Pak kalldrëm…, shumë kënaqësi! (Një kafe ndryshe në Kalanë e Beratit)

Pak kalldrëm…, shumë kënaqësi! (Një kafe ndryshe në Kalanë e Beratit)

Nga Namir LAPARDHAJA* –

I
Kalaja e Beratit është e mveshur me një aureolë qetësie. Madhështore ajo qëndron përmbi qytet. Nën trupin e saj të gurtë mbart legjendë dhe mitologji, rrëfenja dhe histori, të vërteta dhe shajni. Si tatuazh mbi kurmin e vetë gurët e vjetër mpleksen me më të rinj për të sendërtuar të shkuarën sipas përfytyrimit të tashëm. Ndërsa koha kalon, vitet ikin, njerëzit kryejnë ciklin jetësor, vetëm ajo, Kalaja pra, qëndron madhështore dhe sfiduese mbi qytet. Ngjashëm me kryet e larta të një trupi të shtrirë, prej saj mund të marrësh përsipër sfidën e kohës dhe të historisë. Natyrshëm është një betejë e humbur, ashtu siç janë të gjitha betejat e tilla, mirëpo një rrugëtim në Kala kryen të njëjtin rol që në antikitetin e largët kryente arti dramatik, kënaqësi shpirëtore dhe çlirim, duke u shkëputur nga ajo që ndodh poshtë në qytet dhe duke u ngjitur lart, në afërsi të qiellit dhe reve.

II
Ngjitja në të mund të realizohet jo vetëm nga dy drejtimet e njohura për të gjithë. Ka shumë rrugë dhe rrugica, të njohura dhe të panjohura, që të çojnë në Kala. Është vet pozicioni i saj gjeografik mbi qytet që e mundëson një gjë të tillë. Një ndër këto është rrugica “Dardha”, mbi xhaminë e Sahatit, e cila nis si një rrugë e kalldrëmtë dhe përfundon në Kala si një ngushticë dhish.

Teksa ble gazetat letrare të fundjavës, nisem në këtë drejtim, prej nga sa më shumë të ngjitesh aq më tepër të shfaqet katrahura urbanistike që rrethon të gjithë zonën e kodrës së Kalasë. Është një rrëmujë e organizuar në mënyrë të çorganizuar që ka ndjekur si mallkim të gjithë qytetet tona përgjatë 30 viteve të fundit. Nga ky mallkim nuk ka shpëtuar as Berati. Aq më tepër zona përreth Kalasë.

Vijoj rrugën dhe duke qenë mëngjes, rrugica është ende në gjumë. I vetmi që më shfaqet përpara është një zotëri që po punon përpara shtëpisë së vetë. Është po ai, i cili muaj më parë m’u drejtua që në një ndër mbledhjet e këshillit bashkiak të ngrija shqetësimin e mungesës së kalldrëmit në këtë rrugicë. “Rastësia mbret i botës!” thonë. Pavarësisht se kishin kaluar muaj që kur ishim takuar, për të koha kishte ngelur në vend: “Ja…, e bën deri aty poshtë dhe e lanë në mes.” – më thotë sikur rrugëtimi im të ishte nisur enkas për shqetësimin e tij. – “Të drejtë ke, – ia kthej, – por unë kam vetëm fjalën, të tjerët mund të bëjnë diçka…” Ndahemi… Nga rrugicë e kalldrëmtë vijoj në një ngushticë me çakull për të dalë në një rrugë më të gjerë me dhè dhe gurë, shumë afër rrugës së asfaltuar. Kjo rrugë është vetëm një ndër të shumtat që të çon në Kala. Me pak punë nga ana e pushtetit lokal mund të bëhen çudira përreth kësaj zone, duke i mundësuar, pikë së pari, vetë qytetarëve të Beratit të kenë të konsumojnë qoftë edhe një kafe në çdo orar të ditës në të. Qyteti ka pasur një traditë të hershme të gurskalitësve dhe të rrugve të kalldrëmta. Ringjallja e kësaj tradite do t’i bënte mirë qytetit dhe banorëve të tij.

III

Futem në kështjellë. Mbizotëron një qetësi absolute. “Kështjellarët” janë ende në gjumë. Nuk rastis me asnjë prej tyre. Ndofta ngaqë nuk kam asnjë mesazh për t’u kumtuar. Në portën hyrëse ende nuk është hapur sporteli i biletave, kurse tregtarët e vegjël artizanë ende nuk i kanë shfaqur punimet e tyre në pjesën hyrëse të kështjellës. Asgjë nuk pipëtin. Zhurma poshtë e qytetit është zëvendësuar me heshtje meditative. Duket si një prehje shpirtërore në një oaz të madh të gurtë. Ajri është i pastër, ndërsa rrezet e para të diellit kanë tejçuar shigjetat e tyre nga drejtimi i Tomorrit. Nëse do të ishte një gjendje lufte, dielli mbi madhështinë e Tomorrit do ta shkatërronte sa hap e mbyll sytë Kalanë me rrezet e tij të heshtëta. Fatmirësisht gjithçka është e paqtë. Është aq e paqtë sa hap krahët dhe drejtoj shikimin tim kah Tomorri. Asgjë nuk ndodh. Paqja mes Tomorrit dhe Shpiragut, sipas legjendës, është vendosur miliona vite më parë, pas një beteje të përgjakshme. Natyrisht në zonë “neutrale” si Kalaja çdokush është i mbrojtur. Edhe unë, sigurisht. Kam një dëshirë të pashpjeguar për të ecur. Për t’u futur në rrugicat e kështjellës dhe për t’i prekur nga afër, ndonëse i kam shkelur më parë.

IV

Qetësinë e magjishme të Kalasë e prishin vetëm disa të lehura qenësh të ardhur nga poshtë qytetit. Dhe zëri i kamerierit që pyet se “çdo merrni”. Kam gjetur një lokal hapur. I vetmi klient i atij orari jam unë. Porosis kafenë e zakonshme dhe filloj shfletimin e gazetave letrare. “Ex-Libris” ka një intervistë me Visar Zhitin. E lexoj me kënaqësi. Veç të tjerash, ka edhe një shkrim të Mario Vargos Llosës, “Elementi i fshur – Letër një romancieri të ri”. Më tingëllon i lexuar më parë. E rilexoj… “Imë hëngrëm bukë, kështu që nuk na haet…” Nga dialekti duken që vizitorët e parë janë nga zona e Elbasanit. Janë mësueset e një shkolle 9-vjeçare që bashkëbisedojnë me njëra-tjetrën pak më tej. Fillojnë lëvizjet e para… Ciceroni i një grupi italianësh u shpjegon vizitorëve nga matanë Adriatikut se ndodhemi në zonën e Akropolit dhe aty gjendet një sterë uji e kohës romake….Një tavolinë më tej disa të rinj bisedojnë për politikën e ditës. Bezdisem, ndërsa lexoj Llosën, të digjoj biseda të tilla…. “Më 7 prill jeni i ftuar në muzeun Onufri për të dëgjuar një grup italianësh…” – lexon një vajzë nga matanë ftesën e sapo ardhur në e-mail, kurse bashkëbiseduesi ia kthen: “Absurde, më 7 prill, ditën e pushtimit nga Italia, të dëgjosh muzikë italiane!” Pavarësisht se nuk dua të dëgjoj, është një qetësi e tillë që po fillon të më bezdisë. Ngrihem dhe iki. Ndërsa filloj zbritjen shoh që vizitorët e parë si pushtuesit e dikurshëm, po ia behjnë Kalasë. Janë të ngazëllyer. Me smartphone nëpër duar nuk lënë mur dhe bedenë pa dalë foto…

V

Zbres në rrugën “Haxhi Ceno”. Vijoj më tej në “Rrugën e Bregut”, kaloj tek “Ara e Kullahut” dhe zbres përkarshi shkollës “Zihni Toska”. Kaloj dhe, përpara se të futem në shtëpi, shoh një mori njerëzish, makina policie dhe ambulanca. Pyes se çka ndodhur. Më thonë se dikush ka tentuar të vetëdigjet, por ka shpëtuar. Fatmirësisht.
Teksa hyj në shtëpi dhe nxitoj të hedhë përjetimet e mësipërme, jam në dilemë për këtë detajin e vetëdjegies. E shkruaj, siç edhe sapo e lexuat… Shqetësimet e këtuposhtëme janë të tjetërfarta nga ato atje sipër, ku qetësia shpirtërore privohet vetëm për pak kalldrëm…

Related posts