Opozita e rreme, ose të tallesh me veten

Opozita e rreme, ose të tallesh me veten

Tirana Times

Në fillim të viteve ’90, regjimi i dobësuar komunist që po parashikonte çfarë e priste, bëri një përpjekje të fundit qesharake për të shpëtuar rrënojat e veta, duke nxitur opozitën e parë të rreme në Shqipëri. Ata bënë bashkë në parlament Organizatat e Grave dhe Rinisë me të ashtuquajturat Sindikatat Profesionale, të gjitha shtojca të Partisë Komuniste, dhe u përpoqën t’i ‘shisnin’ ato si pluralizëm.

Ky ka qenë deri më tani një rast unik i eksperimentimit të rremë opozitar në Shqipëri, ndoshta tashmë i harruar dhe, në retrospektivë, dhimbshëm qesharak, por në atë kohë sa acarues aq edhe tregues.

Përpjekja më e fundit është bërë tani, më shumë se 25 vjet pas rënies së komunizmit, në një vend anëtar të NATO-s që aspiron të bashkohet me BE-në. Është po aq qesharake, e dhimbshme dhe zemëruese. Pasi deputetët e opozitës, kryesisht të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, “dogjën” mandatet e tyre duke dhënë dorëheqjen, sistemi zgjedhor lejon kandidatët e radhës në listat e paraqitura gjatë zgjedhjeve për të plotësuar vakancat. Ky është një edicion klasik i “ardhjeve nga ferri”, pasi udhëheqësit e partive politike, deri diku të vetëdijshëm se sa deputetë mund të marrin për çdo qark, plotësojnë vendet e fundit në listë me lloj-lloj ‘personazhesh’. Këto lista përfshijnë njerëz me të kaluar të dyshimtë, me nivele të diskutueshme të arsimimit dhe, shumë shpesh, persona karakteristikë; kjo jo në kuptimin e mirë të fjalës.

Në të vërtetë ky eksperiment i fundit në “ndreqjen e fasadës së demokracisë” tregon qartë mangësitë e sistemit zgjedhor. Sistemi ekzistues, me gjithë natyrën autoritare dhe arbitrare, krijon boshllëqe dhe hapësira për këto lloj skenarësh të trishtë për t’u materializuar në të gjithë natyrën e tyre të neveritshme. Udhëheqësit politikë që ankohen për rezultatet që sjell duhet ta kishin nxjerrë mësimin shumë kohë më parë dhe ta ndryshonin atë.

Nga ky brez i ri deputetësh që do të ‘përfaqësojnë’ opozitën në parlament këtë javë, mjafton të shqyrtojmë një karakter që ilustron në mënyrë të përkryer rezultatin skandaloz e të padëshiruar të kësaj situate: një ish-këngëtar turbo folklorik, që do t’i bëjë gazetarët të qeshin në çdo dalje publike, nga mënyra “interesante” e të folurit të gjuhës shqipe. Për të qenë të ndershëm, ai nuk është aspak më i keq se shumë kolegë deputetë edhe në radhët e atyre që po qëndrojnë në Kuvend, pasi kredencialet e tyre profesionale dhe të artikulimit janë gjithashtu të tmerrshme. Problemi kryesor është përsëri mungesa e përfaqësimit pasi, ai dhe të tjerët që i bashkohen Kuvendit në një mënyrë pothuajse klandestine, qartësisht nuk përfaqësojnë palët sipas të cilave janë zgjedhur dhe prej të cilave ata janë larguar për mosrespektimin e vendimit për bojkot.

Këta deputetë të rinj u duartrokitën gjatë nga maxhoranca gjatë procedurës së betimit dhe ky është një tjetër akt i arrogancës qesharake dhe indiferencës së pandershme ndaj situatës së krizës jashtë mureve të Kuvendit. Kjo duartrokitje e pakuptimtë është shfaqje, jo vetëm e pandjeshmërisë së ashpër të mazhorancës ndaj përkeqësimit të situatës, por edhe të mungesës së karakterit të tyre dhe nënshtrimit të tyre ndaj mentalitetit autoritar.

Shfaqja në skenë e një opozite të rreme nuk zgjodhi asgjë gjatë viteve ’90. Ndonjë gjë e përkeqësoi më shumë revoltën e atyre që e kundërshtuan dhe përfundimisht iu la vetëm turpin atyre që e provuan. Opozita e rreme e vitit 2019 nuk do të ketë rezultate më të mira.

*Përktheu nga anglishtja: Loneta Progni.

Related posts