Në Berat, ekspozitë për të zbukuruar qytetin

Në Berat, ekspozitë për të zbukuruar qytetin

Erjola Azizolli

Një ekspozitë tejet e veçantë është hapur dje në Berat, ku emrat e njohur të artit të skulpturës kanë sjellë për publikun 66 vepra dhe ide të karaktereve të ndryshme, por që të gjitha bashkohen në dashurinë që artistët kanë për qytetin muze.

Ekspozita mblodhi në mjediset e galerisë dashamirës të artit, qytetarë dhe artistë të ardhur nga gjithë vendi. Vepra të formave dhe dimesioneve të ndryshme, të karaktereve të ndryshme mbushën sallat e galerisë, duke tërhequr vëmendjen e publikut. Prej tyre do të përzgjidhet nga një grup specialistësh një numër i caktuar veprash, të cilat do të vendosen për të zbukuruar qytetin.

Emrat e njohur të skulpturës si Emanuel Koka, Muntaz Dhrami, Skënder Kraja, Muntaz Dhrami, Vladimir Caridha, Xhoxhi Fani, Perikli Hanxhari, Taulant Lici, Artan Marku, Benard Lekgegaj, Zeqir Alizoti, Nezir Ago, Gjergji Toska, Bujar Vani, Evis Kabilo, Llambrini Dëna, Arnest Nasufi, Ilmi Karemi, Llambi Cela, prezantuan veprat dhe idetë e tyre, që preknin të gjitha karakteret e skulpturës.
Drejtori i Galerisë së Arteve, Neriz Ago, e cilësoi këtë si një nga ekspozitat më të suksesshme që është hapur gjatë këtij viti në këtë galeri.
“Kjo ekspozitë ka një karakter tjetër, karakterin e skulpturës, ku marrin pjesë autorë shqiptarë nga Shkodra, Mirëdita, Durrësi, Elbasani, Fieri, Vlora e Berati. Të gjitha veprat që ne shohim, të paraqitura në ide nga autorët, janë të gjitha të karakterit estetik dhe të gjitha janë shumë të bukura për tu vendosur në qytetin e Beratit” tha Ago.

“Veprat janë të gjitha të karakterit dekorativ, por mes tyre ka dhe të karakterit historik, ku thuajse të gjithë krijuesit sjellin në veprat e tyre figura historike të qytetit, të cilët duan ti ngrejnë në monumente, figura si Muzaka, Onufri, emrat e firmëtarëve të pavarsisë nga ky qytet. Ka dhe figura lirike, ka vepra të karakterit dekorativ, të gjitha zhanëtar e skupturës janë të përfshira”, pohoi Ago.

Tashmë do të jetë një grup artistësh, të cilët do të vendosin për veprat që do të investohet të blihen nga ana e bashkisë, për të zbukuruar qytetin ndërkohë që ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më deri më 6 janar. / KultPlus.com

Related posts