Numri apo mesazhi i opozitës kanë rëndësi?

Numri apo mesazhi i opozitës kanë rëndësi?

Nga Namir LAPARDHAJA* –

Ka një debat shterp këto dy ditë lidhur me numrin e pjesëmarrësve në protestën e opozitës më 13 maj.

I pari që sendërtoi një miting “për të ardhur keq” dhe një imazh bulevardi “gjysmë të zbrazur” nuk mund të ishte askush tjetër përpos shefit të qeverisë, Edi Rama, narrativa e të cilit u shpërhap sa hap e mbyll sytë në disa prej mediave servile afër qeverisë, të cilat në vazhdimësi kanë qenë në sintoni të plotë me shijet, midenë, oreksin, por edhe humorin e kryeministrit Rama.

Diskutimi mbi shifrën e numrit të pjesëmarrësve në protestën e opozitës është një grackë e mirorganizuar, jo për herë të parë, e propagandës qeveritare për të hequr vëmendjen e publikut nga thelbi i protestës dhe i kërkesave të opozitës.

Profesori i semiotikës në Universitetin e Palermos, Gianfranko Marrone, teksa flet për “Manipulimin e fshehtë” tek “Trupat shoqërore – proceset komunikuese dhe semiotika e tekstit”, mes të tjerave, thotë: “Më tepër se të hamendësohet rreth manipulimit të kryer ose të pësuar nga Opinioni publik, duhet vrarë mendja rreth faktit se ai e bazon vetë ekzistencën e tij mbi një formë pararendëse sendërtimi, mbi shnëdrrimin e entitetit imagjinar në entitet real.”

Në këtë kuptim, ky shndërrim i imagjinares në reale, kërkuar dhe përhapur me forcë, në mënyrë permanente dhe me ngulm, nga zyrat e propagandës në Kryeministri është mëse i qartë që bëhet i organizuar dhe i orkestruar.

Nga këndvështrimi i komunikimit politik, vetëlegjitimimi i pushtetit përmes opinionit publik, i cili, sipas Marrones, është “personazh fiktiv, por tepër i vlefshëm”, është e gjithë skena e teatralitetit mbi të cilin ngrihet ky diskurs, që për qëllim ka vetëm “manipulimin e turmave”.

Orkestruesit e këtij debati harrojnë qëllimisht një detaj të rëndësishëm: për një parti opozitare si PD-ja, me një histori dhe jetëgjatësi në pluralizmin politik shqiptar, e cila ka treguar që edhe pas një rënie spektakolare si ajo e vitit 2013, edhe përpos hamendësimeve të shumta se tkurrja e saj do ta çonte drejt zhdukjes përfundimtare, ka arritur të rikuperojë elektorat dhe të ringrihet në votë kombëtare në zgjedhjet lokale të vitit 2015, nuk është aspak problem organizimi në mënyrë të shkëlqyer dhe masiv i një proteste, ku dihet mjaft mirë se, përveç Tiranës, në të do të ishin edhe rrethet e tjerë të vendit.

Pavarësisht shifrës në ishin 600 mijë në shesh apo jo, kjo protestë nxorri në pah dy elemente mjaft të rëndësishëm: së pari, shqiptarët në masë të madhe besojnë tek opozita dhe tek PD-ja, duke iu përgjigjur thirrjes së saj, edhe pas 90 ditësh të lodhshme në Çadrën e opozitës, dhe, së dyti, më 13 maj shefi i opozitës, Lulzim Basha, nëpërmjet artikulimit të tij shpalosi platformën e asaj që ai e quan Republikë e Re.

Pikërisht mbi këtë të fundit duhet të ishte ngritur i gjithë diskutimi i post protestës së 13 majit.  Cili është koncepti i PD-së dhe i opozitës për Republikën e Re dhe a janë të realizueshme ato që Basha renditi si pika programore të kësaj Republike.

Mirëpo, me ato që artikuloi Lulzim Basha nuk u mor kush, sepse, përgjithësisht, në këtë vend nuk merret njeri me idetë, duke u përqendruar vetëm tek aspekti formal dhe viziv i protestës, madje edhe ai i manipuluar, ashtu siç e thamë edhe më sipër.

Pavarsisht numrit të pjesëmarrësve, protesta e opozitës dhe e PD-së, kërkesat e saj, idetë e artikuluara gjatë fjalës së shefit të opozitës, por edhe të pjesëmarrësve të tjerë në protestë, vetë ekzistenca e partive opozitare dhe marrja pjesë e tyre në zgjedhje, më tepër se me vetë ekzistencën e tyre, ka të bëjë me natyrëshmërinë dhe normalitetin e një vendi demokratik që aspiron dhe sheh nga e ardhmja me optikën e Perëndimit dhe jo nën shëmbëlltyrën e diktaturave dhe oligarkive të Lindjes, prej të cilave arritëm të shpëtojmë një herë në vitin ‘90.

Related posts