Provokimi i natyrës është në dëmin e njerëzve

Provokimi i natyrës është në dëmin e njerëzve

Nga Norel ZAIMI – 

Ishte viti 2004 kur lumenjtë dhe përrenjtë përanësh malit te Tomorrit shpërthyen si damarë me gjak të helmuar.

Dhe pasojat ishin katastrofike. Që nga qyteti i Skraparit, Bogova turistike, të gjitha tokat bujqësore nga me pljelloret nga Kakruka e deri teposhtë në Myzeqe u zhdukën si të tilla sa hap e mbyll sytë.

Osumi ato ditë tregoi një egërsi të llahtarshme. Shkuli rrepe qindvjeçare, pasarelat e urat e vjetra i përpiu dhe rrezikoi jetën e mijëra banorëve.

Qytetarët e Beratit e mbajnë mend mirë këtë vit sepse efektet e prurjeve aty ishin të një niveli të pakonceptueshëm. Bilça, Veteriku e zonat përreth Urës Vajgurore patën qindra mijëra familje të përmbytura pasi lumi Osum kapërceu edhe kufijtë e shtratit.

Pas kësaj katastrofe që zgjati shumë dhe la pas mjerim, shkatërrim dhe një mësim të mirë sidomos për autoritetet që qeverisin, nisën investimet e para në qark. PNUD dhe OKB dha para të thata për ndërtimin e barrierave mbrojtëse në Bilçë e Veterik, rehabilitim të shumë pjesëve në zona të brishta si Uznovë, zona e Urës së re ku Osumi kalon Goricën.

Pra të huajt gjithnjë janë ata që kujdesen për sigurinë tonë. OKB e PNUD.

Po ne çfarë kemi bërë për sigurinë tonë, e meqë jemi në këtë situatë shirash e përmbytjesh?

E gjithë kjo situatë është e provokuar nga dora e njeriut dhe banorët që jetojnë në 5 bashkitë e qarkut Berat do pajtohen me faktet që po ju rikujtoj më poshtë.

Strukturat e gjalla të pyjeve që me rrënjët e tyre krijonin rrjeta mbajtëse dhe një sistem origjinal pritash, pra pyjet e lumenjëve u prenë. I prenë ata që morën zhavorin anë e mbanë lumit.

Për të mosmjaftuar kjo vetëm tri apo katër vite të shkuara në Tomorr një firmë e kontraktuar nga Ministria e Mjedisit preu një territor të madh ahishtesh pranë Ujanikut. Prerje kriminale pyjesh jo vetëm në Tomorr por gjithandej, nga Skrapari e Vithkuq ku ka edhe burimin kryesor lumi i Osumit.

Për të mos mjaftuar katastrofa e prerjes së pyjeve, marjes barbare të zhavorit një tjetër fenomen që u takon specialistëve ta gjykojnë apo jo janë guroret e malit Tomorr apo edhe mermeroret e Mëlovës në Skrapar. Pasi kanë gërmuar thellë në zemër të malit, pa një studim inxhinierik, hedhurinat e gurëve që lihen pas kanë mbushur shtretërit e përrenjëve mbi katër apo pesë metër.

Pra që aty në majë të malit ujrat do të nisen me rrëmbim e mandej imagjinoni se me çfarë tërbimi do tu drejtohen qyteteve.

Desha tu drejtohem të gjithë atyre që janë gjendur në vështirësi gjatë këtyre ditëve me përmbytje.

Sigurisht që më e keqja tashmë iku sepse falë Zotit shëndeti është kryesori. Por nuk duhet të harroni, provokimi që shumë pak veta i kanë bërë natyrës është dëm në kurrizin tuaj, pasurimi që ata kanë realizuar me pyjet, shtretërit e lumenjëve, degradimin e maleve duhet të kthehet në mësim për ju të gjithë.

Mos u shtirni sikur nuk e kuptoni!

Related posts