“Për hir të historisë, pra…”

“Për hir të historisë, pra…”

Nga Namir LAPARDHAJA* –

Teksa dola pasdite nga shtëpia, binte një shi i lehtë. Iu afrova makinës, hapa derën, mora çadrën dhe, në dilemë e sipër, mendova ta bëja shëtitjen e pasdites në këmbë, pavarësisht rreshjeve, që sa vinin e shtoheshin.

Thuhet se femrat, natyra dhe shiu janë burime frymëzimi, ndaj dhe sot, si ditë me shi, me pak njerëz dhe freskët, thashë të eci, ndofta kap edhe unë ndonjë motiv apo subjekt rrugës… Pse jo ndonjë varg a metaforë…! Se helbete në këtë boshësi të madhe, ndofta ndonjë ngacmim i jashtëm do t’i shërbente ngjizjes së ndonjë rrëfimi të brendshëm…

Në mendime e sipër vijoi e gjithë rruga dhe, ndërsa futesha në bulevard, pavarësisht çadrës, isha bërë i gjithë ujë nga mesi e poshtë… Dhe ashtu siç ndihet çdo i lagur në shi, ndalova së menduari për motive e subjekte, për metafora dhe ngacmime të jashtme, ndërsa ndër mend më erdhi një tregim i shkrimtarit Ramiz Gjini nga përmbledhja e tij “Rrëfime në hije”.

Meqenëse nuk kapa vetë ndonjë motiv, po ndaj me ju shkurtimisht tregimin e tij “Kur heronjtë flenë”, bash për arsyet që do t’ua bëj të ditura në fund.

Tregimi bën fjalë për shkrimtarin Nurçe, i cili zgjodhi Simën e Zef Shulit si heroin kryesor të romanit që ai donte të shkuante.

Shkrimtari Nurçe pati shumë besim se Sima mund të ndizte konflikte mjaft të ashpra, mirëpo për dreq rrëfimi ngeci në vend, ngase Sima gjithë ditën e Perëndisë vetëm flinte gjumë, nganjëherë edhe nga tre ditë pa u zgjuar fare.

Kështu që kur pa që Sima nuk ishte personazh për roman, ia hoqi këtë barrë të rëndë personazhit të tij dhe i ngarkoi barrën e novelës.

Shkrimtari Ramiz Gjini

Madje, jo vetëm kaq, por si një shkrimtar që donte ta prekte vetë heroin e tij, i shkoi në shtëpi ku e priti e ëma e Simës, kurse personazhi-hero as që ia fishkëlleu fare, duke mos u ngritur as nga gjumi.

Kur pa që personazhi sërish nuk reagoi, shkrimtari Nurçe vijoi të tregohej tolerant dhe qejfprishur ai sërish ia shkarkoi Simës barrën e rëndë të novelës dhe i ngarkoi atë të tregimit. “Në rastin e tregimit, – mendoi Nurçja, – nuk do të hyj në vëzhgime të thella; nuk do të më duhet të ndaloj në gjërat e dorës së dytë, të zbërthej asosacionet e të zgjoj tek lexuesi reminishenca, Le të shpresojmë, që me tregimin, Sima, do të zgjohet e do të bëjë përpara.” Por Sima sërish në vend. Ditët në vijim nuk sollën asgjë të re në këtë drejtim.

Mirëpo, një ditë prej ditësh, ndodhi që Nurçja e takoi heroin e tij në rrugë. Nurçja u gëzua shumë që personazhi i tij kishte dalë jashtë, mbante në dorë një alamet dajaku të madh prej dru vidhi, fliste me vete dhe grindej nga një inat i mezipërmbajtur.

“Më në fund, – tha me vete shkrimtari Nurçe, – Sima i paska vendosur vetes një qëllim. Tashmë, ai paska një arsye që do ta shtyjë të veprojë, ndaj dhe e ka marrë dajakun në dorë. Kështu, lavdi Zotit, do të mund ta shkruaj tregimin.”

Dhe teksa jep e merr me Simën për arsyet e daljes nga shtëpia dhe për dajakun në dorë, shkrimtarit Nurçe nuk i besohet se ai ka dalë kot dhe nuk ka pasur asnjë motiv, ngase atij i intereson konflikti për të ngjizur tregimin e tij dhe aksioni i personazhit të tij.

“Të bëj be në Zot, – i tha Sima, teksa e pa që shkrimtarit Nurçe nuk i mbushej mendja për ato që po i thoshte, – që e kam marrë krejt konasikot. A e merr vesh apo jo?… Dhe si heshti një çast, shtoi: “Megjithatë, po ta jap një mundësi ta shkruash tregimin… Dhe krejt papritur, me sa fuqi pati, i hovi shkrimtarit Nurçe një dajak kokës…”

Dy kalimtarë të rastit i shpëtuan jetën shkrimtarit, duke i bërë frymëmarrje artificiale dhe duke e sjellë në vete, mirëpo u çuditën nga përgjigja e tij, kur e pyetën se cili që shkaku i goditjes: “Për hir të historisë, pra… Më goditi, që të shkruhet historia…”

Dhe unë teksa futesha në bulevardin kryesor të qytetit, i gjithë ujë i lagur nga shiu, në mungesë të çdo rrëfimi dhe motivi, fillova të qesh me veten nga historia e shkrimtarit Nurçe dhe personazhit të tij Sima Shuli.

Së paku, unë nuk kërkova personazh për rrëfimin tim…. U mjaftova me shiun, që e kreu siç duhet misionin e tij. Atë të bërjes qull….”Për hir të historisë, pra…”

Related posts