i ka nxjerr në ballë të urrejtjes së njerëzve.

Në fakt, me anatemimin e tyre zoti Rama nuk bën gjë tjetër vetëm se nxjerr veten e tij zbuluar. Sepse ata në ato pozicione janë vënë pikërisht nga partia e tij dhe këto zyra kanë keqfunksionuar përgjatë 4-vjeçarit të tij qeverisës.

Vetëm raporti i fundit i KLSH-së, nxorri në pah se administrata shtetërore i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm financiar prej 590 milionë euro vetëm në 6 mujorin e parë të vitit 2017. Nuk po përmendim këtu dëmin që i ka shkaktuar e njëjta administrata buxhetit për 4 vjetët që kanë kaluar dhe për ato që do të vijnë.

Dhe sipas të njëjtit raport këto dëme janë shkaktuar kryesisht në dogana dhe në tatime, të dyja këto institucione mjaft të rëndësishme dhe që kanë qenë nën kontrollin total dhe të drejtpërdrejtë të Kryeministrit Edi Rama.

Pra, përveç Zyrave të Regjistrimit dhe ALUIZN-it, problem gjatë qeverisjes qenkan edhe doganat dhe tatimet.

Këto problematika Edi Rama nuk mund t’i fsheh as pas listave të denoncimeve anonime për 100 zyrtar në Shqipëri, në një kohë që në atë listë mungon vetë ai, pikë së pari, apo ministra të kabinetit të tij qeverisës, të cilët për 4 vjet kanë qenë herë pas herë në qendër të denoncimeve për afera korruptive miliona euro.

Në këtë kuptim dhe duke iu rikthyer sistemit, qeverisja e Edi Ramës është një dështim total, për sa kohë që ai jo vetëm nuk mund ta përmirësonte sistemin, por sistemi që ai ngriti dhe që personifikohet kryesisht me figurën e tij, doli që qenka po aq problematik dhe po aq i korruptuar, në mos më shumë.

Ndaj, pavarësisht rezultatit zgjedhor, problemeve të mëdha të opozitës, e cila ende nuk po gjen rrugën e duhur për të parë drejt dhe qartë, pavarësisht propagandës mjeshtërore dhe thellësisht manipulative, problemi jeni Ju, zoti Kryeministër!

Related posts