Nis pelegrinazhi në malin e Tomorrit, 5 ditë festë, priten mbi 300 mijë pelegrinë

Nis pelegrinazhi në malin e Tomorrit, 5 ditë festë, priten mbi 300 mijë pelegrinë

image
Pelegrinazhi në Malin e Shenjtë të Tomorrit. Festa e Shenjtë e Bektashinjve organizohet nga 20-25 Gusht dhe mbledh çdo vit në Teqenë e Kulmakut rreth 300-400 mijë pelegrinë nga e gjithë Shqipëria,Diaspora e bota.

Data 20 gusht shënon nisjen e pelegrinazhit drejt malit të Tomorrit,një mal i konsideruar “i shenjtë”,pasi në të prehet shenjtori i familjes së Profetit Muhamed, Abaz Aliu.
Mali i Tomorrit pushtohet gjatë 5-ditëve të pelegrinazhit nga rreth 300 mijë pelegrinë nga Shqipëria,Diaspora dhe mbarë bota,të cilët udhëtojnë drejt Teqesë së Kulmakut për të kremtuar festën e Baba Tomorrit nën ritmet fetare të bektashinjve, pavarësisht besimeve fetare që i përkasin.
Besimtarët ngrenë çadrat e tyre në këtë vend të shenjtë duke kryer jo vetëm kurbanin e festës,por duke ngjitur me këmbë edhe majën e Malit të Tomorrit, i cili ndodhet 2416 metra mbi nivelin e detit. Të parët që janë vendosur në malin e shenjtë të bektashinjve kanë qenë barinjtë e fshatrave të Skraparit,të cilët ofrojnë për pelegrinët kurbanët e festës “qengjat”,që janë dhe personifikimi i kesaj feste të veçantë.

Teqeja e Kulmakut është përgatitur dhe ka hapur dyert disa ditë më parë për të pritur pelegrinët që do të bëhen pjesë e kësaj feste si dhe janë të gjitha marrë masat që në malin e Tomorrit të mos mungojnë çadrat për pelegrinët, banjot, ndriçimi dhe uji i pijshëm.

Gjatë 5-ditëve të pelegrinazhit, në Teqenë e Kulmakut dhe pranë varrit të Abaz Aliut kryhen ritet fetare të festës,ku çdo pelegrin falet për shëndet,mirësi e paqe në familjet e tyre.

Të gjithë besimtarët dhe pelegrinët që i bashkohen kësaj feste të shenjtë,në shenjë mirësie bëjnë kurban një qengj për veten dhe familjen.
Vetë pelegrinët e parë që kanë mbërritur në malin e shenjtë shprehen se,çdo vit bëjnë qindra kilometra për të ardhur e për tu bërë pjesë e kësaj feste, nuk mungojnë edhe emigrantet.
Siç shprehen edhe vetë ata, pjesëmarrja e tyre në këtë festë të shenjtë është mjaft e rëndësishme,pasi ka sjellë dhe vazhdon të sjellë çdo vit vetëm mbarësi në familjet e tyre.

Sekretari i Kryegjyshatës së Bektashinjve për qarkun e Beratit, Zalo Qato,shprehet se, këtë vit kushtet për mikpritjen e pelegrinëve janë përmirësuar dhe janë marrë të gjitha masat për akomodim.
Krenar Capollari, Shefi i Sektorit të Rendit në Komisariatin e Policisë Skrapar,bën me dije se, për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti si dhe shmangien e aksidenteve në rruge, drejt Kulmakut janë nisur 100 forca policie që janë shpërndarë për të patrulluar në të gjithë aksion rrugor Çorovode-Kulmak si dhe është hartuar një plan i detajuar masash që do të zbatohet me rigorozitet.
Capollari konfirmon se,për 5-ditët e pelegrinazhit janë angazhuar të gjithë sektorët e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Berat,duke filluar që nga sektori i qarkullimit rrugor e deri tek sektori i Rendit dhe ai i krimeve,ndërkohë që me ta kanë bashkëpunuar edhe bashkitë: Skrapar, Poliçan e Berat, të cilat kanë sjellë në Kulmak stafe mjekësore, ambulanca e zjarrfikëse.

Ditët e pelegrinazhit në majën e Malit të Tomorrit, në Kulmak, të njohura si ditët “e njenjta” të bektashinjve, bashkuar çdo vit në Teqenë e Kulmakut rreth 300-400 mijë pelegrinë nga e gjithë Shqipëria,Diaspora e bota. Ditët e pelegrinazhit në Malin e Tomorrit përfundojnë në 25 Gusht, por kulmi i kësaj feste arrin në datën 23 Gusht.

Eneida Petova

Related posts