Petrit Sinaj: Fokusi i bashkisë sonë është turizmi dhe tërheqja e fondeve për shërbimet publike

Petrit Sinaj: Fokusi i bashkisë sonë është turizmi dhe tërheqja e fondeve për shërbimet publike

Nga Erjola AZIZOLLI –

Një vit pas marrjes së mandatit në krye të bashkisë së Beratit, BIRN Albania intervistoi kryetarin e bashkisë Z. Sinaj, lidhur me përmbushjen e premtimeve elektorale, bazuar mbi shqetësimet e ngritura nga vetë banorët e kësaj zone.

Cilat janë tre arritjet/premtimet kryesore që ju i mendoni si të suksesshme gjatë vitit të parë të drejtimit të Bashkisë Berat:

Nga viti kalendarik që mbyllëm, sot marrim në analizë që natyrshëm na vendos përpara sfidave, përballimi i të cilave kërkoi drejtim, administrim, angazhim, implementim dhe kapitale njerëzore të mjaftueshme dhe të domosdoshme. Ne u përballëm me një riorganizim të plotë të strukturave të reja me kapacitetet njerëzore dhe realizuam transferimin e plotë të funksioneve të shtuara të ish komunave në Bashkinë e re. Sintezë e një zgjerimi në formë dhe në përmbajtje, në problematikë, në angazhim dhe mirë-administrim të qeverisjes së njësisë së re vendore. Në fushën e shërbimeve kemi synuar efektivitet ekonomik të shprehur në sasinë e shërbimeve, në organizmin dhe menaxhimin e tyre.

Kemi rritur performancën në:

  • Lirimin e hapësirave publike;
  • Krahas shtimit të sipërfaqeve, vëmendje i është kushtuar mirëmbajtjes së sipërfaqeve ekzistuese;
  • Ndriçimin publik në rritje, kalldrëme të rikonstruktuara, performancë cilësore;
  • Në kulturë, në drejtim të rritjes së aktiviteteve në qendër të të cilave është rinia;
  • Projekte të shtuara për promovim të vlerave;
  • Riorganizimi i sportit;
  • Në pastrim, përmirësim të shërbimit në qytet, unifikim të shërbimit në njësitë e reja.

Pjesë e rëndësishme në vizionin tonë është dhe do të jetë ndjekja e:

  • Furnizmit me ujë të pijshëm
  • Shërbimi i pastrimit urban, transporti dhe emergjencat civile
  • Mirëmbajtja e rrjetit rrugor dhe ndriçimi publik në gjithë shtrirjen territoriale të bashkisë
  • Kultura dhe sporti, ku këtë vit organizuam “Fundjava në Berat” në një stil krejt ndryshe nga ajo çfarë ishin mësuar qytetarët beratas, në funksion të gjallërimit të aktiviteteve në pedonale përgjatë sezonit veror

Klubi i Futbollit Tomorri, me krenari mund t’ju them që u gjet në një gjendje të shkatërruar, si nga rezultatet sportive në kategorinë e fundit, por dhe nga ato financiare e njerëzore, ndërsa sot, ndodhet në Kategorinë e Parë, me burime të rikuperuara dhe synojmë ngjitjen në Kategorinë Superiore që këtë vit, me fokus përmirësimin e infrastrukturave të ekipit të parë dhe atyre të ekipit zinxhir.

– Mirëmbajtja e sipërfaqeve të gjelbra urbane

– Shërbimi social, me një qendër komunitare që pak kush e ka në të gjithë vendin

– Mirëmbajtja e objekteve arsimore

Ne ndjekim dhe njohim mirë situatën në pastrimin e mbetjeve urbane dhe për këtë kemi punuar efektivisht për ta përmirësuar atë dhe për ta shtrirë këtë shërbim në njësitë e reja të shtuara. Kjo për një unifikim dhe rritje cilësore të tij. Sot jemi në një barazim kosto-tarifë në katër njësitë administrative të qytetit dhe e synojmë këtë dhe për njësitë e reja të shtuara. Përgatitemi për të marrë të gjitha masat për të implementuar ligjin e ndarjes së integruar të mbetjeve urbane, i cili hyn në fuqi në vitin 2018, i detyrueshëm për të gjitha njësitë e qeverisjes vendore.

Çfarë ka bërë Bashkia në sigurimin e pjesëmarrjes qytetare (konsultimeve publike, etj) dhe transparencën gjatë këtij viti?

Bashkia Berat në bashkëpunim me Forumin Qytetar, grupet e interesit, komunitetin e biznesit dhe shoqërinë civile gjatë këtij viti ka realizuar takime të hapura dhe dëgjesa konsultative jo vetëm në kuadrin e hartimit të projekt-buxhetit, por edhe për çdo projekt tjetër madhor për qytetin. Janë kryer disa dëgjesa publike takime konsultative, shpërndarje pyetësorësh, vëzhgime në terren me grupet e interesit në qytet për hartimin e Strategjisë së Zhvillimit të Qytetit, diskutimin e projekt buxhetit afat-mesëm, si dhe takime periodike me përfaqësues të grupeve më sipër dhe komunitetit të qytetit për çdo projekt, event apo aktivitet i cili zhvillohet në qytet.

Drejtoria e Marrëdhënieve me Publikun është drejtoria e cila menaxhon këtë komunikim . Është krijuar rrjeti i të dhënave me kontakte për çdo grup interesi dhe përfaqësimi komunitar, përfshirë Forumin Qytetar me 30 anëtarë, 11 organizatat joqeveritare që operojnë në qytetin e Beratit, përfaqësuesit e biznesit të kategorizuar sipas llojit të tij, përfaqësues të shoqatave kulturore, grupet rinore, mediat, bankat dhe agjencitë e sigurimeve, grupet komunitare sipas njësive administrative, administratorët e pallateve, për të bërë të mundur realizimin e një kalendari takimesh apo diskutimesh mbi çështje që lidhen me vendimmarrjen dhe qeverisjen me bazë të gjerë.

Cilat janë tre sfidat kryesore me të cilat përballet Bashkia e re dhe si mendoni t’i adresoni ato?
Sfida më e madhe me të cilën u përball administrata e re pas zgjedhjeve lokale dhe vijimin e reformave, ka qenë procesi i vlerësimit të situatës nga pikëpamja territoriale, financare dhe ligjore. Është shumë e nevojshme për bashkinë të analizojë bazën e të dhënave, të analizojë prirjet, të vlerësojë nevojat për investime dhe t’i përshtatim ato në aspektin e planifikimit urban, duke lehtësuar përgatitjen e projekteve konkrete. Stafi i Bashkisë i mbështetur me ekspertizën e Bankës Botërore dhe USAID, po punon fort në këtë drejtim, për të gjetur mekanizmat e duhura në menaxhimin e territorit të ri të Bashkisë.

Sfidë tjetër është menaxhimi i territorit urban, duke iu përgjigjur kërkesave të qytetarëve, pa degraduar mjedisin urban. Në bashkëpunim me USAID jemi duke përmbyllur Strategjinë e Zhvillimit të Qytetit, e cila së bashku me Planet e Detajuara Vendore do të udhëheqin zhvillimet urbane në Bashkinë e re të Beratit. Prioritetet tona për këtë vit janë të lidhura me rritjen e aksesit në Qendrën Historike, nëpërmjet krijimit të infrastrukturës së nevojshme turistike, rehabilitimit të rrugëve dhe krijimit të shesheve të parkimi në dy rrugët lidhëse me Kalanë e qytetit, të cilat do të mbështeten nga Banka Botërore, si dhe për mbylljen e ciklit të investimeve në Qendrën e Qytetit, nëpërmjet projektit të Sheshit të Harmonisë Fetare.

Sfida e tretë ka të bëjë më shërbimet publike të Bashkisë, të lidhura me furnizimin me ujë, rrjetin e kanalizimeve dhe menaxhimin e mbetjeve urbane. Synojmë të rrisim cilësinë e këtyre shërbimeve, duke pasur parasysh faktin që Berati është një sit turistik ndërkombëtar. Financimi nëpërmjet kredisë së Bankës Gjermane KFW, po bën të mundur rehabilitimin e rrjetit të ujësjellës-kanalizimeve për qytetin, investim i cili do të bëjë të mundur furnizimin më ujë 24-orë në qytet. Me Qeverinë Zvicerane jemi përfshirë më projektin e menaxhimit të mbetjeve urbane në rajon, për t’i trajtuar mbetjet sipas praktikave të BE, nëpërmjet riciklimit dhe trajtimit të integruar.

Çfarë po bën konkretisht Bashkia për sistemimin e lumit Osum:

Dy janë projektet që synojnë sistemimin e lumit Osum. Projekti i ishullit, i cili u iniciua nga kryeministria dhe pas një konkursi ndërkombëtar u përcaktua studio fituese për hartimin e tij “UNLAb and Openfabric” një bashkëpunim mes studiove holandeze dhe shqiptare.

Në respektim të marrëveshjes së lidhur midis AKP, Bashkisë Berat dhe FSHZH dhe UNLab & Openfabric është hartuar studimi i fizibilitetit për projekt idenë e mësipërme, dokumenti final i të cilit është dorëzuar në bashkinë Berat. Së shpejti, pritet edhe dokumenti përfundimtar i projekt-idesë.

Bypasi jugor. Një projekt që krahas unazës jugore të qytetit, ndërhyn edhe në sistemimin e shtratit të lumit Osum, nga ku pritet të përfitohen rreth 42 ha tokë. Projekti është hartuar nga studio kineze “Sinohydro”, të cilët kanë paraqitur një llogaritje të përafërt kostoje, si dhe projekt ide për gjurmën e kalimit. Në këtë kuadër, janë organizuar takime e tryeza diskutimi në nivel teknik dhe diplomatik dhe kostoja e propozuar është shumë e lartë.

Një nga premtimet e fushatës suaj elektorale ka qenë dhe problemi i menaxhimit të mbetjeve urbane. A ka hapa konkretë për zgjidhjen e këtij problemi? Po për problemin e sistemit të ujërave të zeza?

Bashkia Berat është përfshirë në projektin e menaxhimit të mbetjeve urbane, financuar nga Qeveria Zvicerane, për t’i trajtuar mbetjet sipas praktikave të BE, nëpërmjet riciklimit dhe trajtimit të integruar. Projekti do të implementohet në bashkëpunim me Kooperimin Zviceran në Shqipëri, Ministrinë e Mjedisit dhe Bashkitë Berat, Kuçovë, Ura Vajgurore, Poliçan dhe Çorovodë. Objektivi i përgjithshëm i projektit është të përmirësojë cilësinë, besueshmërinë dhe qëndrueshmërinë e shërbimeve të menaxhimit të mbetjeve në Qarkun e Beratit dhe të reduktojë ndikimin negativ në mjedis e mbetjeve të prodhuara. Projekti do të përqendrohet në zbatimin e Planit për Menaxhimin e Mbetjeve të Ngurta të Qarkut dhe do të përfshijë njëkohësisht, realizimin e Masave të Investimeve në Qark si, stacionet e transferimit, mjetet e transportit, impiantet e trajtimit apo landfilli higjienik, si dhe mbështetjen institucionale për veprimtarinë e qëndrueshme të impianteve të trajtimit të mbetjeve urbane.

Çfarë hapash konkretë po ndërmerr Bashkia lidhur me nxitjen e turizmit historik dhe kulturor të qëndrueshëm?

Në vitin 2015 Berati u vizitua nga 45,747 vizitorë, nga të cilët 60% ishin vizitorë të huaj. Është rritja më e madhe në të gjitha vitet: 34% më shumë se viti 2014. Në vitin 2016 (periudha janar- qershor) kemi një numër prej 4942 vizitorësh, me një rritje prej 50% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2015. Në këtë rritje kanë ndikuar përmirësimi i infrastrukturës së rrugës Berat- Lushnje, rritja e promocionit të qytetit, rritja e shërbimeve turistike dhe marketingu si sit në UNESCO. Zhvillimi i turizmit po bën që shumë shtëpi të familjeve në Qendrën Historike të kthehen në shtëpi pritjeje, duke u ofruar vizitorëve një mundësi për të qëndruar në ndërtesat historike. Në Qendrën Historike janë disa dyqane dhe galeri arti, që janë të hapura për vizitorët në shtëpitë tradicionale.

Objektivat e Bashkisë në fushën e turizmit janë përmirësimi i infrastrukturës turistike, marketingut dhe nxitjes së sektorit të biznesit; Plotësimi i një pakete promocionale përfshirë uebsite, harta turistike, fletë palosje; Zhvillimi i aktiviteteve dhe eventeve për një turizëm vjetor. Investimet madhore në qendrën e qytetit po i japin një tjetër frymëmarrje Beratit, duke e kthyer qendrën dhe shëtitoren në një pikë tërheqëse, e cila i orienton turistët drejt një numri të madh sitesh kulturore në Qendrën Historike. Në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe me qeverinë shqiptare, jemi duke përgatitur dy projekte që synojnë rritjen e aksesit drejt Kalasë, nëpërmjet dy rrugëve lidhëse me të. Gjithashtu në kuadrin e Fondeve të Bashkimit Europian, kemi aplikuar për ndërhyrje në lagjet muzeale dhe rijetëzimin e tyre, duke përmirësuar jo vetëm infrastrukturën, por edhe nxitje të turizmit familjar. Trashëgimia jo-materiale është një tjetër pasuri e Beratit. Një projekt, i cili sapo ka përfunduar është katalogimi i artizanëve dhe mjeshtëritë e tyre në qytet.

Bashkia ka mbështetur dhe inkurajuar përmes takimeve dhe seminareve bizneset private të cilët operojë në ndërtesa historike në fushën e turizmit. Gjithashtu sapo ka përfunduar një projekt novator siç është ai i Shtegut Interpretues të Goricës. Krijimi i shtegut është bërë në përputhje me vlerat mjedisore dhe të trashëgimisë në rrënojat e Kalasë së Goricës, duke përdorur materiale të përshtatshme. Ndërkohë në lagjet muzeale është kryer vendosja e hidranteve për ruajtjen nga zjarri. Në lagjet e vjetra të qendrës historike, është inkurajuar nxitja e punësimit nëpërmjet lehtësimit fiskal, duke shndërruar banesat në dyqane arti apo biznese të turizmit familjar. Kemi nxitur projekte që ndërtesat historike dhe hapësirat publike të rehabilitohen në vende aktiviteti komunitar, pa dëmtuar strukturat origjinale dhe pa dëmtuar koherencën arkitektonike. Kemi inkurajuar përfshirjen e komunitetit, sektorit privat, pronarëve të banesave, OJF-ve, të gjitha në bashkëpunim me Bashkinë dhe aktorë të tjerë të përfshirë në menaxhimin e Sitit. Bashkia e Beratit organizon disa festivale dhe aktivitete gjatë gjithë vitit. Disa nga këto evente mbështeten në traditën dhe fenë dhe janë pjesë e trashëgimisë kulturore të rajonit. Deri tani, pjesa më e madhe e aktiviteteve kanë përfshirë popullsinë lokale. Ekziston mundësia që të promovohen këto aktivitete për vizitorët e mundshëm dhe që të organizohen aktivitete të reja për të tërhequr vizitorët gjatë vitit.

Si po promovhen vlerat historike të Beratit. Po vlerat e Bashkisë së madhe në pemëtari, turizmin malor, prodhimet e zonës?

107 monumenteve të kategorisë së parë dhe 383 të kategorisë së dytë, i bashkohen vlerat e rralla të natyrës së peizazheve që rrethojnë Beratin, agrobiznesi dhe produktet bio, kulinaria e pasur, dhe mbi të gjitha mikpritja tradicionale. Parku Kombëtar i Tomorrit dhe Kanionet e Lumit Osum, japin mundësi për ecje, rafting dhe alpinizëm për turistët e apasionuar pas aventurës. Pjesë e rëndësishme e punës sonë është promovimi dhe zhvillimi i agrobiznesit, duke u mbështetur në resurset natyrore të njësive administrative, kombinuar me zhvillimin e turizmit rural dhe eko-turizmit.

Bashkia e Beratit është fokusuar në bashkëpunimet e saj me organizma dhe rrjete ndërkombëtare për të promovuar vlerat e trashëgimisë kulturore. Qyteti është bërë pjesë e Organizatës Europiane të Qyteteve të Artit dhe Historisë, Rrjetit të Qyteteve Ballkanike me Qendra Historike dhe Rrjetit të Europës Juglindore në fushën e trashëgimisë kulturore. Bashkia e Beratit është përfshirë në disa bashkëpunime ndër-kufitare në kuadër të projekteve të BE, për programet: Europa Juglindore, IPA Adriatik dhe IPA Cross – Border, me projekte në fushën e trashëgimisë kulturore.

Bashkia Berat ka filluar organizimin e Panaireve periodikë të Artizanatit, për të promovuar vlerat e qytetit dhe të njësive administrative. Aktivitete promovuese të tjera në fushën e Trashëgimisë Kulturore janë Dita e Trashëgimisë Kombëtare Kulturore dhe Dita e Gatimeve Tradicionale. Me anë të këtyre aktivitete kemi synuar të rrisim sa më shumë pjesëmarrjen e të rinjve për të përsosur aftësitë dhe talentet e tyre. Bashkia Berat përfundoi këtë vit trajnimin e parë të guidave turistike në qytetin e Beratit dhe këtë vit qyteti do të ketë guida tërësisht profesionale në shërbim të turizmit. Bashkia Berat së bashku me një sërë partnerësh ka mundësuar krijimin e Zyrës së Interpretimit Turistik. Është quajtur një zyrë e interpretimit turistik për shkak të shumëllojshmërisë së dhënies së informacionit Turistik.

Çfarë investimesh ka parashikuar Bashkia në infrastrukturë vitin e ardhshëm?

Bashkia e Beratit ka hartuar programin buxhetor afatmesëm 2017-2019 ku janë përcaktuar edhe investimet që do të kryhen për këtë periudhë kohore. Në hartimin e këtij programi është ndjekur një rend investimi duke pasur prioritet vazhdimin e investimeve që kanë nisur gjatë 2016 apo më herët gjatë vitit 2015. Në këtë rrjedhë, këto janë investimet që parashikohen për realizim, për vitin 2017:

  • Rikonstruksion i Ndërtesës së bashkisë me vlerë totale 78 347 107 lekë nga ku për 2017 parashikohen 40 353 082 lekë.
  • Rikonstruksioni i rrugës “Stadiumi i vjetër – Stadiumi i ri dhe sheshi para Stadiumit me vlerë totale 299 965 989 nga ku për vitin 2017 parashikohen 59 823 094 lekë.
  • Rikualifikim dhe rikonstruksion i rrugëve në lagjen “ Donika Kastrioti” me vlerë totale 24 828 818 nga ku për vitin 2017 parashikohen 10 474 378 lekë
  • Skema ujitëse Bilçë me vlere totale 74 325 513 lekë nga ku për vitin 2017 parashikohen 10 460 700 lekë.
  • Rikualifikim i hapësirave urbane në lagjen “30 Vjetori” me vlerë totale 3 591 570 lekë nga ku për vitin 2017 parashikohen 1 140 390 lekë.
  • Ndërtimi i KUL Berat (Vorrezat Burdullias- Lumi Osum) me vlerë parashikuese për 2017, 91 629 792 lekë.
  • Ndërtim KUZ në fshatin Lapardha me vlerë parashikuese për vitin 2017, 98 867 954 lekë.
  • Rikonstruksion i rrugës Qendër Uznovë – ish Bonifikimi me vlerë 33 810 367 lekë.
  • Rikonstruksioni i rrugës “Gaqi Gjika” dhe kanali i ujërave të larta në lagjen “ Iliria” me vlerë 111 984 661 lekë.
  • Rikonstruksion i rrugës në lagjen “ Kodra e Sulmit” me vlerë 40 198 653 lekë
  • Kanalizim i ujrave të zeza në fshatin Mbreshtan me vlerë 64 326 774 lekë.
  • Rikonstruksion i shkollës 9- vjeçare Veterik me vlerë 35 060 000 lekë
  • Rikonstruksion i shkollës se mesme Starovë me vlerë 41 056 023 lekë
  • Rikonstruksion i shkollës se mesme Sinjë me vlerë 43 560 870 lekë

A ofron Bashkia aktualisht shërbim pastrimi për të gjithë territorin e Bashkisë se Re? Nëse po, mund të na jepni disa të dhëna, mbi numrin e mjeteve dhe të punonjësve të angazhuar dhe volumit mesatar të mbetjeve urbane të hequra ?

Bashkia Berat ofron aktualisht shërbim pastrimi me sipërmarrje vetëm për qytetin e Beratit me këto të dhëna:

  • Mjete 13 copë
  • i personelit 65
  • Sasia ditore e mbetjeve urbane të hequra 277 konteniere në ditë = 277m3 = 32 ton /ditë mbetje inerte + skelektike = 3.5 m3/ditë = 2.6 ton/ditë.

Me zbatimin e reformës së re territoriale bashkia Berat ka miratuar me Vendim të Këshillit Bashkiak studimin për unifikimin e shërbimit të pastrimit edhe për 4 njësitë administrative (Otllak, Velabisht, Sinjë, Roshnik) ku dhe jemi në fazën e tenderimit.

Related posts