Një fjalë e fundit për të qenë e para!*

Një fjalë e fundit për të qenë e para!*

Nga Namir LAPARDHAJA –

Meqenëse për këtë legjislaturë kjo është, me gjasë, mbledhja jonë e fundit, mendoj se ka nevojë për një bilanc dhe reflektim për të ardhmen.

Për mua ishte një nder dhe privilegj që për katër vite këtu, së bashku me ju, isha pjesë e këshillit bashkiak të Beratit, si një ndër organet më të rëndësishëm të politikbërjes lokale.

Në këto vite u udhëhoqa nga parimi se interesi publik është mbi interesat partiake, se qyteti vlen më shumë se partia dhe se e mira e përgjithshme është mbi çdo përfitim individual. Kjo filozofi është e vetmja që mund të përmirësojë jetesën tonë të përbashkët, sepse këshillat bashkiak, njësitë administrative dhe, mbi të gjitha, Bashkitë, për nga vetë organizimi dhe legjislacioni, kanë ndikim të drejtpërdrejtë në përditshmërinë tonë.

Si të tilla, do të ishte në interesin e përbashkët që, pavarësisht bindjeve politike ose partive që përfaqësojmë, të vendosnim qytetin dhe qytetarët mbi gjithçka dhe të mos reflektonim këtu politikën konfliktuale të ditës.

Shqipëria në gjithë këto vite të tranzicionit ka treguar se ato që politikanët ngatërrojnë nga papërgjegjshmëria e tyre publike dhe institucionale, i vuajnë njerëzit në mënyra të ndryshme, pavarësisht bindjeve partiake, mirëpo janë po këta politikanë që, me anë të mekanizmave që i dinë vetëm ata, gjejnë dalje nga ngërçet që vetë kanë sjell.

Në këtë kuptim, risjellja në diskurin politikë të vitit të tmerrshëm ’97 apo i situatës së rëndë që po shkon pa kthim drejt përplasjes apo luftës civile mes popullit, tregojnë, më së paku, miopi ideore dhe ligjërimore, mungesë vizioni dhe alternative, varfëri programore dhe kreativiteti.

Kjo ëndërritje alucinante nuk duhet artikuluar publikisht as për konsum politik të ditës, ngase, ashtu si e gjithë Shqipëria, veçanërisht Berati është një ndër qytetet e gjakosur më së shumti në vitin e mbrapshtë ’97 dhe si i tillë plagët e kësaj tragjedie të madhe kombëtare vijojnë që, në një mënyrë ose në një tjetër, të jenë ende të hapura.

Ky është qytet mbi të cilin ecin së bashku vrasësit dhe viktimat, të plagosurit dhe plagosësist, të përdhunuarat dhe përdhunuesit dhe kjo vetëm për shkak të një konflikti të verbër në një periudhë të caktuar të historisë sonë të tranzicionit.

Ky është qyteti që më së shumti duhet të reflektojë dhe ta shohë pushtetin dhe partitë politike me ftohtësinë e arsyes dhe jo me flakën e militantizmit, duke u pozicionuar në anën e së drejtës dhe së vërtetës, kundër arrogancës dhe prepotencës.

Kjo narrativë e çartur është njëlloj e dëmshme sa edhe artikulimi për mbajtje të zgjedhjeve të njëanshme, me opozitë e kandidatë fiktiv. Po rikthehemi 30 vite pas. Demokracia nuk është vetëm procedurë, siç po mundohen të na e shesin, por, mbi të gjitha, ajo është frymë, liri dhe mundësi zgjedhjeje, alternativ e besueshme, garantim dhe siguri se ajo që do të zgjedhësh do të numërohet pas procesit të votimit dhe nuk do të dihet që më parë se kush do të jetë fituesi i garës.

Rikthimi në autokraci, ku partia-shtet udhëheq dhe drejton gjithçka është fatkeqësi kombëtare. Ajo nuk duhet trajtuar si diçka e natyrshme dhe si dëshirë e parealizuar qëllimisht e një apo disa politikanëve. Është më shumë se kaq. Është rikthim në pikën zero i demokracisë sonë të vështirë dhe hibride.

E gjithë kjo situatë të kujton fjalët e Zhvejkut, kur thotë: “Mirë që u çmendën…., por përse të gjithë në një ditë…?!”

Pavarësisht kësaj situate çmendurake, unë besoj se ky vend do t’i rikthehet normalitetit, stabilitetit dhe dremokracisë, aq shumë të rrezikuar.

Ndaj uroj që palët politike në Shqipëri të gjejnë sa më parë gjuhën e dialogut, të ngrihen mbi veten, të ulen në bisedime dhe t’u ofrojnë mundësi të barabarta dhe të drejta zgjedhjesh për të githë shqiptarët, të majtëve dhe të djathtëve.

Pa dashur të zgjatem më tej në këtë çështje, po rikthehem tek arsyeja për të cilën u nisa, ngase, herët a vonë, zgjedhjet lokale do të zhvillohen.

Ndaj:

Këshillat bashkiak duhet të shndërrohen në parlamente të vërtetë lokal, ku të mbizotërojë debati konstruktiv, alternativa për problematika të ndryshme dhe zgjidhja e duhur tekniko-profesionale.

Këshillat bashkiak nuk duhet të jenë thjesht noterizues të projekt-vendimeve të administratës bashkiake, e cila, në shumicën e rasteve, sjell vetëm projekt-vendime që kanë të bëjnë me punën e saj të përditshme.

Ndaj, vendosja e një pike në rendin e ditës, në të cilën kemi diskutuar problematika të shqetësimit të qytetit dhe qytetarëve, mendoj se ka qenë një ndër punët e mira që kemi realizuar ne si këshill në këto 4 vite. Dëshiroj që një gjë e tillë të vijojë edhe në këshillin bashkiak të ardhshëm, por me më shumë intesitet, me më shumë përgjegjshmëri, me më shumë çështje dhe probleme të ngritura që kërkojnë zgjidhje.

Të qenit anëtarë i këshillit bashkiak duhet konceptuar si një angazhim publik, duke u udhëhequr nga përgjegjshmëria, dashuria dhe mendimi analitik e kritikë për atë çka ndodh përditë në qytet.

Këshillat bashkiak nuk duhen parë si vende ku të renditen në listë militantë partie, që të marrin ato “dy” lekë për 4 vjet në shkëmbim të heshtjes. Kush e koncepton kështu këshillin bashkiak gabon. Nuk e di si do të ndihej një i tillë për 4 vite në një sallë ku të tjerët diskutojnë, ndërsa ai ka ardhur me këtë qëllim.

Këshillat bashkiak duhet të heqin dorë nga dhënia e titujve të nderit pa kriter, pa i njohur, pa i analizuar, pa debatuar, për individë të gjallë apo të vdekur, në formë qokash elektorale apo politike. Filtrat e vendosur për këta tituj duhet të rishihen dhe të jenë më të rreptë. Vendosja e një stimuli monetar jo vetëm që do t’i jepte më shumë rëndësi këtyre titujve, por, njëkohësisht, do të minimizonte sadopak nxitimin për dhënien e tyre për shkak të efektit financiar.

Këshillat bashkiak duhet të kenë në përbërje të tyre specialistë dhe ekspertë të të gjitha fushave, duke filluar nga ekonomistë, juristë, arkitektë, inxhinierë, mësues, njerëz që dinë të artikulojnë dhe që guxojnë të ngrenë shqetësime dhe probleme, pavarësisht mospëlqimit nga pushteti, kryetari i radhës apo të tjerë rrotull tij.

Si të tilla, partitë politike kanë përgjesinë e madhe që në renditjen e njerëzve në listë të udhëhiqen nga parime të larta, nga përgjegjshmëria politike, intelektuale dhe qytetare, nëse do të donim që punët në qytet të shkonin për më mirë, për më lart, për më larg.

Në të kundërt, nëse këshilli bashkiak do të koncpetohej si “vend pune”, si angazhim për të qenë aty se s’i dihet, për “pazare” të vogla miskine (sigurisht që të gjitha këto mund të realizohen në mënyra të ndryshme), do të ishte në nderin e gjithsekujt të mos bëhej pjesë e kësaj filozofie dhe mentaliteti të dëmshëm për demokracinë tonë të brishtë lokale.

Duke e mbyllur, unë kam një falënderim të veçantë për këdo anëtarë të këshillit bashkiak që në këto 4 vite diskutoi, parashtroi, argumentoi, analizoi, kundërshtoi, ra dakort, u bë pjesë e debateve dhe zgjidhjeve, duke u udhëhequr nga parimi i dashurisë për qytetin dhe përgjegjshmërisë e lartë qytetare.

*Fjalë e mbajtur sot në mbledhjen e këshillit bashkiak Berat.

Related posts