Paradokse shqiptare

Paradokse shqiptare

Nga Namir LAPARDHAJA* –

Shqiptarët nuk duan qeverinë, por nuk besojnë opozitën…

Qeveria ngel për herë të dytë në klasën e integrimit evropian, ndërkohë që kishte shpallur futjen që herën e e parë…

Gjithçka ka “ngrirë” në vend, kurse dielli i majit nuk ka shenja të “shkrijë” akujt…

Opozita bllokon rrugët në Shqipëri për t’i çuar mesazh ndërkombëtarëve në Bruksel dhe SHBA… (Inshallah po shohin TV live gjatë orarit të protestës…)

Mazhoranca po shkon drejt zgjedhjeve lokale, opozita drejt qeverisë tranzitore…

Rrezik që të pikëtakohen në 1 korrik: mazhoranca shpall fitoren 100% të të gjithë pushtetit lokal, opozita fitoren plebishitare të pushtetit ekzekutiv…

Kryeministri vijon gallatën televizive, ministrat vijojnë shijimin e mjegullës së kaosit…

Ekonomia dhe investimet përtokë, pordhët propagandistike përqiell…

Në 2019 “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”, në 1990 “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”…

Kemi 29 vjet që e duam kaq shumë Evropën, ndërkohë që pas 29 vjetësh jemi larguar më shumë se kurrë prej saj…

Mazhoranca thellon fajet përditë, opozita përsërit gabimet e së shkuarës duke mos i shtuar asgjë të re, qoftë edhe për variacion….

Sakrifikuam djegien e mandateve thonë ata që shpallja e mandatit u erdhi si mandatë…

Qeveria sa më shumë lexon, aq më shumë karfoset…

Opozita është rehat në këtë drejtim: ajo nuk lexon fare…

Shqiptarët i urrejnë politikanët, ndërkohë që politikanët e vjetër krijojnë parti të reja…

Të gjithë bërtasin kapni hajdutin e botës, ndërkohë që askush nuk sheh hajdutin tek vetja…

Në Shqipëri LSI-ja është e keqja e madhe vetëm kur është me PD-në, ndërsa me PS-në ajo është e keqe e domosdoshme…

Në raport me politkën, shqiptarët i ngjajnë telenovelës “Dashuri dhe urrejtje”…

Kush të urren të do më shumë…

Ndërsa ai që të do më shumë, të vjedh më shumë, të varfëron më shumë dhe të bën edhe disa gjëra të tjera që për efekt kohe po i lë për një herë tjetër…

Related posts