Në këtë qytet muze, pozojmë si në muze. Intervistë me humoristin Sejfulla Myftari (Cekja)

Në këtë qytet muze, pozojmë si në muze. Intervistë me humoristin Sejfulla Myftari (Cekja)

Aktori Sejfulla Myftari, i njohur gjerësisht si Cekja i Beratit, ka realizuar role në 40 filma artistikë dhe dhjetra të tillë në komedi e shfaqje të Teatrit të Estradës së Beratit dhe spektakle të ndryshëm në skena brenda dhe jashtë vendit. Roli i Llukës në filmin “Një baba tepër” është një ndër rolet më të spikatur në kinemanë shqiptare. Cekja i Beratit po mbush 40 vjet në skenë. E takuam në hyrje të pallatit të kulturës “Margarita Tutulani” në Berat dhe realizuam këtë intervistë.
Ceke pse rri në hyrje të pallatit të kulturës, pret dikë?
Cekja: Pres të më shohin artdashësit e Beratit. Pallati i kulturës ka kohë që është kthyer në muze dhe unë jam një nga eksponantët e këtij muzeu. Ja, vjen populli më sheh këtu dhe argëtohet. I kujtohen shfaqjet e Teatrit të Estradës së Beratit, batutat dhe qesh me vete. Dikush mund të thotë se populli paska lajthitur që qesh me vete, por e ka gabim. Populli ynë lajthit rrallë dhe lajthitjen nuk e ka me të qeshur. Nëse unë nuk qëndroj nja dy-tre orë çdo ditë para pallatit, ai mbyllet. Krahas skulpturës sime gjenden në sallën e katit të dytë edhe portretet e 50-60 aktorëve, muzikantëve që kanë hyrë e kanë dalë në këtë godine. Qe ide e z. Kadri Kuka ish-drejtor i qendrës kulturore, për ta kthyer në muze një nga sallat e pallatit të kulturës. Më vonë drejtor pas drejtori i gjithë pallati u kthye në muze. Shpesh ngjitet në katin e dytë edhe kryetari i bashkisë dhe mban fjalim para artistëve të rreshtuar në …mur.

 

Po me skenën e teatrit çfarë bëhet?

Cekja: Ah, skena e teatrit! Skena e teatrit më kujton një batutë nga filmi “Një baba tepër ”. Është pamja kur, pasi më martojnë djemtë, bie të fle me nusen dhe them: “ Që i bëhët një gjë kësaj i bëhet, por se çfarë … nuk më kujtohet!”
Lexuam në shtyp se ke vendosur të kandidosh për kryetar bashkie në zgjedhjet e 9 majit. Është thjesht një shaka?
Kaq pak? Kandidimi im për kryetar bashkie i qytetit 2423 vjeçar të Beratit është hapi i parë i ngjitjes sime në karrierë. Jam diplomuar për Mardhënie ndërkombëtare. Pa marrë diplomën, ndonëse një artist me emër, merrja 280 mijë lekë të vjetra. Me marrjen e diplomës universitare rroga vajti 500 mijë, 430 mijë lekë në dorë. Shikoni se çarë magjie ka një copë letër!? Askush nuk pyeste për role e figura artistike të krijuar në skena dhe kinema. “S’ke diplomë”, më thoshin!Një copë karton ka vlera të pallogaritshme dhe unë , ndonëse vonë, iu futa shkollës së lartë dhe ja… tani posti i kryetarit të bashkisë më duket si kategoria e axhustatorit që mora për herë të parë në uzinën e armëve në Poliçan të Beratit, para nja 40 e ca vitesh. Për fitoren e revolucionit botëror kam kontribuar edhe unë në prodhimin e armëve, me të cilat do të mposhtnim imperialistët amerikanë dhe socialimperialistët sovjetikë. Nesër do të bëhem kryetar bashkie, pasnesër deputet dhe më vonë ministër i jashtëm.
A janë shfaqur rivalët e tu për postin e kryetarit të bashkisë së Beratit?
Cekja: Aktuali, nëse kandidon, është i humbur. Ai ka mbaruar për bujqësi dhe mund të kandidojë për kryetar komune. Unë besoj se Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim do të mbështesin kandidaturën time. Me z. Meta jemi patriotë, sepse jemi të dy nga Shtetet e Bashkuara të Skraparit. Atëhere le të bëjmë një llogari: ( PD + LSI )Ceke = Cekja – kryetar bashkie.

 

Ja u bëre kryetar, nga do t’ia fillosh?

Cekja: Së pari, do të shkoj t’i marr projektin ing. Xhevahir Ngjeqarit dhe do ta kthej lumin Osum në liqen. Qytetarët e Beratit do të shëtisin me varka dhe do të shkojnë nga Gorica në Mangalem , ose nga Vakëfi në lagjen “Murat Celepias” me gondola si në Venecie. Me mbylljen e Osumit, liqeni do të zgjatet deri në Skrapar. Skraparllinjtë do të vijnë në Berat me traget. Do të plasë një peshk e një tregëti sa s’ta merr mendja. Turizëm po e po. Pastaj do të filloj me lulishten e madhe të qytetit. Do ta mbush plot me heronj. Shkul pemë e ngul hero. Të gjithë fondin do ta vë në dispozicion të derdhjes në bronx të heronjve nga e gjithë treva e Skraparit, Tepelenës, Vlorës dhe fshatrave përreth. Berati ka shumë qytetarë dhe pak, fare pak heronj. Rrugët e qytetit do t’i lë me gropa siç janë, që të mos i zërë kurrë gjumi shoferët, natën dhe ditën. Pastaj pallatin e kulturës do ta rris edhe nja tre kate që të mos duket fare lagjia “Mangalem”. Do ta kthej në muze të luftës.

 

Po me kinemanë e Beratit?

Cekja: Kinemaja ka fatin e një gruaje që nuk i doli fati, nuk u bë kurrë nuse, ndonëse bashkia e Beratit harxhoi për tualetin e saj jo pak, por plot 80 milonë lekë të vjetër. Hidhini një sy! Fustanin Lala ia qepi prej qelqi, me supe prej copash guri të mbetura nga pllakat e Tomorit. Kinemaja qendron prej vitesh në anë të shëtitores “Republika”, por askush nuk ia hedh sytë. Sa të zgjidhem kryetar bashkie, së pari do t’i ndërroj emrin. Nuk mund të quhet Kinema një ndërtesë ku ka 10 vjet që nuk shfaqet një film. Pastaj do t’i ndërroj edhe fustanin. Nuk e keni parë si i është grisur vënde- vënde fustani 80 milionësh i Lalës?

 

Ceke, cila është barcoleta e fundit që ke treguar?

Cekja: Tërë ditën e Perëndisë tregojmë vetëm barcoleta për të mbajtur veten në formë. Është si ai vrapi që bëjnë sportistët. Barcoletën më të re e kam treguar dje. Është pakëz banale… por kalon! Ja: “ Një emigrant u kthye nga Italia dhe i solli nënes shtatëdhjetë- vjeçare një celular fringo të ri. “Nëne, i tha, shih se çfarë të kam sjellë! Tani do të flasim një herë në javë. Do të marr unë dhe ti do të shtypësh këtë pullen këtu dhe do të flasim”. Plaka e mori celularin në dorë dhe e uroi të birin për dhuratën: “Rrofsh o bir për këtë plaçkën që më ke sjellë!” –Nëne, është celular , i tha i biri. “E shoh, or bir, por unë nuk i them dot ashtu. Do t’i them “plaçka ime” dhe e futi celularin në xhepin e tumaneve. Pas ca ditësh djali iku dhe plaka vajti në një dasëm. Befas i ra celulari me një zile fishkëllimë : fifi…fiuuu! Plaka fuste durën në tumane, por s’po e nxirrte dot. Qe ngatërruar për dreq. Gratë u mblodhën rrotull saj dhe dëgjonin fishkëllimën të habitura. “Cfarë është, moj nëne”, e pyetën plakën. Plaka ,që nuk e thoshte dot emrin e celularit, u përgjigj: “Është ajo plaçka ime!” Gratë duke qeshur i thanë: “Edhe ne kemi plaçkat tona, por nuk fishkëllejnë kështu!”

Bisedoi Yzedin Hima

Berat, 2011

Related posts